Sigurimi kufitar i mjeteve ishte shërbimi që solli më shumë fitime për kompanitë shqiptare të sigurimeve gjatë gjithë vitit 2020.
Ndonëse kufizimet ndërkufitare dhe lëvizjet ishin të limituara gjatë gjithë 2020-s përsëri kjo forme sigurimi qëndroi në vend të parë.
Për vitin e kaluar, primet e shkruara bruto pësuan rënie me 55% krahasuar me një vit më parë. Pesha e këtij sigurimi në strukturën e primeve të shkruara bruto ra në 1.5%, nga 3% që kishte qenë një vit më parë.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se raporti i normës së fitimit nga aktiviteti teknik bruto ishte mbi 42%. Ky raport matet si rezultati teknik bruto në raport me primin e fituar prej produktit të sigurimit.

Polica e sigurimit kufitar mbulon përgjegjësitë motorike të shtetasve që vizitojnë Shqipërinë me mjete të regjistruara jashtë vendit. Përgjithësisht janë sigurime afatshkurtra.
Kartoni jeshil renditet i dyti për fitimet, por me shumë diferencë nga sigurimi kufitar në 9.5% nga 11.5% në një vit më parë.
Produkti kryesor i tregut shqiptar, ai që mbulon përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta brenda vendit (MTPL) rezulton fitimprurës në masën 9%, në rritje për të dytin vit radhazi. Ky raport një vit më parë kishte qenë afërsisht 7%.
Këto shifra tregojnë se edhe për vitin 2020 produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik rezultuan përgjithësisht më fitimprurëset për siguruesit. Këto produkte sjellin pjesën më të madhe të primeve (rreth 69% të primeve të sigurimit të jo-jetës për vitin 2019), por njëkohësisht edhe shumicën e fitimeve për kompanitë.
Nga ana tjetër, produktet kryesore të sigurimit vullnetar rezultuan me tregues me humbje nga aktiviteti teknik. Produktet më të rëndësishme vullnetare, ato të sigurimit të pronës nga katastrofat apo dëmtime të tjera, për vitin 2020 rezultuan aktivitete me humbje. Raporti i normës së fitimit nga aktiviteti teknik bruto për këto klasa rezultoi -4.4%, ndërsa një vit më parë humbja kishte qenë edhe më e madhe, me -18.8%.
Një tjetër produkt me peshë, sigurimi Kasko i automjeteve, për vitin e kaluar rezultoi me humbje nga aktiviteti teknik në masën 12.1%, ndërsa një vit më parë humbja kishte qenë edhe më e madhe, me 19.2%.
Ndër të paktat produkte vullnetare me peshë që rezultuan me fitim vitin e kaluar ishin sigurimet e shëndetit dhe ato të përgjegjësive. Sigurimet e shëndetit dhe aksidenteve rezultojnë me një raport të normës së fitimi nga aktiviteti teknik prej 3.9%, në nivel të përafërt me vitin 2019. Ndërsa për sigurimin e përgjegjësive ky raport rezultoi 1.2%, në rënie të madhe nga niveli 8.9% i vitit 2019.
Në total, raporti i normës së fitimit nga aktiviteti teknik i kompanive të sigurimit, për vitin e kaluar u rrit në 7.84%, nga 3.6% që kishte qenë në vitin 2019.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




