Ne rrjet

‘Si u godit Fordow’, SHBA shpjegon sulmin ndaj centralit bërthamor të Iranit (me 12 bomba dhe 15 vjet planifikim)

Gjenerali Caine shpjegoi operacionin që çoi SHBA-në të bombardonte lokacionet kryesore në programin bërthamor të Iranit dhe në veçanti Fordow-n, pika kyçe: Secila prej bombave shkoi pikërisht aty ku donim të shkonte

Gazeta Si – Ai nuk donte, ose nuk ishte në gjendje, të konfirmonte se lokacionet ishin fshirë nga faqja e Tokës – “të zhdukura”, siç tha Presidenti Donald Trump.

Por Dan Caine, kryetari i Shtabit të Përbashkët, ishte i etur të theksonte në një konferencë shtypi të rrallë, të mbushur me njerëz dhe gjithçka tjetër përveçse të qetë, se sa efektiv kishte qenë bastisja e së dielës në mëngjes, e cila çoi Shtetet e Bashkuara të bombardonin Iranin për herë të parë: “Të gjitha bombat që qëlluam, – tha ai, – shkuan aty ku duhej të shkonin”.

Caine kishte në krah shefin e Pentagonit, Pete Hegseth. Ishte ai që sulmoi median – dhe veçanërisht CNN dhe “New York Times” – “fajtor” për rilançimin e një analize fillestare nga inteligjenca amerikane, sipas së cilës sulmi amerikan kishte ngadalësuar (“me javë, ose muaj”), por jo eliminuar, programin bërthamor të Iranit.

Caine u ngarkua me detyrën e detajimit të një operacioni jashtëzakonisht kompleks: kulminacionin e “15 viteve” planifikim.

“Në vitin 2009, një oficer i Agjencisë së Reduktimit të Kërcënimeve të Mbrojtjes u dërgua në një vend të klasifikuar për t’u informuar, për arsye sigurie, mbi diçka që po ndodhte në Iran”.

Ajo që pasoi ishte një periudhë shumë e gjatë përgatitjeje sekrete: “Njerëzit që e dinin nuk mund të flisnin me gratë e tyre, familjet e tyre, askënd”, tha gjenerali.

Me kalimin e kohës, tha ai, “Departamenti i Mbrojtjes kishte shumë njerëz me doktoraturë që punonin në program, duke bërë modele dhe simulime që na çuan në të qenit, në heshtje dhe fshehurazi, përdoruesi më i madh i orëve të superkompjuterit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Caine ilustroi nivelin e njohurive që ushtria amerikane kishte në lidhje me vendndodhjen në Fordow, zemrën e programit bërthamor iranian: një vendndodhje pasurimi që strehonte centrifugat e saj midis 90 dhe 100 metrave nën tokë, në zemër të një mali.

“Nuk krijohet një vendndodhje si kjo, nëse ke një program paqësor”, tha Caine. Para se të shpjegonte se si armët e përdorura në sulme – GBU 57, bomba që peshojnë mbi 13 tonë që mund të depërtojnë në shtresa betoni për dhjetëra metra para se të shpërthejnë – ishin “projektuar, planifikuar dhe lëshuar” për të arritur objektivin e tyre.

“Një bombë”, shtoi ai, “ka tre efekte që shkaktojnë dëme: vala e goditjes, fragmentimi dhe mbipresioni. Në këtë rast, pjesa më e madhe e dëmit ishte një kombinim”.

Sipas Caine, gjashtë bomba “shkatërruese bunkerësh” u hodhën në Fordow për secilën nga hapjet e ventilimit: dhe të gjitha “shkuan pikërisht aty ku duhej të shkonin”. Dy “superbomba” të tjera u hodhën në vendndodhjen e Natanz.

“Irani, i vetëdijshëm për sulmin e afërt, u përpoq të mbulonte boshtet e ventilimit me beton. Nuk do të ndaj dimensionet e sakta të kapakut të betonit, por duhet ta dini se ne e dimë se sa ishin ato”. Gjenerali më pas u tregoi gazetarëve një video të njërës prej bombave në veprim, gjatë një prove.

Caine e përshkroi operacionin, të quajtur “Çekani i Mesnatës”, si “kulminacionin e 15 viteve punë të jashtëzakonshme” dhe citoi pilotët bombardues të përfshirë në sulme që e përshkruanin shkëndijën pas hedhjes së bombës si “shpërthimin më të ndritshëm që kishin parë ndonjëherë”.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ishte nën presion për të dhënë një vlerësim tepër pozitiv të sulmit, ai e mohoi me vendosmëri: “Jo, nuk më ishte bërë presion dhe jo, nuk do të më bëhej”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë