Ne rrjet

Si u bë Suedia një nga eksportuesit kryesorë të armëve në botë (dhe çfarë roli ka në NATO)

Neutrale dhe e paangazhuar për më shumë se 200 vjet, shteti nordik ka krijuar një industri të fortë ushtarake. Tani, është ndër eksportuesit kryesorë të armëve në botë: duke u bashkuar me Aleancën Atlantike, do të ndihmojë në mbrojtjen e kufijve të saj

Gazeta Si- “Po shtojmë stërvitjet, ato janë gjithnjë e më intensive. Njerëzit që jetojnë këtu ankohen, por ne do të bëjmë gjithçka e më shumë, sepse kjo është ajo që politikanët kërkojnë nga ne: të përgatitemi dhe të jemi gati për çdo rrethanë”, thotë Paula Levänen, zëdhënëse e Livgardet, Garda Mbretërore Suedeze e vendosur në Kungsängen, në pyll 30 kilometra larg Stokholmit, e cila ka për detyrë të mbrojë kryeqytetin në rast të një sulmi armik.

“Ne kemi një leje mjedisore për të qëlluar 310 ditë në vit: nuk e bëjmë aq shpesh, por duhet të jemi gati për atë që mund të na sjellë e ardhmja”.

Ushtarë të një bataljoni gjatë një stërvitjeje

Rreth, mes britmave dhe breshërive nga të shtënat me armë, 110 burra janë përfshirë në një stërvitje: ata duhet të çlirojnë një ndërtesë pesëkatëshe të zënë nga ata që ata e quajnë “burrat e gjelbër”, një armik po aq anonim sa ushtarët e veshur me të njëjtat ngjyra që aneksuan Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

Rusia, në fund të fundit, është armiku për të cilin po përgatiten ushtarët e Mbretit dhe ajo që ne po dëshmojmë, shpjegon nëntogeri Niklas Gustafsson, është afërsisht ajo që ndodhi në Kiev në ditët e para të luftës, me forcat speciale të ngarkuara me ndalimin e përpjekjeve për të marrë kryeqytetin ukrainas.

“Roli ynë, – thotë Gustafsson, – fillon para fillimit të luftës, në atë zonë gri ku ndodhin sabotazhe, sulme terroriste dhe infiltrim”.

Një pallat 5-katësh që forcat ushtarake suedeze duhet ta çlirojnë

Fundi i neutralitetit

Është për shkak të kësaj ndjenje në rritje të rrezikut që Suedia vendosi në vitin 2022, së bashku me Finlandën, të anëtarësohej në NATO, ku u pranua përfundimisht më 7 mars 2024, duke braktisur kështu mbi 200 vjet neutralitet të kohës së luftës dhe mosangazhim ushtarak, në kohë paqeje.

Një pozicion që luhatej midis paqartësisë ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, e nevojshme për të shmangur luftimet dhe pushtimin, dhe “përgjegjësisë morale” ndaj vendeve të botës së tretë të pretenduar në vitet ’70-‘80 nga kryeministri socialdemokrat Olof Palme, i vrarë në mënyrë misterioze në Stokholm në vitin 1986.

“Kur filloi Lufta e Ftohtë, u vendos që mënyra më e mirë për të monitoruar situatën e re ishte të qëndronte jashtë saj. Mos-angazhimi përfaqësonte një lloj identiteti për Suedinë dhe suedezët”, shpjegon Ivar Ekman, drejtues për një kohë të gjatë i një programi të marrëdhënieve të jashtme në radion publike, tani analist në Institutin Suedez të Kërkimeve të Mbrojtjes.

“Vendimi për t’u anëtarësuar në NATO u mor për shkak të pushtimit të Ukrainës, por edhe për arsye politike: në shtator pati një votim dhe partia socialdemokrate në qeveri – e cila historikisht mbështeti politikën e mos-angazhimit – kishte frikë se nëse do ta bënte të mos kishte mbështetur hyrjen në NATO, do të ishte e dëmshme në votime”.

Nga ato sondazhe doli një qeveri e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga lideri i të moderuarve, Ulf Kristersson, e cila vazhdoi negociatat me NATO-n dhe e cila vitin e kaluar premtoi të rrisë shpenzimet e mbrojtjes me 30%, duke arritur në 2% të PBB-së, siç kërkohet nga Aleanca Atlantike dhe duke synuar 2.6% deri në vitin 2030.

“Ne kishim qenë afër NATO-s për disa kohë, politika e mbrojtjes suedeze bazohej në mundësinë e marrjes së mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Aleanca”, vazhdon Ekman.

“Megjithatë, pushtimi rus na kujtoi se ndoshta të qenit afër nuk mjaftonte. Për më tepër, ushtria jonë tashmë ka respektuar standardet e NATO-s”.

Modeli i një avioni luftarak “Gripen” në panairin e kompanisë “Saab” në Stokholm

Rikthimi në tregun botëror

Për dekada të tëra, mosangazhimi e detyroi Suedinë të mbështetej vetëm në forcat e veta për t’u mbrojtur, duke e çuar atë në zhvillimin e një industrie luftarake mbresëlënëse – dhe tërësisht private – midis viteve 1950 dhe 1960, e cila gjithmonë ka punuar në kontakt të ngushtë me qeverinë.

Për ta bërë këtë neutralitet të besueshëm, shpjegon shkencëtari politik Björn Fägersten, duhej të demonstronim se mund të mbronim veten, edhe në një kuptim industrial.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërtuar avionët luftarakë, “Gripen”, për 75 vjet, diçka që vetëm vendet e mëdha mund ta përballojnë”, – thotë Ekman. “Në Evropë vetëm Franca e bën këtë”.

Nga ana tjetër, Suedia është një vend i vogël, me 10 milionë banorë dhe këto – përfundon analisti i Mbrojtjes – janë “projekte të mëdha, që i kushtojnë shtetit shuma të mëdha parash”.

Në një moment u bë e qartë se nuk ishte më e qëndrueshme, por ne nuk mund të mbyllnim kompanitë dhe të pushonim punonjësit”. Kështu që industria duhej të ndërkombëtarizohej.

“Deri atëherë, 70% e biznesit ishte në Suedi, pjesa tjetër jashtë. Sot është pikërisht e kundërta”, shpjegon Robert Limmergård, sekretar i Soff, një lloj Confindustria e Mbrojtjes, e cila çdo vit organizon një konferencë midis kompanive dhe përfaqësuesve të ushtrisë.

“Përgjithësisht forcat e armatosura nuk reklamojnë atë që u nevojitet në faqen e tyre të internetit, ky është një biznes i bazuar në besim: kështu që ne krijuam një platformë për të lejuar qeverinë të komunikojë me kompanitë, të cilat duke qenë private, nuk mund të llogarisin në fondet publike për kërkimin dhe zhvillimin”.

Kjo konferencë “shërben për të kuptuar nevojat e 2-5 viteve të ardhshme, që është afërsisht nesër, por edhe atë që do t’i duhet Forcave të Armatosura në planin afatgjatë, në 2035 ose 2040”, vijon Limmergård.

Pontus Agerteg, menaxher i “Bertin Technologies”, i cili mbërriti nga Lundi, në jug të vendit, erdhi për të takuar zyrtarë qeveritarë.

“Ne jemi një kompani suedeze që prodhojmë sensorë tokësorë për vëzhgim, por i përkasim një grupi francez”, konfirmon ai.

“Kompania mëmë franceze është shumë e fokusuar në tregun e saj të brendshëm, ndërsa këtu në Suedi ne e konsiderojmë veten një kompani ndërkombëtare, që punon në tregun global”.

Një punonjës i “Saab” tregon përdorimin e një raketahedhësi “NLAW”

“Saab” nuk prodhon makina

Sot Suedia është në vendin e trembëdhjetë në mesin e eksportuesve të armëve në botë: në vitin 2022 sektori – i përbërë nga rreth 200 kompani, nga të cilat 60 në pronësi të huaj dhe 28 mijë punonjës – kishte një qarkullim prej 48.5 miliardë eurosh, i cili u rrit përsëri në vijim vit.

Kompania kryesore e vendit është “Saab”, e cila, ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz, ka prodhuar makina vetëm për një periudhë të historisë së saj dhe nuk e ka bërë këtë për gati 30 vjet: akronimi – “Svenska Aeroplan Aktiebolaget” – qëndron për kompaninë suedeze aeronautike dhe, në përveç avionëve “Gripen”, ajo prodhon nëndetëse dhe armatime të të gjitha llojeve, duke përfshirë “Nlaë”, raketa lëshuese antitank të montuara në shpatull të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat – siç pretendon kompania me krenari – kontribuan në shpëtimin e Kievit.

Seksioni i një prej nëndetëseve të fundit të kategorisë Gotland në prodhim

“Të hysh zyrtarisht në Aleancën Atlantike është një hap i madh për vendin”, shpjegon CEO i “Saab”, Micael Johansson, të cilin e takojmë në selinë e inauguruar së fundmi në qendër të Stokholmit për të qenë në gjendje të mirëpresim denjësisht klientët, mes modeleve të “Gripen” dhe seksioneve të nëndetëseve të fundit të klasit Gotland në prodhim.

“Ne kemi furnizuar tashmë pajisje për shumë vende të NATO-s për disa kohë, por nëse nuk je pjesë e saj, është e vështirë të përfshihesh në çështje më të sofistikuara dhe ndoshta më delikate. Nuk ju besohet sa duhet, as si vend, as si industri. Aspekti më i rëndësishëm, megjithatë, është perspektiva e sigurisë”, thotë Johansson, duke saktësuar se sipas tij, Evropa nuk ka nevojë për një strategji të përbashkët mbrojtëse.

“Ne kemi NATO-n” thotë ai, “dhe ka një mbivendosje të madhe midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve anëtare të Aleancës”.

Një ushtare suedeze e Rojës Mbretërore

Popullsi e vogël dhe një pozicion i veçantë gjeografik – një arkipelag me 267 mijë ishuj në ujërat e errëta të Balltikut, me Rusinë në bregun tjetër: enklavën e Kaliningradit në juglindje, Shën Petersburg në lindje – i kanë dhënë karakteristikat të veçanta industrisë suedeze të luftës.

“Ne operojmë pothuajse sipas masës, ne krijojmë pajisje që nuk kërkojnë shumë ushtarë për t’u përdorur. Është një lloj perspektive me ndikim të ulët: avionë luftarakë të shpejtë, sisteme radarësh të integruar në një automjet në vend të tre, e kështu me radhë”, thotë Johansson, CEO i “Saab”.

“Industria jonë e mbrojtjes ka qenë gjithmonë një lloj Ikea”, konfirmon Limmergård, sekretari i “Soff”. “Funksional, i thjeshtë për t’u mbledhur dhe përdorur, është i lehtë për të trajnuar rekrutët”.

Rikthim te shërbimi i detyrueshëm ushtarak

Avioni luftarak “Gripen”, është një shembull i përsosur i efikasitetit të kërkuar nga industria suedeze: “Relativisht i lirë, i lehtë për të fluturuar, i lehtë për t’u mirëmbajtur”, thonë ata në “Saab”.

Kjo sepse, ushtria suedeze ka mjetet – forca ajrore më e rëndësishme midis vendeve nordike, me 71 acionë luftarakë dhe një marinë shumë të pajisur mirë, me pesë nëndetëse të afta, ndryshe nga ato amerikane, të përballojnë rreziqet e Balltikut – të cilat tani do të përdoren edhe për të mbrojtur Aleancën, por jo mjaftueshëm.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Suedia kishte një ushtri të fuqishme: ishte thelbësore të ruhej pavarësia e një vendi të paangazhuar dhe mund të mobilizonte deri në 850,000 rezervistë, pothuajse një të dhjetën e popullsisë.

Një tjetër moment stërvitor i forcave ushtarake suedeze

Më pas në vitin 2010, pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në një kohë të shkurtër u bë e qartë se shërbimi ushtarak në baza vullnetare nuk ishte i mjaftueshëm: në vitin 2013 vetëm 579 rekrutë përfunduan njëmbëdhjetë muaj stërvitje dhe u gjendën me më pak se 20 mijë ushtarë.

Pas pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014, një gjeneral i lartë tha se Suedia do të mund të mbrohej vetëm për një javë dhe vetëm një pjesë e vendit. Kështu, në Stokholm filluan të flasim për riaktivizimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Dhe kështu, që nga viti 2018 ata janë përpjekur me një sistem selektiv, i cili tani po studiohet në shumë vende evropiane që luftojnë me të njëjtën mungesë ushtarësh.

Ushtar suedez gjatë një trajnimi

“Çdo vit, 100 mijë 18-vjeçarë marrin thirrjen dhe në këtë përzgjedhje të parë shumë pak kanë mbetur jashtë: këtë vit, mes fëmijëve të lindur në 2006, vetëm 10 mijë”, thotë Eriku, një ushtar i ri që shkon në shkolla për të ftuar djemtë me karrierë ushtarake.

Midis tyre zgjidhen 30 mijë, të cilët do t’i nënshtrohen testeve fizike, aftësive psikologjike dhe në fund zgjidhen rreth 7 mijë të rinj të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak. Përqindja po rritet çdo vit dhe deri në vitin 2030 do të donin të arrinin në 10 mijë.

“Dikush regjistrohet, sepse është i interesuar për këtë karrierë, sepse dëshiron të kontribuojë në mbrojtjen e vendit të tij. Të tjerët, sepse duan të kenë një përvojë. Por këtu, – thekson ushtari Eric, ndërsa shokët e tij nga Garda Mbretërore stërvitne, – kemi të bëjmë me gjëra serioze”.

Burimi: “Corriere della sera; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë