Trashëgimi

Si u prodhua parfumi për Esad Pashë Toptanin…

Nga Sokol Çunga– Ç’erë mbajnë pashallarët? Sepse, matanë aromave standarde, që gjenden kudo në treg, njerëz me shije të përveçme dhe të rafinuara zgjedhin, siç na tregon përvoja, të porosisin parfumet e tyre, ose t’i shpikin vetë ato. Këtë na dëften dhe rasti i të mirënjohurit Esad Pashë Toptani.

Më nëntor 1919, Fernand Nonza, ushtarak dhe, më pas, prodhues parfumesh, njoftoi prodhimin e një parfumi të ri: Parfumi Esad Pashë Toptani.

Në tekstin që shoqëron parfumin, Nonza shkruan se Karl Topia, paraardhës i Esad Pashës, kur dilte për luftë kundër turqve bashkë me Skënderbeun, gjithmonë merrte me vete aromën e luleve të viseve amë, në një formë parfumi të prodhuar prej grave të fisit të tij, të cilat ruanin dhe formulën e fshehtë të parfumit.

Këtë formulë Esad Pashë Toptani ia dhuroi Nonzës në Selanik më 1 janar 1919, pasi ushtria franceze, në të cilën luftonin të dy bashkë, doli fitimtare ndaj osmanëve. Kështu, Nonza prodhoi parfumin. E ndonëse i pari i fisnik që kishte përdorur këtë parfum ishte Karl Topia, parfumi mori emrin e të dytit: Esad Pashë Toptani.

Kështu, zuri të qarkullonte zyrtarisht parfumi, bashkë me tekstin certifikues. Esad Pasha, me titullin “Kryeministër i Shqipërisë”, këtë parfum historik, e fshehtë familjare e familjes Topia-Toptani, e lë në dorë të Fernand Nonzës. Kurse Nonza, nga ana e vet, pasi falënderon pashain, shkruan dhe një poezi në rimë dhe metër për këtë parfum, ku, ndër të tjera, thotë:

Pesëqind vjet i moçëm është ky parfum legjendar,

dhe një lule e panjohur e solli gjer këtu,

për ju e vodha tinëz, fshehur në një relikuiar,

merreni në duart e hijshme, Mesdames: është për ju!

A thua është vërtet aq e vjetër formula e parfumit? A është e vërtetë lidhja gjenealogjike mes Karl Topisë dhe familjes Toptani? A ka ekzistuar ndonjëherë shkruar në letër kjo formulë parfumi? A e ka nuhatur kush parfumin, veç Esad Pashës dhe Nonzës, dhe a e ka përdorur kush tjetër? Vallë, kur Avni Rustemi vrau Esad Pashën, këtë aromë mbante pashai? Nuk u japim dot përgjigje këtyre pyetjeve. Por nëse ndokush ka parë ndonjëherë flakonin në të cilin ndodhej parfumi, apo nëse ka zbuluar formulën, le të na thotë.

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë