Ana e errët

Si u grabit vila e biznesmenit italian nga tre shqiptarë, thyen kasafortën dhe i marrin 300.000 euro

Një grup banditësh me origjinë shqiptare u arrestuan nga policia italiane. Sipas hetimeve, nën kërcënimin e armëve, ata u futën në orën 2 të natës në shtëpinë e Eugenio Galiziolli-t në Trento. Sipërmarrësi refuzon t’iu tregojë kodin e hapjes së kasafortës, por ata e thyejnë, duke përdorur një gur fresibël

Gazeta Si – Tre shqiptarë dhe një tjetër u shpall në kërkim, pasi akuzohen se kanë grabitur 300.000 euro në vilën e një biznesmeni italian, Eugenio Galiziolli.

Pas tre javësh hetimesh intensive dhe të hollësishme, mediat italiane zbulojnë se Gallizioli u mbajt peng në shtëpinë e tij nën kërcënimin e armëve në Via Nedda Falzolgher gjatë natës midis 7 dhe 8 tetorit.

Të shtunën në mëngjes, karabinierët e provincës së Trentos, gjurmuan dhe kapën tre të dyshuarit me origjinë shqiptare.

Njëri u arrestua në një hotel në liqenin Garda, një tjetër u arrestua në shtëpinë e partneres së tij në provincën e Milanos. Ndërsa i treti, një banor i Trentos, u kap brenda shtëpisë së tij në qytet.

Përveç kësaj, karabinierët po kërkojnë një bashkëpunëtor të katërt, i cili aktualisht është në arrati. Të katërt akuzohen për grabitje me dhunë.

Zyra e Prokurorit po pretendon një sërë rrethanash rënduese, duke përfshirë atë të paaftësisë së viktimës për të reaguar, gjë që mund të rrisë dënimin ndaj shqiptarëve.

Ata përballen me gjashtë, deri në njëzet vjet burg. Faktorët rëndues përfshinin gjithashtu faktin se ata vepruan të armatosur dhe me fytyrat e mbuluara.

Hetimet

Hetimi u ndihmua nga pamjet filmike nga disa kamera mbikëqyrjeje të vendosura përgjatë rrugës së arratisjes që morën grabitësit në mëngjesin e 8 tetorit.

Konkretisht, një kamerë e pozicionuar pranë Fakultetit të Inxhinierisë në Mesiano (ku u gjet makina e kompanisë së Galliziolit, e përdorur nga banditët për t’u arratisur pas grabitjes), i lejoi policisë të rindërtojë lëvizjet e tyre.

Ata gjithashtu identifikuan targën e një automjeti të dytë, me të cilin ishin zhvendosur në një apartament në Via Fratelli Fontana në Trento.

Shqiptarët, e përdorën këtë apartament si vendstrehim përpara se të niseshin të nesërmen, më 9 tetor, për në Milano.

Biznesmeni refuzoi t’i tregojë kodin

Në mbrëmjen e 7 tetorit, Eugenio Gallizioli – 72 vjeç dhe pronar i kompanisë “Manifatture Lombarde” në Trento – ishte kthyer në vilën e tij në Via Falzolgher pas disa javësh pushimesh jashtë vendit.

Pasi shkarkoi gjërat (maksimumi gjysmë ore), vendosi të bënte disa punë të tjera në zonë, pastaj të shkonte në Aldeno për darkë me një mik.

Sapo mbërriti në shtëpi, pas orës 1:00 të mëngjesit, kishte paketuar çantat e fundit para se të flinte. Dhe kurrë nuk e kishte imagjinuar se do të ishte nata më e tmerrshme e gjithë jetës së tij.

Ishte ora rreth dy e mëngjesit, në fakt, kur Gallizioli u zgjua nga të paktën katër kriminelë (të cilët kishin hyrë me forcë në shtëpinë e tij, me sa duket përmes një dritareje, duke përfituar nga mungesa e tij).

Ata e kishin rrethuar, ndërsa ai ishte shtrirë në shtrat, duke i mbajtur një armë në kokë dhe një thikë në fyt.

E gjithë kjo, ndërsa fytyrat e tyre ishin të mbuluara, me dorza në duar dhe me dritat e shtëpisë të fikura. Që nga fillimi, qëllimi i tyre ishte të gjenin kasafortën dhe të largoheshin me atë që kishte brenda.

Ky plan u bë jashtëzakonisht i ndërlikuar nga këmbëngulja e Galliziolit, i cili, pavarësisht kërcënimeve të përsëritura, kishte vendosur të mos e zbulonte kodin në asnjë rrethanë: “Mund të më vrisni nëse doni, por unë kurrë nuk do ta zbuloj kodin”, – ishin fjalët e sipërmarrësit italian atë natë, ndërsa banditët përpiqeshin të merrnin informacionin.

Në atë pikë, pasi kuptuan se Gallizioli nuk do të dorëzohej kurrë, dy anëtarë të bandës u larguan nga vila për të marrë një mjet që mund të thyente kasafortën.

Grabitja

Sipas hetimeve, u zbulua se kriminelët kishin shkuar në një kantier ndërtimi pranë Via Falzolgher atë natë për të vjedhur një gur fresibël për të thyer kasafortën, ku morën 300,000 euro para cash, si dhe orë luksoze  dhe bizhuteri familjare.

Karabinierët zbuluan gjithashtu se një nga tre banditët punonte në të njëjtin kantier ndërtimi nga i cili u vodh guri fresibël.

Vjedhja u raportua nga pronari i kompanisë. Sipas policisë, incidenti në Via Falzolgher nuk është një rast i izoluar, pasi dinamika e grabitjes sugjeron një nivel të lartë përgatitjeje dhe përvoje nga grupi i “skifterëve” shqiptarë. Për më tepër, mediat italiane raportojnë se grabitësit dyshohet të kenë planifikuar krime të tjera të ngjashme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë