Sifilizi është quajtur me shumë emra që nga regjistrimi i tij i parë në vitet 1490, por vetëm një epitet i ka mbetur ende i pandryshuar: Imituesi i madh!
Sifilizi është një mjeshtër në imitimin e infeksioneve të tjera dhe simptomat e hershme janë aq të lehta sa është e vështirë të dallohen. Nëse nuk trajtohet, pasojat mund të jenë serioze.
Në prill, SHBA publikoi të dhënat më të fundit për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Rastet e sifilizit panë rritjen më të madhe, me rastet që u rritën me 32% midis 2020 dhe 2021 për të arritur numrin më të lartë të rasteve të raportuara në 70 vjet. Dhe shifrat vijnë gjithmonë e në rritje, paralajmëron Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). CDC ka vënë në dukje disa tendenca të reja alarmante që nxisin këtë rritje të papritur të sëmundjes.
Sifilizi kongjenital, kur një nënë ia kalon infeksionin fëmijës gjatë shtatzënisë, është shtuar ndjeshëm, me rastet që janë rritur në SHBA me 32% midis 2020-2021. Sëmundja mund të shkaktojë vdekje të foshnjave dhe probleme shëndetësore gjatë gjithë jetës.
Kjo ka tronditur shumë ekspertë të shëndetit.
“15 apo 20 vjet më parë menduam se ishim në prag të eliminimit të sifilizit”, thotë Leandro Mena, drejtor në CDC për parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
“Tani po shofim rritje të rasteve të sifilizit, norma që nuk i kemi parë në 20 vitet e fundit apo më shumë”.
Dhe kjo nuk është diçka që ndodh vetëm në SHBA. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2020 janë regjistruar 7.1 milionë raste të reja të sifilizit në mbarë botën. Në vitin 2022, në Mbretërinë e Bashkuar rastet e sifilizit arritën nivelin më të lartë që nga viti 1948.
Rritja e rasteve të sifilizit tashmë është bërë normale edhe për mjekët.
“Kur fillova për herë të parë të punoj infermiere, në 2005, ishte shumë e rrallë të shihja një pacient me sifiliz. Tani në shumicën e klinikave ka 2 ose 3 pacientë në ditë që diagnostikohen me sifiliz”, thotë Jodie Crossman, infermiere dhe kryetare e Fondacionit STI.
Isaac Bogoch, studiues në Universitetin e Torontos, thotë se në shumë vende të botës do të ketë një trend rritje të rasteve.
“Është shumë shqetësuese sepse në përgjithësi, sifilizi është shumë i lehtë për t’u trajtuar dhe trajtimi është gjerësisht i disponueshëm”.
Një studim i vitit 2020 në Australi pa shifrat të rriten me gati 90% nga normat e regjistruara në vitin 2015.
Ndërsa kriza e kostos së jetesës dhe pandemia kanë ndikuar në burimet e kujdesit shëndetësor publik, ka pasur gjithashtu ndryshime në sjelljen dhe qëndrimet njerëzore ndaj SST-ve.
“Falë përparimeve në parandalimin dhe trajtimin e infeksionit HIV, HIV nuk shihet më si një sëmundje e vështirë. Rreziku i infektimit me HIV nuk është më një nxitje për njerëzit që të përdorin prezervativë ose të detyrojnë qeveritë të miratojnë strategji të tjera parandaluese kundër SST-ve”, thotë Bogoch.
Një ndryshim në jetesë është një fushë që studiuesit në Japoni e kanë studiuar duke parë lidhjen midis aplikacioneve të takimeve dhe rasteve të sifilizit. Ata arritën në përfundimin se përdorimi i aplikacionit të takimeve ishte “i lidhur ndjeshëm me incidencën e sifilizit”, duke e lidhur përdorimin e aplikacioneve me një incidencë më të lartë të seksit të pambrojtur rastësor.
Por shkencëtarët nuk kanë arritur deri më tani në një teori të vetme se pse sifilizi po rritet më shpejt se SST-të e tjera.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.