Nga Flora Tsapovsky- Nga të kaluarit kohë me veten deri te përfitimet e të qenit beqar, të jetuarit “solo” po përjetohet gjithnjë e më shumë si një mënyrë jetese e plotë, një filozofi që po promovohet me forcë nga një brez i ri librash, filmash dhe zërash kulturorë.
Në filmin më të fundit të Wim Wenders, “Perfect Days”, protagonisti, një pastrues tualetesh në Tokio, kalon pjesën më të madhe të ditës në vetmi. Duke ujitur bimët, duke dëgjuar muzikë, lexuar dhe reflektuar. Edhe pse më vonë paraqiten edhe personazhe të tjerë, shumë shikuesve u mbeten më fort në mendje momentet e para, të heshtura e të qeta të filmit.
BBC-ja e cilësoi si një “meditim mbi qetësinë e një ekzistence të zhveshur nga të tepërtat”. Dhe jo pa arsye. Përfytyrimi pozitiv i vetmisë po fiton gjithnjë e më shumë vend në ekranet tona, në raftet e librarive dhe në telefonat tanë, nga podcast-et te videot virale në TikTok. Duket se nuk ka pasur kurrë një kohë më të mirë për të qenë vetëm.
Vetmia si zgjedhje
Gjatë viteve të fundit janë botuar disa libra mbi këtë temë, me të tjerë që pritet të dalin së shpejti. “Solitude: The Science and Power of Being Alone” (Vetmia: shkenca dhe forca e të qenit vetëm) dhe “Solo: Building a Remarkable Life of Your Own” (Solo: Si të ndërtosh një jetë të jashtëzakonshme për veten) u publikuan në vitin 2024. Ndërkohë, në shkurt doli edhe libri “Single: Living a Complete Life on Your Own Terms” (Beqare: Të jetosh një jetë të plotë sipas kushteve të tua) nga Nicola Slawson.
Në maj, Emma Gannon publikoi romanin e shumëpritur “Table For One”, një histori dashurie që në qendër ka një grua të re që mëson ta dojë vetminë dhe përjetimin e saj jashtë një marrëdhënieje romantike.

Një ndryshim në qasje
Këto botime përpiqen të çlirojnë vetminë nga stigma dhe ta paraqesin atë si një përvojë të vlefshme dhe frymëzuese. E gjitha kjo mund të duket befasuese në një periudhë kur, pas pandemisë, termi “epidemia e vetmisë” u bë i zakonshëm në diskursin publik, një shqetësim që u artikulua fuqishëm në vitin 2023 nga kirurgu i përgjithshëm i SHBA, Vivek Murthy.
“Pas pandemisë, u përqendruam shumë te vetmia, dhe me arsye të forta,” shpjegon Robert Coplan, profesor psikologjie në Universitetin Carleton në Ottawa dhe autor i librit “The Joy of Solitude”. Por sipas tij, në këtë vrull alarmi, vetmia si zgjedhje u ngatërrua me izolimin e padëshiruar.
“E hodhëm edhe fëmijën bashkë me ujin e larjes”, thotë ai me ironi.
Ndërkohë dallimi mes vetmisë dhe vetmisë së dhimbshme është thelbësor, thotë Coplan dhe këtë pikë e nënvizojnë shumë nga autorët e rinj. Gazetarja Heather Hansen, e cila është bashkautorë e “Solitude” me Netta Winstein dhe Thuy-vy T Nguyen, thekson se vetmia është një gjendje subjektive, ndërsa të qenët vetëm për arsye të vetëzgjedhura është krejt tjetër gjë. Ajo vëren se gjithnjë e më shumë njerëz janë duke e përjetuar vetminë si zgjedhje me përfitime konkrete , larg narrativës së frikës.
Pandemia na dha mësime kontradiktore , nga njëra anë izolimi ekstrem, nga ana tjetër, mbingarkesa nga bashkëjetesa e detyruar.
“Kjo e bëri të mundur që tani të kemi biseda më të larmishme rreth ndryshimit mes izolimit dhe vetmisë së gëzueshme”, thotë Emma Gannon, një përkrahëse e madhe e konceptit të “jetesës së ngadaltë”.
Rivlerësimi i beqarisë
Ky ndryshim përkon me mënyrën se si brezat e rinj , Gen Z dhe milenialët po rivlerësojnë marrëdhëniet romantike dhe gjithnjë e më shumë po përqafojnë jetën si individë të pavarur. Romani i ri i Gannon mund të jetë i trilluar, por pasqyron ndjenjat e shumë lexuesve që po sfidojnë pritshmëritë tradicionale të “stabilizimit”. Një sondazh i vitit 2023 në SHBA tregoi se 40% e të rinjve besojnë se martesa është një traditë e tejkaluar. Në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm pak më shumë se gjysma e burrave dhe grave të brezit Gen Z pritet të martohen.

Një video në TikTok, që u bë virale në prill me mbi një milion pëlqime, përshkruante përshtypjet e një burri për gratë që jetojnë vetëm dhe preferojnë ta ruajnë këtë mënyrë jetese.
Komentet nga gratë ishin entuziaste dhe plot përkrahje. Nicola Slawson, e cila mbështeti librin e saj mbi newsletter-in “The Single Supplement”, vëren se numri i njerëzve që jetojnë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Kjo po çon drejt një kulture që promovon më shumë liri personale, pavarësi dhe një refuzim të rolit të mëparshëm të gruas në shtëpi.
Vetmia në art
E megjithatë, të qenët vetëm ka qenë gjithmonë një temë magjepsëse kulturore. Piktorët romantikë gjermanë, si Caspar David Friedrich, janë të njohur për përshkrimet e figurave njerëzore në përballje me natyrën e pafund. Një nga veprat më emblematike është “Udhëtari mbi detin e mjegullës” (rreth vitit 1817), një ikonë e vetmisë ekzistenciale. Artistët si Edward Hopper po ashtu e kanë paraqitur vetminë urbane me një ndjeshmëri që është më shumë krenare dhe e pavarur, sesa melankolike.
Sipas Daniel Schreiber, ideja se njerëzit që jetojnë vetëm janë të vetmuar është mbivlerësuar. Shoqëria po kupton më mirë se dashuria romantike nuk është modeli i vetëm i jetesës, as objektiv i domosdoshëm. “Ka mënyra të tjera për të jetuar, dhe nuk është më e nevojshme të jesh në një lidhje tradicionale”, thotë ai.

Peter McGraw, autor i “Solo: Building a Remarkable Life of Your Own” dhe profesor në Universitetin e Kolorados, shkon edhe më tej: “Ka shumë mitologji rreth jetës si beqar, dhe shumë pak kuptim të arsyes pse u shpik martesa që në thelb ishte një marrëveshje ekonomike.”
Ai i sfidon narrativat e filmave romantikë, këngëve të dashurisë dhe romaneve të Jane Austen-it: “Nëse i shohim të dhënat në periudha të gjata, martesa sjell një kulm të përkohshëm lumturie që më pas bie.”
Si ta kultivosh vetminë?
Nëse të qenët vetëm po bëhet normë e pranuar, si mund ta shfrytëzojmë sa më mirë? Sipas ekspertëve, çelësi është të zgjedhësh vetminë, jo ta përjetosh si ndëshkim. “Indikatori më i madh i suksesit në vetmi është nëse e ke zgjedhur atë sepse beson se aty ka diçka kuptimplote,” thotë Heather Hansen. Vetmia, sipas saj, është si një masë argjile neutrale që mund ta formësojmë si të duam.
Peter McGraw sugjeron që të mos e kalojmë këtë kohë thjesht duke qëndruar shtrirë në shtrat dhe porositur ushqim, por ta përdorim për aktivitete krijuese: ecje, vizita në muze, dëgjim muzike klasike, ose ndjekje kursesh online.
Emma Gannon e sheh vetminë si një mundësi për t’u rilidhur me vetveten përmes ditarit, ndjesive trupore, ose thjesht duke reflektuar. “Çfarë ndien kur je vetëm? Shijoje batanijen e butë, tingujt e muzikës, shijen e ushqimit. Vëzhgo gjithçka që mund të prekësh, nuhatësh apo dëgjosh kur je në qetësinë tënde.”
Cynthia Zak, autore e “The Joy of Sleeping Alone”, këshillon që momentet e vetmisë t’i kthejmë në rituale të përsëritshme, që na ndihmojnë të çlirohemi nga frikërat kufizuese.
E më e rëndësishmja? Balanca. “Njerëzit kanë nevojë për ndërveprim social por po aq kanë nevojë për vetmi,” thotë Robert Coplan. “Çelësi është të gjesh ekuilibrin që funksionon për ty.”
Burimi: BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.