Të paktën dy vjet punë intensive, një armatë e gjerë gjuhëtarësh nga të gjitha vatrat universitare shqipfolëse, rreth 70 mijë fjalë të reja dhe një ‘pjesëmarrje’ e madhe e dialekteve të shqipes… Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, i prezantuar pak kohë më parë, përmbledh kështu të gjitha risitë e gjuhës shqipe, por edhe përkushtimin e njerëzve që e hartuan atë. Në një intervistë për Gazetën “Si”, Teuta Tosku, gjuhëtare dhe pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, shpjegon se pasurimi i fjalorit nuk është bërë vetëm me fjalë, por edhe me kuptime. Pra, nëse një fjalë që i takon shqipes standarde përdoret me një kuptim të veçantë në një zonë të caktuar, ajo është pasqyruar në fjalor, duke e shtuar kështu përshkrimin e strukturës kuptimore të fjalës.
Fjalori është një projekt i Akademisë së Shkencave, me përfshirjen e kontributeve shkencore të universiteteve dhe instituteve shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Itali (Katedra e Albanologjisë në Palermo dhe Kalabri) etj. Projekti - sipas zonjës Toska - ka nisur në vitin 2022, pra procesi i hartimit të fjalësit (listës së fjalëve që do të përzgjidhen për fjalorin) është përmbyllur në 2022 dhe më tej nisi puna për hartimin e tij, që do të thotë e përshkrimit të fjalëve të përzgjedhura.
Baza e fjalorit nga pikëpamja shkencore (pra, nga tipologjia e përshkrimit dhe e parashtrimit të lëndës leksikore) ishte fjalori i vitit 1980, i cili është fjalori më i gjerë i gjuhës shqipe nga pikëpamja leksikografike (e përshkrimit të strukturës semantike të fjalës). Kurse baza për pasurimin e tij ishin jo vetëm fjalorët e botuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ose më vonë Qendra e Studimeve Albanologjike), i vitit 2006 dhe 2020, por edhe thuajse të gjithë fjalorët e botuar deri në këtë vit, të autorëve dhe të grupautorëve, të cilat kanë përshkruar sisteme të veçanta leksikore, nëndialekte, të folme krahinore, gjuhë sektoriale, pra leksik nga fusha të ndryshme të përdorimit.
Ajo sqaron dhe kontributin e secilit në hartimin e fjalorit. "Për shembull, unë kam hartuar fjalët që përfshihen në shkronjën Ç, DH dhe E. Redaksia e hartimit përbëhet nga leksikografë të njohur të cilët kanë mbikëqyrur dhe drejtuar punën e hartuesve, të cilët, në një pjesë të konsiderueshme nuk kishin përvojë në hartimin e fjalorëve, por janë udhëzuar, trajnuar, korrigjuar, kritikuar etj. nga redaktorët përkatës", thotë ajo. Sipas Toskës, fjalori nuk mund të hartohej pa një grup teknik që është marrë me digjitalizimin e kartotekës, ngritjen e kartotekës digjitale apo korpusit elektronik të nevojshëm për hartimin e një fjalori, dhe mbi të gjitha, përgatitjes së fjalorit për versionin online, i cili do të bëhet i paraqitshëm shpejt për publikun e interesuar.
Toska shprehet se krahasuar me fjalorin e vitit 1980, mund të thuhet se fjalësi i tij në fjalorin e madh është trefishuar, pra, mendohet se janë shtuar rreth 70 mijë fjalë të reja.
"Kjo është shenjë e vitalitetit të shqipes, që pasqyron zhvillimet e mëdha të shoqërisë shqiptare, veçanërisht pas viteve '90, dhe sigurisht edhe si pasojë e zhvillimeve globale që po ndodhin në jetën kulturore, shoqërore, shkencore, teknologjike etj. Të mos harrojmë, gjithashtu, që fjalori përveç fjalëve, ka edhe frazeologji. Edhe frazeologjia e shqipes (që shoqëron përshkrimin kuptimor të një fjale) është zgjeruar. Është rishikuar, përditësuar dhe pasuruar, falës punës së kryeredaktorit të këtij fjalori, akademik Jani Thomai, i cili është edhe hartuesi i korpusit frazeologjik të këtij fjalori", thotë ajo.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është pasuruar me çdo fjalë që i takon shqipes dhe që është bërë pjesë e strukturës së saj leksikore edhe është shtrirë në përdorim të gjerë, duke u përshtatur me mjetet gramatikore të shqipes. Hartuesit kanë pasur në shqyrtim dhe kanë përdorur për krijimin e fjalësit edhe fjalorë dialektore, të gegnishtes dhe të toskërishtes, po e po, por edhe të arbërishtes. Sa herë që hartuesi është përballur me një fjalë të re, të bukur, që shënon një koncept të ri, ose paraqitet si një sinonim që pasqyron një nuancë tjetër (të re) kuptimore, atëherë fjala i është shtuar fjalësit të fjalorit të madh, pavarësisht dialektit. Qëllimi i redaksisë dhe i kryeredaktorit të fjalorit - sipas zonjës Toska - ka qenë pasurimi i fjalorit dhe pasqyrimi i gjendjes së sistemit leksikor të shqipes.
"Por duhet thënë se pasurimi nuk është bërë vetëm me fjalë, por edhe me kuptime. Pra, nëse një fjalë që i takon shqipes standarde përdoret me një kuptim të veçantë në një zonë të caktuar, ajo është pasqyruar në fjalor, duke e shtuar kështu përshkrimin e strukturës kuptimore të fjalës. Shkurt, dialektet janë vetë shqipja dhe ky fjalor është i shqipes. Sigurisht, fjalori ka natyrë edhe normative. Pra, një përdorues i shqipes do të dijë se si fjala duhet shkruar, lakuar, zgjedhuar etj. Kështu që, fjala dialektore është shkruar duke iu përshtatur normës së shqipes standarde, sepse, në fund të fundit, gjuha është një sistem, dhe futja e një elementi të ri leksikor bëhet duke iu përshtatur natyrës sistemore të leksikut, ligjësive të gramatikës dhe fonologjisë së shqipes", thotë Toska.
Por për ta bërë më konkrete përmbajtjen e fjalorit gjuhëtarja na prezanton rastin e përfshirjes së një fjale të re në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe.
“Po ju jap një shembull që do t’ju pëlqejë. Shqipja ka krijuar fjalë për hedhjen e hapave të fëmijës. Ajo nuk është ende ecje, apo jo? Por është hedhje e hapave të parë, shkëputja e tij, siç thotë populli. Po e kopjoj shembullin këtu siç e kam përshkruar në fjalor dhe familjen e kësaj fjale:
ECÁT vep., ~A, ~UR kal. E ndihmoj fëmijën e vogël të mësojë të ecë. Ecate pak djalin.
►ECÁT/ET jovep., ~A (u), ~UR vetv. Mëson të ecë, të hedhë hapat e parë. Po ecatet nga pak. Ka nisur duke u ecatur djali i vogël. Fëmija fillon të ecatet që gjashtë muajsh.
ECÁTJ/E, ~A f. Veprimi kur ecat një fëmijë ose ecatet. Mbajtëse për ecatje. Karroca që ndihmon për ecatjen e fëmijës.
ÉCAZ ndajf. Duke ecur. Po shkon fëmija ecaz. Ecaz kemi ardhur.
Folja "ec", një nga foljet më të vjetra të shqipes, ka krijuar edhe fjalë të tjera interesante, duke e zgjeruar shumë çerdhen e kësaj fjale, ecejake, ecëse etj. Sjell ndërmend jo vetëm fjalë por dhe kuptime të reja që kanë hyrë në shqipe, si fjalëkalim, anëkalim, erandje, malbrez (për horizont), çaktivizoj (kur bllokohet një program kompjuterik ose aplikacion), dhjetorist (pjesëmarrës në lëvizjen studentore të dhjetorit 1990). Të gjithë e kanë parë një krimb që ecën si duke matur sipërfaqen ku rrëshqet, e ky quhet "dhematës" dhe është një fjalë e re që ka hyrë në fjalor etj”, përfundon gjuhëtarja Toska.
Grupi i punës së Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe:
Redaksia: Akad. prof. dr. Jani THOMAI (kryeredaktor), akad. prof. dr. Valter MEMISHA (zëvendëskryeredaktor e sekretar shkencor), prof. dr. Shezai RROKAJ (zëvendëskryeredaktor), prof. dr. Dhimitër (Miço) SAMARA, dr. Shefkije ISLAMAJ, akad. prof. dr. Gjovalin SHKURTAJ, prof. dr. Ali JASHARI, prof. dr. Anila OMARI, prof. as. Anila KANANAJ (redaktorë) Hartues: Akad. prof. dr. Jani THOMAI, akad. prof. dr. Valter MEMISHA, prof. dr. Shezai RROKAJ, prof. dr. Dhimitër (Miço) SAMARA, prof. dr. Shefkije ISLAMAJ, akad. prof. dr. Gjovalin SHKURTAJ, prof. dr. Ali JASHARI, prof. dr. Anila OMARI, prof. as. Anila KANANAJ, prof. as. Olger BRAME, prof. dr. Artur LAME, prof. as. Idriz METANI, prof. as. Juliana KUME, prof. dr. Qemal MURATI, prof. as. Naim BERISHA, prof. dr. Mimoza PRIKU, prof. as. Rezarta DRAÇINI, ma. Petrit ZENELI, dr. Viktor BAKILLARI, prof. as. Abdurrahim MAXHUNI, dr. Sejdi GASHI, prof. as. Teuta TOSKA, dr. Manjola ZAÇELLARI, dr. Engjëllushe KARAJ, prof. as. Rozana RUSHITI, dr. Behar HOXHA, dr. Resul TELHAJ Për leksikun arbëresh: Akad. prof. dr. Francesco ALTIMARI (kryeredaktor), akad. prof. dr. Matteo MANDALÁ, prof. as. Gëzim GURGA Koordinatore: Prof. as. Anila KANANAJ Grupi tekniko-shkencor: Prof. as. Anila KANANAJ, dr. Brikena LIKO, dr. Engjëllushe KARAJ, ma. Erjena LAMAJ |
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.