Treg

Sigurimet / Kompanitë mblodhën 24.5 mld lekë të ardhura dhe paguan 8.6 mld dëme

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndonëse ecuria e tregut të sigurimeve është ngadalësuar, kompanitë e kësaj fushe kanë përjetuar një vit të mirë.

Përgjatë vitit 2024, tregu i sigurimeve në vend arkëtoi 24.5 mld lekë të ardhura, me një rritje e 7% nga një vit më parë. Për këtë periudhë, numri i kontratave arriti 1.59 mln, me rritje pothuajse 9%.

Në 61.5% të rasteve, sigurimet ishin jovullnetare, kryesisht ato motorike, që janë detyrim për qytetarët. Nga ky sigurim, kompanitë kanë mbledhur më shumë se 15 mld lekë, ose 7.7% më shumë se një vit më parë.

Në sigurimin vullnetar, u mblodhën 9.4 mld lekë, me rritje vjetore 6%. Nga këto rreth 4 mld ishin për sigurimin e pronës.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë vitit 2024, arritën në rreth 1.4 mld lekë duke shënuar një rritje prej 1.45% në krahasim me vitin 2023.

Gjatë 2024-s, kompanitë e siguracioneve kanë paguar 8.6 mld lekë dëme, 24% më shumë se në 2023-shin. Nga këto 6.2 mld ishin dëme të sigurimit motorik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë