Tregu i sigurimeve të jo-jetës është drejt amortizimit të impaktit të drejtpërdrejtë të pandemisë të krizës në numrin e përgjithshëm të kontratave.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për katërmujorin e parë të këtij vitit, numri i kontratave të sigurimit ishte në rritje për të gjitha klasat, me përjashtim të grupit që mbulon aksidentet dhe sëmundjet.
Përgjithësisht, ky grup përbëhet nga kontratat e sigurimit të aksidenteve në udhëtim, produkt ky i lidhur direkt me lëvizjet ndërkufitare të individëve. Për shkak se këto lëvizje ngelen ende shumë të kufizuara, sidomos me vendet e BE, ky grup është i vetmi që nuk e ka rikuperuar plotësisht rënien krahasuar me një vit më parë.
Në fund të prillit, kjo rënie sidoqoftë u ul në 63.6%, nga 72.5% që kishte qenë në fund të tremujorit. Këto janë kontrata sigurimi afatshkurtër dhe me vlera të vogla të primeve, ndaj edhe ndikimi i tyre në volumet e tregut të sigurimeve është mjaft i kufizuar.
Klasat e tjera të sigurimit këtë vit janë të gjitha në rritje.
Rritja më e lartë e numrit të kontratave ka ardhur në produktet e kreditit dhe garancisë, me 24% dhe të përgjegjësive civile, me 22%. Ndërkohë, grupi më i rëndësishëm për tregun, ai i produkteve motorrike, paraqitet në rritje me 17.8%. Rënia e numrit të përgjithshëm të kontratave për prillin zbriti u ul me 6.6% më pak; në fund të tremujorit rënia e numrit të kontratave kishte qenë 15.9%.
Të dhënat e AMF tregojnë se në muajt e fundit tregu i është kthyer rritjes me ritme dyshifrore.
Për katërmujorin 2021, kjo rritje ishte 13.34% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Pjesa më e madhe e produkteve të sigurimit tashmë po sjellin prime në rritje. Ndër produktet kryesore, sigurimi nga zjarri dhe forcat e tjera të natyrës edhe në muajt e parë të këtij viti po shfaq ritme të larta të rritjes vjetore, me rreth 32%.
Edhe këtë vit tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga sigurimet motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Primet nga këto produkte janë në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë dhe përbëjnë rreth 59% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




