Nga Lorela Garuli – Për fat të keq, dhuna nga edukatorët, mësuesit apo bashkëmoshatarët është realitet me të cilin përballen shumë fëmijë. Disa nga shenjat që mund të vërejnë prindërit që shërbejnë si kambana alarmi janë të renditura më poshtë.
Shenjat fizike.
Kambana e parë duhet të vijë nga vëzhgimi fizik, duke kontrolluar pjesët e dukshme dhe ato më pak të dukshme, si për shembull vendin e pelenave. Mos neglizhoni as shenja të një urie të tepruar, gjë që mund të tregojë se fëmija është neglizhuar dhe nuk është ushqyer siç duhet.
Lojëra shumë të dhunshme.
Nëse vini re se fëmija i ndëshkon kukullat shumë ashpër, i mbyll në dollap ose i ngjit në mur, kjo është një kambanë e fortë alarmi që lë vend për dyshime. Në këtë rast, shpjegojini fëmijës se dhuna kurrë nuk duhet të përdoret dhe tregojini se si duhet të luajë.
Frika pa arsye dhe mashtrimet e papritura.
Disa frikëra tek fëmijët mund të jenë normale. Nuk duhet të shqetësohemi, nëse një fëmijë shpreh frikën nga errësira apo gogoli, këto janë frikëra normale të moshës. Ajo që duhet t’ju shqetësojë është një frikë e re, që nuk e kishit vërejtur më parë. Në këto raste është mirë të kuptohet shkaku i shfaqjes së këtyre anktheve të papritura dhe dukshëm pa arsye.
Ndryshimet në humor, frika nga ndarja dhe çrregullimet e gjumit.
Te fëmijët e keqtrajtuar, mund të krijohet pasiguria, e cila gjithashtu mund të rezultojë në ndryshime në humor. Ndryshimet e papritura në gjendjen shpirtërore mund të jenë një nga shenjat e shqetësimit. Këto shpërthime, nëse ndodhin pa ndonjë shkak të veçantë dhe në një fëmijë që nuk i ka shfaqur kurrë këto forma të shqetësimit, mund të jetë sinjal i një problemi.
Vështirësi në komunikim dhe në të ngrënë.
Fëmija mund të refuzojë të flasë për episode të caktuara. Gjithashtu, mund të krijohet një heshtje selektive, për çështje të caktuara. Shpesh fëmijët mund të mbyllen në vetvete dhe të mos ju përgjigjen të tjerëve dhe kjo është normale, por jo kur kjo ndodh për një temë të caktuar. Edhe mungesa e urisë ose uria shumë e madhe mund të jenë simptoma të një problemi shumë më të thellë.
*Lorela Garuli, psikologe për fëmijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



