Nga Gazeta Si – Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” do të mbajë edicionin e tij të 21-të nga 5 gushti deri më 13 gusht në Prizren.
Tema e edicionit të sivjetëm vjen në formë pyetjeje “How to Survive…?”, që në thelb rrok një mori përgjigjesh në vetvete.
“’How to Survive…?’, e cila përqendrohet rreth nocionit të mbijetesës mund të merret si një pyetje se si t’i mbijetosh nxehtësisë, përmbytjeve, dhunës, inflacionit, luftërave, fashizmit dhe përfundimisht zhdukjes… Janë vetëm disa nga pyetjet, që do të shtrohen”, shkruan “DokuFest”.
Nëpërmjet bisedave dhe debateve të shumta me të ftuar, artdashës dhe kritikë arti festivali do të përpiqet të kërkojë përgjigje për këto “pyetje ekzistenciale, në një kohë ku mbijetesa, në një botë të trazuar është bërë e domosdoshme për të gjithë ne”.
“Një planet, që po ndryshon në mënyra të thella, të tmerrshme dhe të dukshme tani dhe nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, së shpejti do të jetë një planet në vdekje. Një numër filmash nga programi prekin temën e të mbijetuarit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë dhe ne jemi të emocionuar të gjejmë mënyra, për të ftuar audiencën tonë, që të bisedojmë rreth kësaj teme”, shkruan më tej “Dokufest”.
Janë 109 filma që do të marrin pjesë në tetë programe garuese, që do të shfaqen në kinematë e qytetit.
Zëdhënësja e “DokuFestit”, Fatjona Kabashi, shkruan se filmat garues të këtij edicioni mes të tjerash eksplorojnë mbi të gjitha dëshirën njerëzore për mbijetesë.
“Këta filma shfaqin aspekte të ndryshme, të asaj se çfarë mund të thotë krizë për njerëz të ndryshëm. Sado që situata e tyre ndryshon, ata të gjithë eksplorojnë të njëjtin spektër emocionesh dhe mbi të gjitha dëshirën njerëzore për të mbijetuar”.
Sipas organizatorëve, përzgjedhja e sivjetme padiskutim është ndikuar edhe nga dy vitet e pandemisë, fillimi i luftës në Ukrainë, kriza e çmimeve si dhe ngjarjet e tjera në botë.
Edicioni i 21-të i “DokuFestit” mbahet prej 5 deri më 13 gusht në Prizren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




