Ekonomi

Si të financosh bizneset e mbyllura – Një ide nga SHBA

Rezerva federale përdori gjithë arsenalin e saj të mundësive për të qetësuar ekonominë dhe tregjet e bursave, por ato përsëri ndoqën ritmet e tyre negative të ardhura si rezultat i panikut e impaktit nga Covid-19.

Qeveritarët po e mbyllin ekonominë amerikane pa një plan se si t’u jepet frymë bizneseve që janë kaq shumë jetikë për ekonominë amerikane. Sistemi i Rezervave Federale (apo ndryshe FED) ka realizuar disa takime gjatë këtyre javëve për mënyrën se si do të ballafaqohet ekonomia amerikane përballë këtij virusi me impakt negativ botëror. Temat kryesore kanë qënë ato të reduktimit të normave të interesave por në këtë situatë kjo nuk është e mjaftueshme. Bizneset që janë mbyllur kanë nevojë të kenë frymë, pra para, për të vazhduar të jetojnë.

FED është duke zbatuar të njëjtat instrumenta që ndërmori gjatë 2008-ës, por kjo nuk është një krizë në të cilën kemi mosaftësi paguese. Këtu kemi të bëjmë me një krizë likuiditeti në të cilën nuk dimë se për sa kohë sektorë të caktuar të ekonomisë do të mbijetojnë duke pasur tregtinë të “stopuar” e punonjësit me udhëzim nga qeveria që të mos venë në punë.

Por pyetja që shumë prej ekonomistëve e qytetarëve kanë në mëndje është se si këto biznese në këtë situatë do të vazhdojnë të mbijetojnë e më pas. Shumë prej tyre mund të falimentojnë si rezultat i vonesave të pagesave të kredive e më pasi t’i japin një goditje shumë të rëndë ekonomisë amerikane. E fatkeqësisht, si gjithnjë, humbësit më të mëdhenj do të jenë klasa punëtore. Politikanët duhet të nisin të implementojnë instrumenta të reja në këtë krizë ekonomike nga koronavirusi, por si duhet të veprojnë ata?

Mënyra më e mirë se si SHBA mund të veprojë është përmes kredidhënies. Kjo do të bëjë të mundur ndalimin e kthimit të krizës së likuiditetit në një krizë të mos-aftësisë paguese. FED është më i përshtatshmi për këtë rol. Ai mund të krijojë një ndihmesë për bizneset duke i’u ofruar atyre kredi me norma të ulta përmes bankave e institucioneve të tjera financiare.

FED këtu mund t’i nevojitet e ndihma e Fondit të Stabilizimit Shkëmbimor të Thesarit (Treasury’s Exchange Stabilization Fund) e cila mund të ndërhyjë për të siguruar si garantuese kolateralet e kompanive që do marrin hua.

Idealisht kjo paketë stimuluese u duhet prezantuar atyre individëve, të ardhurat e të cilëve do të bien ndjeshëm nga kjo krizë. Presidenti Trump foli për një reduktim takse në të ardhurat por kjo nuk është e mjaftueshme për t’a mbajtur një ekonomi gjigande si ajo e Amerikës përsëri funksionale e në këmbë.

Shtëpia e Bardhë me FED duhet të ulen bashkë e të mirëmendojnë për një plan më ndihmues për ekonominë e ShBA-së. Mbase do të ishin të vlefshme si mësime shumë prej masave ndihmuese ekonomike që janë marrë në vëndet e Europës si kreditë pa-limit me norma të ulta të Gjermanisë apo siç veproi Danimarka me mbulimin prej 75% të rrogave të stafeve të punës të atyre kompanive që janë goditur nga koronavirusi. Burimi: WSJ


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë