Gazeta Si – Komandanti i Gardës së Republikës, Simon Zereci ka shkuar këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe Gjykatën e Posaçme (GJKKO) një ditë pas mbledhjes që gjyqtarët e prokurorët e vendit mbajtën pas vrasjes me armë zjarri brenda sallës së gjyqit të Astrit Kalasë.
Zereci ka biseduar me kreun e GJKKO, Erjon Bani, i cili një ditë më parë kishte bërë thirrje për inspektime në të gjitha ambientet e gjykatave.
Bani deklaroi dje në mbledhjen e gjyqtarëve se duhen evidentuar të gjitha problematikat duke pyetur edhe gjyqtarët apo stafin e gjykatave për të gjitha shqetësimet që hasin gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja pas vendimit të tij për një pronë, ka shkaktuar pasiguri të madhe tek magjistratët, të cilët shprehen se ndihen të pambrojtur në sallat e gjyqeve duke qenë se as policia nuk është e pranishme.
Një ditë më parë, gjykata la në burg autorin e krimit, Elvis Shkambi, 30-vjeç, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, si dhe rojen e sigurisë së Gjykatës së Apelit, 63-vjeçarin Banush Koxha, i cili dyshohet për “shpërdorim detyre”, pasi nuk veproi në momentin që skaneri kishte sinjalizuar për pistoletën e vrasësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



