Treg

Sigurimet/ Shqiptarët s’po sigurojnë më pronat

Nga Gazeta ‘SI’ – Kompanitë e sigurimeve arkëtuan pak më shumë se 10 mld lekë në 5 muajt e parë të vitit 2025, me rritje vjetore 7.6%. Gjatë periudhës janar – maj , numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 609.763 me një rritje prej 9.29% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet e jo-jetës dominojnë këtë treg, me mbi 90% të primeve, ndërsa ka një rritje të lehtë të sigurimeve të jetës me 9.4%. 2.5 mld lekë u arkëtuan vetëm nga sigurimi i detyrueshëm motorrik, me rritje vjetore 13%. Sigurimet vullnetare arritën 4 mld lekë, rritje e papërfillshme nga një vit më parë.

Shifrat tregojnë një rënie me 9.4% të sigurimit të pronës nga zjarri dhe forcat e natyrës, zë që është i lidhur ngushtë me kredinë për banesa, si hap e detyrueshëm nga sistemi bankar. Rënia e këtij treguesi lidhet me masat që kanë marrë bankat për moderimin e kredisë së banesave, që përjetoi një rritje të fortë vitet e fundit.


Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për janar – maj 2025 kapën vlerën 2.5 mld lekë, pësuar një rritje me rreth 2.22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pagesat e dëmeve gjatë janar – maj 2025 u ulen me 5.59% krahasuar me janar -maj 2024. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,504 milionë lekë, apo 75.79% të totalit të dëmeve të paguara bruto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë