Keshilla

Si t’i mbrojmë fëmijët në Shqipëri nga rrjetet sociale

Fëmijët modernë nuk e dinë çfarë do të thotë të jetosh pa telefon apo pa rrjete sociale. Ata ndoshta kalojnë më shumë kohë në internet se kushdo tjetër dhe kjo përbën një problem, pasi ka faqe interneti dhe aplikacione që janë një rrezik për fëmijën. Çfarë mund të bëjnë prindërit për të pasur një kontroll në telefonat dhe rrjetet sociale të fëmijëve, në këtë mënyrë dhe duke i shpëtuar nga rreziqet?

Sociologu Gëzim Tushi thotë për Gazetasi.al se shoqëria shqiptare ka marrë një deformim pasi “kemi një lloj përkeqësimi të marrëdhënieve prindër-fëmijë dhe një dëmtim të kuotave të prindërimit”. 

Tushi shpjegon se si familja shqiptare dikur ka qenë një familje tradicionale, mbase patriarkale pa shumë parime humane dhe demokratike në ndërtimin e marrëdhënieve midis prindërve dhe fëmijëve por kanë qenë shumë të investuar për fëmijët dhe kujdesi për to ka qenë i madh.

Gëzim Tushi, sociolog. Gazeta "Si",23 nëntor 2021

“Ndryshimi i sistemeve ka sjellë shumë ndryshime pozitive. Gjithë zhvillimi duhej të kishte sjellë një përfshirje më të madhe të prindërve por vë re se është ulur niveli i prindërimit, përgjegjësia e prindërimit”, thotë Tushi i cili shton se sot në shoqërinë shqiptare, e zhvillimeve të mëdha dhe synimeve individuale edhe prindërit janë vënë nga kjo gracka e konsumimit, e parasë, suksesit, e frikës nga dështimi.

Në një farë mënyre, thotë Tushi, projektet e tyre personale dhe gjithë frikërat i kanë bërë të harrojnë të prindërojnë dhe ka reduktuar kohën e prindërimit. Shkurtimi i kohës së prindërimit është një defekt serioz në fushën e edukimit të sotëm ku prindërit po mendojnë se e kanë zëvendësuar këtë mungesë të kohës edukative me një lloj teknoprofecie edukative. “Prindërit besojnë se punën që nuk po e bëjnë si prindër vetë, do ta bëjë teknologjia”.

Por Tushi shton se teknologjia është neutrale dhe nëpër të mund të kalojnë edhe veset edhe virtytet dhe gjithçka ka të bëjë me kulturën e përdorimit të teknologjisë. Fëmijët po i përdorin telefonat dhe rrjetet sociale në masë edhe për prindërit që ndoshta nuk janë të informuar, ka disa aplikacione ku mund të kontrollojnë gjithë aktivitetin e fëmijëve të tyre.

Një nga ato aplikacione është Bitdefender.

Tomi Kallanxhi, ekspert IT tregon për Gazetasi.al se në momentin që është e vështirë të ndalosh përdorimin e rrjeteve sociale, problemi më i madh është tek ajo që shohin fëmijët në rrjetet sociale dhe tek algoritmi.

Në momentin që shohim një video disa herë, algoritmi të sugjeron video të ngjashme ose njësoj me atë video. Në bazë të asaj që ka dëshirë të shohë një përdorues (që llogaritet nga herët që shikon një video ose sa gjatë qëndron duke e parë) rrjetet sociale përdorin algoritmin duke sugjeruar video të njëjta për të mbajtur sa më gjatë përdoruesin në rrjetet sociale.

Kontrolli I fëmijëve është mjaft i thjeshtë, vetëm duke u abonuar në disa aplikacione sigurie.

“Sot një antivirus rangu i Bitdefender është 60 dollarë në vit ose më pak, nëse ti ke më pak device mund të shkojë dhe në 30 dollarë”, thotë Kallanxhi që shton se me 30 dollarë në vit mund të kontrollosh në kohë reale fëmijën duke i thënë se Instagram, për shembull të hapet vetëm për një kohë të caktuar.

Në bitdefender mund të shohësh dhe çfarë ka shkruar fëmija duke përdorur tastierën apo duke folur. Çfarë mesazhesh ka çuar ose mund të shohësh në çfarë ore deri në çfarë ore ka ndejtur në telefon, websitet që ka kontrolluar apo vizituar, kush janë numrat e fundit të telefonit që ka shtuar në celular dhe location.

“Aplikacione të tilla si bitdefender central mund të paralajmërojnë edhe për një rrezik më të madh”.

Nëse fëmija përdor një fjalë kyçe që nuk është e përshtatshe, prindërit i shkon në email një mesazh që i tregon se fëmija në një orë të caktuar ka folur me ‘X’ person dhe ka përdorur disa fjalë kyçe dhe ky është një paralajmërim që vjen nga aplikacioni që prindi duhet të kontrollojë fëmijën.

Një gjë tjetër shumë e mirë dhe e nevojshme që bën ky aplikacion dhe aplikacione të tilla në përgjithësi është dhe fakti se prindërit kanë në dorë të zgjedhin aplikacionet që nuk dëshirojnë që fëmijët të përdorin. Pra “prindi bllokon një aplikacion që dëshiron që fëmija mos të përdorë më dhe në momentin që fëmija tenton të hapë aplikacionin në telefonin e tij, e ka thjeshtë të bllokuar”.

Tomi Kallanxhi, Ekspert IT. Gazeta "Si", 23 nëntor, 2021

Çfarë mund të bëjnë tjetër prindërit për të larguar fëmijët nga teknologjia që sipas Tushit, është kthyer në një drogë të re jashtëzakonisht të rrezikshme?

“E para duhet të komunikojnë”, thotë Tushi duke shpjeguar se prindërit shqiptarë vazhdojnë me zakonin e vjetër të ndalimit ose përdorimit të dhunës dhe këto forma janë të dështuara. Për shkak të zhvillimit, fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë për komunikim, një komunikim si partner të barabartë për t’i ndërgjegjësuar fëmijët lidhur me sensin e masës në përdorimin e teknologjisë, lidhur me përdorimin utilitar për gjëra të dobishme, për të marrë informacion, për të marrë njohuri të reja etj.

Tushi thotë se ka nevojë dhe për marrëveshje duke qenë se tani dhe fëmijë 3 apo 4 vjeçarë po përdorin telefonat dhe rrjetet sociale.

“Duhet të vendoset një kohë, një limit i caktuar kohor me fëmijët”. Në vend që prindi ‘t’ia shkulë’ celularin nga dora me dhunë apo t’ia fshehë, do të ishte mirë që ti vendoset një kohë e caktuar fëmijës. Nëse fëmija mendon se i duhet një orë për të luajtur, prindërit mund ti lënë një orë kohë, “pra vendosja e një rregulli në mënyrë të ndërgjegjshme”.

Tushaj gjithashtu mendon se duhet një lloj vigjilence por jo e një vigjilence policeske. Jo një vigjilencë e dhunshme. Duhet një vigjilencë për të parë, për të kuptuar çfarë gjendje psikologjike shfaq fëmija që rri gjithë ditën në celular, nëse është i shqetësuar, është i vetmuar, bëhet introvert, apo po bën një jetë normale.

“Këto sinjale mund të kenë shumë arsye siç janë bullizmi në shkollë apo ngacmimet reciproke por shumica e ngacmimeve vijnë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe duhet vigjilenca dhe komunikimi i prindërve për të parandaluar ngjarje të përmasave të mëdha”.

Ndërkohë ka edhe mënyra të tjera për të kontrolluar fëmijët. Microsoft (Siguria Familjare) dhe Google (Family Link) ofrojnë gjithashtu mjete të kontrollit prindëror të palës së parë. Prindërit duhet të konsiderojnë përdorimin e këtyre opsioneve falas të palës së parë përpara se të paguani për një zgjidhje të palës së tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë