Shendet

Silikoni në gjoks po shkakton forma të reja të kancerit

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) paralajmëron se lloje të veçanta të kancerit lidhen me operacionet e protezave apo implanteve të gjoksit.

Në një raport të publikuar të enjten Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, raportoi se janë gjetur disa lloje kanceri si karcinoma e qelizave skuamoze (SCC) si dhe limfoma të ndryshme të cilat formohen përreth protezës së silikonit në gjoks.

Edhe pse këto lloje të reja të kancerit përreth protezës së silikonit në gjoks janë të rralla, mjekët i këshillojnë të gjithë personat që duan ta kryejnë një ndërhyrje të tillë ta marrin parasysh rrezikun si dhe të raportojnë në rast se vërejnë diçka të dyshimtë përreth implantit.

Administrata Amerikane e Ushqimit ddhe Barnave bënë të ditur se këto lloje limfomash janë zbuluar së fundmi dhe nuk janë të njëjta me limfomën me qeliza të mëdha anaplastike të cilat janë përdorur më parë në protezat e gjirit.

Sipas të dhënave, ka më pak se 20 raste të prekur me karcinomë të qelizave skuamoze (SCC), ndërsa të prekur me limoma të ndryshme përreth protezës së gjirit janë më pak se 30 persona.

Gjithsesi sipas raportit, personat të cilët kanë vendosur proteza silikoni në gjoks nuk do ju duhet të ndryshojnë rutinën e tyre mjekësore dhe as të nxitojnë për t’i hequr implantet, ajo që duhet të bëjnë është të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave dhe simptomave të cilat përfshijnë djersitjen, dhimbjen, krijimin e gjëndrave apo ndryshime të lëkurës.

Faktorët se përse shkaktohen këto lloje të kancerit të raportuar kohët e fundit mbeten ende të paqarta.

“Kjo është një çështje ende në zhvillim, gradualisht po kuptojmë më shumë”.

FDA u ka kërkuar të gjithë ofruesve të kujdesit shëndetësor si edhe njerëzve të cilët kanë implante në gjokse të raportojnë nëse zbulojnë ndonjë lloj kanceri të formuar rreth implantit.

Një vit më parë Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, ka kërkuar të bëjë ndryshime në rregulloren e vendosjes së implanteve të gjoksit, duke përfshirë paralajmërimin e njerëzve të cilët kërkojnë të vendosin proteza silikoni në gjoks se këto lloj implantesh nuk janë pajisje mjekësore dhe nuk zgjasin gjithë jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë