Motosport

Siguria e shenjtë/ Formula 1 ndalon festën te muret pas garave, por ka polemika

Gazeta Si – Ndalohet festa e fitores te muret e pistës në F.1 nga pjesëtarët e skuderive të ndryshme. Ka ngritur shumë diskutime normativa e re që hyn në fuqi këtë fundjavë, në Australi. Kjo normativë parashikon ndalimin e pjesëtarëve të të gjitha skuadrave të vëren mbi mure për të festuar mbërritjen në finish të pilotëve të vet.

Kjo normë e kërkuar nga siguria ka hapur një debat mes të interesuarve direkt dhe më kritik ka qenë Kristian Horner, drejtuesi kryesor i Red Bull-it.

Nje feste kolektive te Red Bull. gazeta Si, 31 mars 2023

Për çfarë bëhet fjalë? Rregullat e reja janë vendosur nga drejtori i F.1, Niels Uitish, dhe në to thuhet se “është e ndaluar të qëndrosh te pjesa e murit të bokseve në çdo moment”. Personelit të skuadrave i lejohet të dalë vetëm në korsinë e bokseve para ose pas punës që ka me makinën (situata e pit stop-it). Dhe duhet të hyjë në bokse sapo të ketë mbaruar punë.

Çdo shkelje e kësaj norme sinjalizohet te komisarët. Pra, dalja kolektive për të festuar fitoren e mundshme nuk mund të lejohet për arsye sigurie. Natyrisht, nuk mungojnë polemikat. Horner është skeptik, edhe pse e vlerëson se kjo masë ka të bëjë me sigurinë, që është e shenjtë.

“Më surprizon fakti që kjo situatë është një problem, – ka thënë shefi i Red Bull-it, – por mendoj se gjithçka ka të bëjë me sigurinë, duhet marrë shumë seriozisht. Flasim për një moment ikonik, mbërritjen e makinës dhe skuadra feston e gjitha. Por e gjitha kjo duhet bërë në mënyrë të sigurt. Personalisht, nuk kam parë kurrë probleme te kjo pjesë, është pjesë e garës”.

Edhe shefi i MekLaren, Zak Braun, nuk është i sigurt se kjo masë është një zgjidhje: “Nuk e kuptoj mirë arsyen e nevojës për të bërë këtë modifikim. Nuk kanë ndodhur incidente. Sguria është thelbësore, ka rëndësi për të gjithë. Nëse bëhet fjalë për një situatë të pasigurt dhe këto janë rregullat, do t’u përshtatemi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë