Ne rrjet

Si u bë flamuri i bardhë simboli i dorëzimit?

Nga Gazeta ‘Si’ – Hetimet fillestare për vdekjen e 3 pengjeve të vrara aksidentalisht nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës javën e kaluar, tregojnë se ushtarët qëlluan drejt tyre, edhe pse ata po valëvitnin në duar një flamur të bardhë të improvizuar, dhe me duart e ngritura lart.

Flamuri i bardhë, përdoret në mbarë botën për t’ia bërë të qartë të tjerëve përballë se dikush dëshiron të dorëzohet apo se ai nuk është i përfshirë në konflikt. Ky flamur është një simbol i cituar shprehimisht në të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Ndonëse nuk dihet me siguri origjina e tij, ka dëshmi në të cilat thuhet se ai është përdorur për të njëjtin qëllim që në shekujt e parë të Erës Sonë. I njohur mbi të gjitha si simbol i pranimit të humbjes në luftë, flamuri i bardhë, apo edhe thjesht një copë pëlhure me këtë ngjyrë, përdoret për t’i sinjalizuar armikut kërkesën për armëpushim ose negociata.

Njëkohësisht, ata që e tregojnë këtë simbol, duan t’i kumtojnë palës tjetër se janë të paarmatosur ose se nuk janë në gjendje të mbrohen apo të mbështesin ofensivën e armikut, siç sugjeron shprehja “ngriti flamurin e bardhë”.

Dëshmia e parë e shkruar mbi një flamur të bardhë që është përdorur për t’u dorëzuar, daton në dinastinë Han (ose më vonë), e cila sundoi Kinën midis viteve 25-220 Pas Krishtit, por një referencë e ngjashme gjendet edhe në Romën e lashtë.

Në librin “Historiae” të botuar në vitin 109 të Erës Sonë, Kornelius Taciti tregon se në luftën civile të zhvilluar 40 vjet më parë, vitelianët e rrethuar në Kremoneze ia komunikuan legjioneve të Mark Antonit qëllimin e tyre për t’u dorëzuar duke treguar “vello dhe fasha” të bardha:Në bazë të informacionit që na ka ardhur, më parë ushtarët romakë dorëzoheshin duke ngritur mburojat mbi kokë.

Besohet se tradita e përdorimit të një flamuri apo diçkaje të bardhë si simbol i dorëzimit, u përhap pak a shumë paralelisht si në Perëndim ashtu edhe në Lindje. Në një libër kushtuar luftërave në Mesjetë, historiani Moris Kin shpjegon se në provincën e lashtë Anzhu në Francën Veriperëndimore, lajmëtarët mbanin flamuj të bardhë si sinjal armëpushimi,por edhe shkopinj të bardhë për të sinjalizuar imunitetin e tyre nga luftimet.

Njëkohësisht, të burgosurit e luftës dhe njerëzit që nuk duhej të sulmoheshin, vendosnin ndonjëherë mbi kokë një copë letër të bardhë. “Megjithatë, shenja ndoshta më e zakonshme e armëpushimit nga garnizonet, ishte shfaqja e një shkop të bardhë, i cili përdorej për të shmangur sulmin në territorin e armikut”- thekson Kin.

Gjërat funksionuan paksa njëlloj edhe në Azi. Për shembull, në mesin e shekullit XVI, kronisti portugez Gaspar Korreia, shkroi se në fund të shekullit të kaluar zamorini i Kalikutës (titulli që mbanin princat hindu në jug-perëndim të Indisë së sotme) dërgoi negociatorët tek Vasko da Gama me “një copë leckë të bardhë të ngjitur në një shkop“ si një “shenjë paqeje”.

Shkopi dhe pëlhura e bardhë ishin të zakonshme pothuajse kudo, dhe flamujt ose pankartat e vogla mund të improvizoheshin edhe në situata emergjente. Sipas veksilologjisë (që merret me studimin e flamujve) ngjyra mund të varej si nga fakti se deri në kohët moderne ngjyrat ishin shumë të shtrenjta, por edhe se e bardha dallohej lehtësisht në shumicën e peizazheve natyrore, si dhe midis simboleve që mbanin në betejë.

Një tekst tjetër në të cilin përmendet flamuri i bardhë është “De iure belli ac pacis”, shkruar në vitin 1625 nga filozofi, juristi dhe teologu holandez Hugo Groci, dhe konsiderohet si themeli i të drejtës ndërkombëtare moderne.

Ishte periudha e luftërave fetare në Evropë, dhe sipas Grocit (emri jo-italianizuar i të cilit ishte Hugo de Groot) flamuri i bardhë ishte “një shenjë, përdorimi i së cilës i ka atribuar një kuptim”, dhe në veçanti “një shenjë të heshtur të kërkesës për bisedime”, e cila duhej kuptuar “si e detyrueshme, sikur të ishte shprehur me fjalë”.

Për më tepër, para Revolucionit Francez dhe futjes në përdorim të flamurit kombëtar trengjyrësh, blu, të bardhë dhe të kuq, flamuri i bardhë përdorej në Francë si simbol i pastërtisë, por edhe i komandës ushtarake, ndonjëherë i zbukuruar me lule misri, nëse do të shpalosej në prani të mbretit.

Ai përdorej për të dalluar trupat franceze nga ato të huaja, dhe për të shmangur përplasjen midis vetë ushtarëve francezë. Rreth një shekull më vonë, simboli u zyrtarizua përfundimisht në nenin 32 të Konventave të Hagës të viteve 1899 dhe 1907, që bashkë me 4 Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet e mëvonshme shtesë, u bënë baza e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Në nenin përkatës, saktësohet se kushdo që paraqitet me flamur të bardhë është “i autorizuar nga njëra prej palëve ndërluftuese që të hyjë në negociata me palën tjetër” dhe “ka të drejtën e paprekshmërisë”, së bashku me cilindo që e shoqëron.

Në veçanti Konventat e Hagës e ndalojnë përdorimin e panevojshëm të flamurit të bardhë (i përkufizuar si “parlamentar”), si dhe “vrasjen ose plagosjen e një armiku që pasi ka hedhur armët përtokë, ose që duke mos pasur më mjete për t’u mbrojtur, dorëzohet duke ngritur flamurin e bardhë”.

Megjithatë, në të kaluarën ka ndodhur që personat që kishin treguar një të tillë të sulmoheshin dhe të vriteshin, siç ndodhi në Rripin e Gazës, gabimisht ose jo. Për shembull, kjo ndodhi me disa fise indigjene amerikane në shekullin XIX-të, me disa anëtarë të grupit terrorist të Tigrave Tamil në vitin 2009 në Sri Lanka, dhe në disa raste të tjera në Palestinë.

Burimi: “Il Post”/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë