Para

Si u vodhën paratë e IPARD në Shqipëri/ OLAF rihap çështjen dhe çon kallëzim në Prokurori: Skema e AZHBR, bashkëpunonte me konsulentë!

Nga Gazeta Si - OLAF, struktura anti-korrupsion pranë Bashkimit Europian ka rihapur sërish çështjen e fondeve të IPARD-it në Shqipëri dhe njoftuar se ka bërë një kallëzim penal për AZHBR-në dhe të përfshirët e tjerë në skemë.

Në raportin e sapopublikuar, OLAF thotë se aktivitetin kriminal që zbuluar gjatë hetimit të shpërndarjes së fondeve europiane në Shqipëri, ia ka referuar autoriteteve gjyqësore vendase.

Një vit pas njoftimit se BE ka ngrirë fondet për bujqësinë shqiptare, OLAF ka dhënë arsyet dhe detajet.

OLAF, i quan serioze shkeljet që ka identifikuar në menaxhimin e fondeve të IPARD në Shqipëri, që kishin si qëllim modernizimin e bujqësisë shqiptare.

Aplikantëve shkruan OLAF, i kërkohej që të paguanin një pjesë shumë të madhe të grantit që fitonin, tek një nga kompanitë e përzgjedhura të konsulencës, që më pas do të lehtësonte proceset me AZHBR-n, që menaxhonte fondet e IPARD. Konkursi për fituesit ishte i korruptuar ose tërësisht fals, kishte çmime të fryra dhe shkelje të rregullave.

Pas këtyre gjetjeve OLAF thotë se i rekomandoi BE-së, që të ngrijë financimin e dytë të IPARD II 33 milionë euro dhe financimin e IPARD III 112 mln euro.

Lajmi bëri bujë një vit më parë në Shqipëri dhe i kushtoi Frida Krifcës postin e ministres së Bujqësisë, ku kishte kaluar pas “suksesit” si drejtuese e AZHBR-së.

Atëherë Krifca mohoi pezullimin e programit dhe nisjen e hetimeve, por tha se janë vonesa që BE i bën si “masa preventive kundër korrupsionit”.

Hetimi i OLAF në Shqipëri ka nisur që në vitin 2021 dhe atëherë u përfol se në godinën e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së pati një operacion ku u sekuestruan disa kompjutera, dokumente dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë