Kompanitë e sigurimeve e kanë nisur vitin 2022 me rënie të arkëtimeve, pavarësisht numri i kontratave ka shënuar rritje. Rënie kanë shënuar edhe dëmet e paguara prej tyre krahasuar me janarin e vitit 2021.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar 2022 kapën vlerën 1.4 miliardë lekë, rreth 14 milionë dollarë, ose 5.16% më pak se në janar 2021. Gjatë periudhës janar 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 83.798 me një rritje prej 17.72% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.55% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.4%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.68% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.32% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 387 milionë lekë, afërisht 3.8 milionë dollarë, ose 28.34% më pak se në periudhën janar 2021, ndikuar kryesisht nga pagesa e dëmshpërblimeve për tërmetet e fundvitit 2019 gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar 2022 kapën vlerën 297 milionë lekë, duke pësuar një ulje me rreth 1.93% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




