Gazeta Si – Silvinjo propozoi futboll me nivel që në ndeshjen e parë në krye të Kombëtares shqiptare. Me mungesa të rëndësishme dhe pa asnjë miqësore në dispozicion, megjithatë braziliani i kishte dhënë skuadrës kuqezi një profil tjetër.
Shpejtësi, agresivitet dhe lojë dinamike e ekuilibër në të dyja fazat. Në fund diferencën e bënë portierët, asaj që i druheshim më shumë në ndeshjen e Varshavës. Shezni tregoi pse është titullar te Juventusi, kurse Strakosha reflektoi faktin që qëndrimi në stol ndikon pa dyshim në formën sportive.

Pas ndeshjes Silvinjo theksoi se ishte i kënaqur me përgjigjet që mori nga skuadra. Për të barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, Polonia është skuadër që luan në Europian dhe Botëror, por skuadra ka bërë gjithçka mirë. Mora përgjigjet e duhura nga lojtarët.
Ishim në lojë për të marrë pikë deri në sekondën e fundit. Luajtëm shanset tona për të shënuar. Luajtëm siç kam thënë që në fillim, me shpirt dhe zemër. Fola me djemtë në pushim, u kërkova të mbrohemi mirë dhe të luajmë fort. Mendoj se në aspektin taktik dhe organizatov, ishim si duhet në fushë.
Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, por kështu është futbolli. Nëse në rastin e Uzunit topi do të shkonte në rrjetë, do të kishim marrë pikë. Ky është shpirti që kërkoj. Ka vend për t’u përmirësuar, duam të luajmë me topin dhe të kontrollojmë lojën. Kemi për të korrigjuar diçka edhe në mbrojtje.
Polonia luan shumë me topa të gjatë, është më e vështirë për t’i bërë pressing. Luajtëm me Gjasulën para mbrojtjes vetëm për të fituar duelet ajrore. Lojtarët u treguan të zgjuar për të ruajtur ekuilibrat. Ndoshta mund të rrezikonim më shumë, por mund të pësonim gol sërish”, – theksoi mes të tjerash Silvinjo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




