Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të shërbejë vetëm përmes interetit.
Masa e marrë është në vazhdën e masave të qeverisë për tu mbrojtur nga përhapja e Koronavirusit. Institucion përmes një njoftimi bën me dije se në zyrat e pritjes pranë agjencive të sigurimeve shoqërore nuk do të ofrohet shërbim në sportele, për të shmangur kontaktet fizike.
“Në çdo agjenci janë afishuar numrat e telefonave të punonjësve për të asistuar këdo që kërkon ndihmë për aplikim apo shërbim. Dokumentet origjinale duhet të dorëzohen përmes Postës shqiptare sha, në adresë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku aplikohet për shërbim”, thuhet në njoftim. Po ashtu ISSH njofton se edhe aplikimet për pagesat e barrëlindjes do të bëhen online dhe raportet e barrëlindjes, si dhe raportet mjekësore për paaftësi të përkohshme do të skanohen dhe do të ngarkohen në portal.
Për personat që tërheqin në bankë pensionin dhe që duhet të bënin deklaratat pranë bankave për vazhdimin e pagesës do ta përfitojnë pagesën, ndërkohë që deklarimi do t’iu shtyhet.
Pagesat për barrëlindje do të paguhen normalisht nëse aplikimi është bërë online dhe kanë bashkangjitur kopje të skanuara të raportit mjekësor, pavarësisht mungesës së raportit origjinal. Raportet origjinale duhet të dërgohen me postë në adresë të DRSSH. Personat që janë invalidë dhe kanë datën e rikomisionimit do t’iu shtyhet rikomisionimi për më vonë, ndërkohë që pagesa do të vijojë për ta edhe për këtë muaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.