Zhvendosja e “Sunny Hill Festival” në Tiranë është kthyer ditët e fundit në kryefjalë të debatit në Kosovë e Shqipëri, duke shkaktuar reagime dhe hipoteza të ndryshme.
Vendimi për organizimin e festivalit në Tiranë u mor më 14 qershor, më pak se dy muaj para kohës kur ishte planifikuar të mbahet festivali, nga 4-7 gusht.
Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali dhe babai i yllit botëror, Dua Lipa tha se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
“Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë, e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”, është shprehur Lipa.
Por si qëndron e vërteta?
E gjitha ka ndodhur prej pamundësisë për të marrë në shfrytëzim një tokë prej 17 hektarësh në komunën e Prishtinës, një parcelë në Bërnicë të Poshtme për 99 vjet.
Sipas Radio Evropa e Lirë, vetë procedura për dhënien në shfrytëzim të tokës për kompaninë Sunny Hill (Sh.P.K.), që e organizon festivalin, u shoqërua me kundërshtime politike nga niveli komunal e deri tek ai qendror. Por nuk munguan kundërshtimet edhe nga shoqëria civile dhe aktivistët.
Marrëveshja e kundërshtuar mes Komunës së Prishtinës dhe Sunny Hill
Sipas Radio Evropa e Lirë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe një përfaqësues i kompanisë Sunny Hill, nisën negociatat për dhënien në shfrytëzim të një toke të Prishtinës për këtë festival në mars të vitit 2022.
Pas takimeve negociuese që u mbajtën më 21 mars, 6 prill e 4 maj, kryetari Rama dhe Sunny Hill arritën një marrëveshje që iu prezantua Kuvendit Komunal të Prishtinës. Marrëveshja u votua më 10 maj.
Sipas kësaj marrëveshjeje, kompanisë Sunny Hill do t’i jepej në shfrytëzim një parcelë në fshatin Bërnicë e Poshtme, në një hapësirë prej 17 hektarësh.
Kjo tokë do jepej në shfrytëzim për 99 vjet. Kjo marrëveshje hasi në kundërshtime brenda opozitës komunale, pikërisht për kohëzgjatjen e madhe, 99 vjet.
Kundërshtia e dytë lidhej me kushtet e kontratës që ndalojnë mbajtjen e ndonjë festivali të karakterit të ngjashëm “që i bën konkurrencë festivalit Sunny Hill” në këtë hapësirë.
Marrëveshja lejonte vetëm evente të muzikës klasike dhe xhaz të organizuara nga Komuna e Prishtinës, Filarmonisë së Kosovës, apo vendi të jetë nikoqir i orkestrave filarmonike nga mbarë bota.
Ndër të tjera, sipas marrëveshjes, vetëm 30 për qind e fitimeve nga organizimet e komunës do t’i takonin Komunës së Prishtinës, por nuk sqarohet se kujt i takon 70 për qind e fitimeve të tjera.
Pas vendimit për t’u zhvendosur në Tiranë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e kritikoi Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) se gjatë procesit për vendimin e ligjshmërisë “ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.
Kohëzgjatja e shfrytëzimit të tokës ka qenë opsionale
Megjithëse kundërshtimet kryesore ndaj marrëveshjes së Komunës së Prishtinës me Sunny Hill kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim të tokës, përfaqësuesit e këtij festivali thonë se kjo për ta ka qenë opsionale.
Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kohëzgjatja prej 99 vjetësh e dhënies së tokës nuk do të duhej të ishte problematike sepse do të shqyrtohej periodikisht.
“Numri 99 teknikisht është abstrakt për arsye se dy herë në vit duhet të raportojmë për çdo pronë. Në kontratë e kemi që çdo tre vjet rishikohet (kontrata). Në 25 vjet prapë rishikohet dhe mund t’i kthehet komunës”, është shprehur Rama.
Ai ndër të tjera do të sqaronte se kontrata parasheh që nëse tre vjet me radhë festivali nuk mbahet, hapësira do t’i kthehet Komunës së Prishtinës.
Një nga hipotezat e krijuara ka qenë edhe fakti nëse familja Lipa u joshën nga kryeministri Rama dhe Erion Veliaj dhe kjo gjë u piketua që të ndodhte që një vit më parë kur ishin me pushime në Shqipëri?
Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga një prej përfaqësuesve të Festivalit, Alban Kastrati.
Në një intervistë për mediat, Kastrati e ka mohuar një gjë të tillë, duke e thënë se e gjitha erdhi natyrshëm.
Sipas tij, diskutimet kanë ndodhur ditëve të fundit dhe ky problem do zgjidhej edhe në Prishtinë po mos të ishte për vonesat proceduriale dhe faktin që jo çdo hapësirë është e pranueshme për Festivalin.
Festivali Sunny Hill është mbajtur për herë të parë në Prishtinë në vitin 2018 dhe sërish në vitin 2019.
Prishtina kishte mirëpritur emra të mëdhenj të muzikës botërore, si Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të tjerë.
Edicioni i vitit 2020 ishte anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.