Para

Si ta përmirësojmë likuiditetin

Nga Meri Lika - Ndoshta do të duhej të shkruaja për ndryshimet e reja fiskale që ka publikuar qeveria apo dhe për draftin e Aministisë Fiskale, por nuk kam asnjë koment për to përveç të vetmes gjë të mirë, e cila është, trajtimi i profesioneve të lira njëjtë si gjithë tatimpaguesit e tjerë.

Sot do të shkruaj për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve, nisur nga problematikat që janë duke hasur klientët e mi dhe pikërisht do të shkruaj për likuiditetin, me fjalë të thjeshta: për paratë.

Kur flasim për të interpretuar fluksin e parasë, duhet të keni parasysh që, nëse të ardhurat janë më të mëdha se shpenzimet, është pozitive. Nëse ndodh e kundërta është sepse aftësia për të gjeneruar para, për të mbuluar kostot fikse dhe për të lënë një marzh fitimi është e ulët.

Arritja e kësaj pike supozon se aftësia paguese e biznesit është në rrezik, pasi mungesa e kontrollit dhe optimizimi i këtij treguesi është një nga faktorët kryesorë të falimentimit të kompanive. Në fakt, vlerësohet se 62% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dështojnë për shkak të menaxhimit të dobët të të ashtuquajturës rrjedha e parave.

Prandaj rëndësia e të mësuarit se si të përmirësoni hap pas hapi fluksin e parave është thelbësore, shpresoj dhe uroj që këto këshilla modeste të miat të mund t’iu ndihmojnë:

1. Kujdesu për burimet e tua të likuiditetit

Është rekomandimi më i rëndësishëm për të përmirësuar fluksin e parave. Mbani një kontroll të rreptë të gjendjes së parave të gatshme, gjendjeve në bankë, llogaritë e arkëtueshme (klientët), shitjet me pagesa të mëvonshme, etj. Në këtë mënyrë, ju do të jeni në gjendje të bëni parashikime solide, të vlerësoni aftësinë e biznesit për të prodhuar para, të identifikoni “avullimet” e kapitalit dhe, në terma të përgjithshëm, të përcaktoni me shumë saktësi shëndetin e këtij treguesi.

Në këtë pikë, është e rëndësishme të theksohet se ndjekja periodike e këtij raportimi mund të jetë vendimtare në ruajtjen e një fluksi pozitiv të parave. Kjo, sepse të ardhurat dhe shpenzimet e një biznesi, qoftë paratë e gatshme, kredia, faturat e arkëtueshme, etj, mund të krijojnë konfuzion nëse nuk kryhen në mënyrë të rregullt, dhe mund të çojnë në marrjen e vendimeve të gabuara, bazuar në informacione jo të besueshme.

2. Kujdes me parashikimet

Parashikimet e fluksit të parave janë thelbësore për të optimizuar treguesin dhe për të shmangur falimentimin, kështu që duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të jeni shumë të saktë kur bëni parashikime. Kur bëni planifikime konsideroni situatën aktuale  të biznesit tuaj po ashtu edhe tendencat e mëparshme (historia e shitjeve, blerjet e inventarit, afatet e pagesave, etj).

3. Shit dhe arkëto shpejt

Sa më shpejt të arkëtoni nga klientët tuaj, aq më shpejt do të merrni burimet që ju kanë borxh. Nga eksperienca ime, periudha mesatare e pagesës për faturat është afërsisht 60 ditë, diferencë dy mujore midis dorëzimit të një produkti apo shërbimi dhe pagesës. Pra analizoni nëse këto afate iu lejojnë të vazhdoni aktivitetin pa vështirësi.

Mirë është të krijoni një sistem faturimi dhe kontrolli që t’ju lejojë të monitoroni llogaritë e arkëtueshme (d.m.th klientët tuaj). Idealja do të ishte që klientët tuaj të paguanin në datat e rëna dakord ose më mirë akoma po të paguanin më herët. Nëse keni nevojë që kjo gjë të ndodh, aplikoni skonto, të cilën ua lejon fitimi juaj, për pagesa përpara afatit.

4. Shmange borxhin dhe ul shpenzimet

Të kërkosh kredi për të mbuluar deficitin mujor të parave është një shenjë e qartë që të ardhurat tuaja janë më pak se shpenzimet. Ulni shpenzimet dhe identifikoni shkaqet e problemit në mënyrë që të mund ta zgjidhni sa më shpejt të jetë e mundur atë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë niveli i borxhit të kompanive në Shqipëri ka qenë pothuajse i pandryshueshëm që prej vitit 2016, ky nivel varion nga 69% në vitin 2016 me pak tendencë në rënie duke shkuar 66% në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Ende nuk ka statistika të sakta se sa është rritur ky borxh si pasojë e pandemisë, por këshilla ime është, mos merrni kredi për të kaluar krizën.

5. Planifikojeni mirë rritjen

Kur kompanitë kanë një nivel të mirë të shitjeve shpesh kanë tendencën të kërkojnë të zgjerohen. Kjo është në rregull në kushtet e zhvillimit normal të ekonomisë, por në kushtet e sotme nuk duhet harruar se ekuilibri ideal i biznesit tuaj është kur ka më shumë të ardhura sesa shpenzime.

Shtimi i stafit, blerja e pasurive ose hapja e dyqaneve të reja, (kam përmendur disa shembuj) mund të çojnë në një krizë likuiditeti nëse nuk ka ROI (Kthim Investimi) në një afat të shkurtër ose të mesëm, kështu që analizoni në mënyrë të detajuar ndikimin në fluksin e parave para se të kryeni veprime për të zgjeruar biznesin.

6. Mbështetu tek teknologjia

Në këtë kohë digjitale, një ndër këshillat më të mira për të përmirësuar fluksin e parasë hap pas hapi, është përfitimi nga shfrytëzimi i teknologjisë.

Studimet kanë treguar se shoqëritë, të cilat monitorojnë fluksin e parasë në mënyrë periodike kanë një përqindje mbijetese deri në 80%. Për ta bërë të mundur ndjekjen e këtij treguesi në mënyrë mujore por pse jo edhe javore, përdorimi i teknologjisë është përcaktues, veçanërisht për të optimizuar kohën dhe për të rritur saktësinë. Ka shumë mundësi, duke filluar që nga modelet e thjeshta në excel, programet e kontabilitetit dhe deri tek sisteme të ndryshme për programimin dhe kontrollin e parasë.

7. Mbështetu te profesionisti i mirë

Dhe në fund, këshilla më e thjeshtë por më e rëndësishme është: mos harroni profesionistin. Zgjidhni një të mirë, mbështetuni tek ai, sepse është personi më i aftë për t'ju këshilluar në lidhje me kontrollin dhe menaxhimin e financave në përgjithësi dhe për të marrë vendime strategjike për biznesin tuaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë