Muzike

Si të fitosh Eurovizionin sipas ekspertëve ?

Me mbi 160 milionë shikues, Eurovizioni është arena ku çdo detaj nga nota muzikore tek thjeshtësia e skenës mund të të çojë në majë ose në harresë. Çfarë e bën një këngë fituese?

Nga Gazeta “SI”– Eurovizioni nuk është thjesht një garë muzikore. Është një spektakël kulturor që mbërthen gjithë kontinentin, një shfaqje me ndjesi, ngjyra dhe identitete. Vitin e kaluar, mbi 163 milionë njerëz e ndoqën këtë festival me një audiencë që përbën 163 milionë mendime të ndryshme mbi atë që e bën një këngë të përsosur.

A duhet të jetë një baladë e qetë dhe e ndjeshme, që ngroh zemrat e europianëve me tinguj dashurie e paqeje? Apo ndoshta një spektakël i gjallë, me kostume të ekzagjeruara dhe ritme që të ngacmojnë nervin e vallëzimit?

Eksperti i muzikologjisë në “Berklee College of Music”, Joe Bennett, ka analizuar qindra finalistë të Eurovizionit dhe ka zbuluar se, në thelb, fitoret ndjekin dy rryma muzikore: “euro-banger”, me ritme të forta dhe produksion elektronik, dhe baladë e ngadaltë, që ndërton emocion hap pas hapi.

Dashuri, paqe dhe… vetëbesim

Ndonëse shpesh përqeshet si festival i teksteve naive për “dashuri dhe paqe”, Eurovizioni ndjek një formulë të përsëritur. Sipas Bennett, tekstet ndahen në gjashtë tema: dashuri, unitet, vetëvlerësim, festë, histori dhe këngë që flasin për vetë muzikën.

Shembulli i Austrisë në 2014 me “Rise Like a Phoenix” është ilustrim i pastër se këngët për fuqizimin personal gjejnë rezonancë. Performanca ikonike e Conchita Wurst ,  një drag queen me mjekër, e vetme në skenë, pa koreografi apo vokalistë ndihmës shënoi kthesë. Nuk ishte thjesht një imazh që të binte në sy, por një vokal që ofronte të ashtuquajturat “momente me vlerë”, siç thonë trajnerët vokalë.

Kur më pak është më shumë

Në një garë ku skena shpesh kthehet në arenë teatrale, thjeshtësia mund të jetë armë sekrete. Kështu ndodhi në vitin 2013 me Danimarkën, kur Emmelie de Forest performoi zbathur, me dy daullistë dhe një flautist , një tablo e thjeshtë, por e paharrueshme.

“Nëse i kërkove një fëmije ta vizatojë atë skenografi, do ta bënte pa vështirësi”, thotë autori i këngës, Thomas Stengaard.

Kjo filozofi vlen edhe për vitin 2024. “Remember Monday”, grupi që përfaqëson Mbretërinë e Bashkuar, vjen me një skenografi të përmbajtur dhe një këngë që përpiqet të dallohet me rrugë të tjera.

Çelës minor, ndjeshmëri maksimale

Nëse dikur mendohej se çelësi “major” përfaqësonte lumturinë dhe “minor” trishtimin, sot realiteti është më kompleks. 85% e finalistëve në Eurovizion 2023 ishin në çelësa minor  jo sepse janë të zymtë, por sepse krijojnë thellësi emocionale.

Çelësi minor është kthyer në një shenjë eurovizive që dëgjohet dhe menjëherë e lidh me festivalin. E vetmja mënyrë për të dalë mbi këtë rrjedhë, siç e provon rasti i Britanisë në 2022 me “Spaceman” në çelës major, është të kapësh vëmendjen përmes kundërprurjes.

Papriturat që mbesin në kujtesë

Repertori i Eurovizionit është i ndërtuar mbi përsëritje të kujdesshme  por me elementë të papritur që e mbajnë publikun zgjuar. Kthesat në tonalitet, ndryshimet në tempo, apo ndonjë skenë që përmbys pritshmëritë, janë përbërës të një suksesi të sigurt.

Kujtoni “Bucks Fizz” në vitin 1981. Ndërrimi i çelësit, i shoqëruar nga heqja e fustaneve të gjatë për të zbuluar minifustane të ndritshme, ishte një moment që kombinonte muzikën dhe spektaklin në mënyrë perfekte.

Edhe pse shumë këngë të dekadës 2000 kanë luajtur me ndërrime çelësash në refren, që prej “Molitva” (Serbi, 2007) asnjë këngë me këtë strukturë nuk ka fituar. Kjo nuk do të thotë që ka humbur fuqinë  por ndoshta kërkohet një kthesë më elegante, më e rafinuar.

Si të biesh në sy në një det zhurmash?

Kjo është pyetja që Thomas Stengaard i bën vetes çdo vit që kompozon për Eurovizionin. Për vitin 2024, kënga e tij për “Remember Monday” ka një strukturë që nuk të lë të qetë. Ndryshime të shpeshta tonaliteti, ndryshime ritmesh, elementë të papritur që synojnë të të kapin vëmendjen mes një deti këngësh që bërtasin për vëmendje.

Në fund, ndoshta nuk ka një formulë magjike për fitoren  por ajo që është e sigurt është se Eurovizioni shpërblen guximin, origjinalitetin dhe melodinë që nuk të del nga mendja.

Burimi:BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë