Idealet e burrërisë për shumë njerëz kanë ndryshuar.
Në gjeneratat e mëparshme, të qenit burrë do të thoshte të siguronit financat për familjet, të ishit stoik dhe nuk duhet të shfaqësh ndjenja, sipas Dr. Daniel Singley dhe themelues i Qendrës për përsosmërinë e burrave në San Diego.
Megjithatë, shumë nga burrat e sotëm që bëhen baba po e shikojnë atë model dhe po vendosin se nuk funksionon për ta, thotë Singley.
Epidemia e vetmisë mashkullore, kriza e lidhjeve, maskuliniteti toksik – ka shumë terma për atë që meshkujt po përjetojnë, por është e qartë se disa po luftojnë kur bëhet fjalë për shëndetin mendor.
Adresimi i këtyre shqetësimeve për shëndetin mendor dhe mësimi i brezit të ardhshëm të djemve për t’u bërë burra të lumtur dhe të shëndetshëm kërkon një përpjekje në grup, thotë Dr. John Delony, i cili drejton një podcast për shëndetin mendor.
“Duhet ti mësojmë djemtë se është në rregull të ndjehen të humbur, është në rregull të qash, është në rregull të kërkosh ndihmë dhe në fakt duhet patjetër ta bësh këtë. Djemtë sot duhet të mësojnë se rregullat e lojës kanë ndryshuar dhe kjo nuk është diçka e keqe”, thotë ai.
Rëndësia e prindërimit
Baballarët kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në zhvillimin e brezit të ardhshëm të djemve, thotë Judy Yi-Chung Chu, e cila jep leksione mbi zhvillimin psikologjik të djemve në Universitetin e Stanfordit.
Gjatë punës së saj me fëmijë dhe prindër, Chu vuri re se djemtë e përvetësonin shpejt mesazhin se nuk duhet të ishin djemtë e mamasë, dhe kështu ndalonin së treguari dashuri ndaj nënave të tyre kur ato i përcillnin për në shkollë për shembull.
Por pastaj ishin baballarët. Baballarët kishin më shumë gjasa t’i mbanin djemtë e tyre në prehër, duke luajtur dhe përqafuar, tha ajo. Disa nga djemtë e tjerë madje shkonin te baballarët e miqve të tyre për të luajtur me to.
“Nëse djemtë po fillojnë të mësojnë se nuk duhet të jenë ‘vajza’ dhe nuk duhet të jenë shumë si nënat e tyre, ose shumë afër nënave të tyre, atëherë babai mund të ndërhyjë”.
Angazhimi në këtë lloj loje dhe dashurie u tregon djemve se ngrohtësia, mirësia dhe dashuria nuk janë vetëm cilësi femërore, edhe baballarët e bëjnë këtë, tha Chu.
Shumë nga fuqia për baballarët vjen në formën e modelimit. Aq sa baballarët mund t’i mësojnë drejtpërdrejt bijtë e tyre dhe t’i udhëzojnë ata në botë, ata gjithashtu ofrojnë një shembull se kush mund të synojnë të jenë fëmijët e tyre ndërsa rriten, tha Singley.
“Do të ketë raste kur si baba do të bëj gabime. Pastaj do të jem në gjendje të shkoj tek djali im dhe t’i jap shembull, duke marrë përgjegjësinë për këtë – një falje e drejtpërdrejtë, ku unë emërtoj sjelljen time dhe flas për të”, thotë ai.
Kur shumë njerëz mendojnë për një burrë të vërtetë, ata shohin ndonjë figurë si Rambo ose Supermeni, tha Chu. Në vend të kësaj, ajo sugjeron t’u ofrosh djemve shembuj të burrave të mirë për t’i admiruar.
“Kur mendon për një burrë të mirë, zakonisht kjo e afron atë”, tha ajo. Një burrë i mirë është zakonisht “xhaxhai im, mësuesi im, trajneri im – dikush që e admiroj vërtet”.
Nëse doni t’i rrisni djemtë tuaj të jenë të lumtur dhe të shëndetshëm, a do të thotë kjo që duhet të hiqni dorë nga të gjitha idealet tradicionale mashkullore? Jo domosdoshmërisht, tha Singley, duke shtuar se është e rëndësishme që të mos zëvendësohet mesazhi se e vetmja mënyrë për të qenë burrë është të jesh agresiv dhe i izoluar me atë se e vetmja mënyrë për të qenë burrë është të jesh i ndjeshëm, tha Chu.
Dhe ka shumë fusha ku idealet tradicionale të maskulinitetit, siç janë mbrojtja dhe sigurimi, janë të përshtatshme dhe të dobishme, tha Singley.
“Ajo që tregon shumica e hulumtimeve është se aftësia për të qenë i ekuilibruar dhe fleksibël – të jesh një djalë tradicional në një mjedis, por në një tjetër të përqendrohesh në empati, dhembshuri, të pranosh ndikimin nga dikush tjetër – përkthehet në shëndet psikologjik dhe fizik dukshëm më të mirë.”
Ndonjëherë, ajo që një baba duhet të ofrojë nuk janë paratë – janë harmonia ose kujdesi. Dhe ndonjëherë mënyra më e mirë për të mbrojtur familjen tuaj është të zhvilloni një bisedë të hapur dhe të ndershme emocionalisht, tha ai.
“Kohët po ndryshojnë dhe ne nuk duam të jemi kaq kufizues”, tha Chu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.