Treg

Sigurimet/ Kompanitë në vend rritën fitimet, por ulën dëmshpërblimet për qytetarët

Nga Gazeta ‘SI’ Gjatë vitit 2025, tregu shqiptar i sigurimeve arkëtoi mbi 27 miliardë lekë të ardhura, duke shënuar një rritje vjetore prej rreth 10%. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit u nënshkruan rreth 1.7 milionë kontrata sigurimi, ku 91% e tyre i përkisnin sigurimeve të jo-jetës, duke konfirmuar edhe një herë dominimin e këtij segmenti në treg.

Pavarësisht rritjes së të ardhurave dhe fitimeve rekord të kompanive të sigurimit, shpenzimet për dëmshpërblimet e aksidenteve motorike kanë pësuar rënie. Gjatë vitit 2025, kompanitë kanë dhënë vetëm 8.6 miliardë lekë kompensime, rreth 1% më pak krahasuar me vitin 2024. Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi raportin mes rritjes së primeve dhe nivelit të kompensimeve për qytetarët.

Të dhënat tregojnë se 63% e sigurimeve janë me detyrim, kryesisht të lidhura me automjetet. Vetëm ky segment i solli kompanive të sigurimit rreth 17 miliardë lekë të ardhura gjatë vitit 2025, duke mbetur burimi kryesor i fitimeve në industri.

Ndërkohë, një trend pozitiv vihet re edhe në sigurimin e pronës nga zjarri dhe rreziqe të ngjashme, i cili u rrit me 10.25% gjatë vitit 2025. Ky zhvillim nuk lidhet aq me rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për sigurimin e pronës, sesa me shtimin e kredive hipotekore, të cilat detyrojnë huamarrësit të sigurojnë banesat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë