Politike

Si ta kuptojmë Ilir Metën? Luftë me fjalë, heshtje me dekrete

Ridërgimi i emrit të Sandër Lleshit për postin e ministrit të Brendshëm nga ana e kryeministrit Edi Rama po shihet si një provë force e shefit të mazhorancës ndaj Presidentit Ilir Meta, e njëherësh si një taktikë që po synon ta nxjerrë kryetarin e shtetit në sytë e opinionit publik dhe atij ndërkombëtar si një person që po krijon konflikte.

Brenda një jave Presidentit Meta i duhet të përballet me të njëjtin propozim të Kryeministrit, atë që Sandër Lleshi të dekretohet për postin e ministrit të Brendshëm. Presidenti Ilir Meta kësaj herë me këtë lëvizje të proklamuar nga vetë Rama nuk e priti mirë, pasi mendonte se me refuzimin e bërë një javë më parë, do të  kishte një reflektim ish aleati tij politik, çka mund të pasohej me paraqitjen e një emri të ri për postin e ministrit të Brendshëm.

Kjo u vërejt në mënyrën se si kreu i shtetit iu përgjigj dje deklaratave të medias në lidhje me refuzimin e Sandër Lleshit, ku në daljen e parë publike të tij për këtë çështje nuk dha ndonjë argument, por theksoi se po zbatonte Kushtetutën.

Reagimi i numrit një të shtetit shqiptar nuk ishte i qetë, madje ai iu drejtua me një mesazh të qartë që ta linin të qetë detyrën e tij, duke i cilësuar kundërshtarët e tij nga radhët e mazhorancës, si diletantë apo amatorë që nuk dinë ta lexojnë mirë ligjin themeltar të shtetit shqiptar.

“Për sa i takon anës ligjore pa dashur të jap leksione për Kushtetutën,  por të gjithë amatorët,   diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një here të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal, apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti. Dhe të gjithë atyre, që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim. Kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që më lini të bëj detyrën time, si gjithmonë”, do të deklaronte Meta, i cili “vrapoi” për t’iu shmangur pyetjeve të tjera në lidhje me këtë çështje.

Ky nervozizëm dhe pozicion luftarak i Presidentit që në pamje të parë dukej se luftën më mazhorancën do të vazhdojë pambarimisht u shoqërua me një tjetër lëvizje, të reagimit nëpërmjet dekreteve, duke vepruar ndryshe nga ajo çfarë do të deklaronte.

Kreu i shtetit pasdite vonë, pas takimit që pati me europarlamentarin Fleckenstein dhe pas mesazheve të marra edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, mori vendimin për të firmosur pro dekretimit të ligjit për mbylljen të gjitha pikave të basteve sportive pas 1 janarit. Ndërsa pas një ore, Presidenca do të njoftonte zyrtarisht shpalljen e vendit vakant për një anëtar në Gjykatën Kushtetuese, pas mbarimit të mandatit të Altina Xhoxhës si rezultat i nga procesi të Vettignut.

“Pata kënaqësinë të takohesha me eurodeputetin, Knut Fleckenstein. Vetëm reformat e vërteta në fushën e sundimit të ligjit do të çojnë drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, do të deklaronte Meta, përpara nxjerrjes së dy dekreteve.

Dekreti për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, erdhi menjëherë pas “akuzave” të ngritura se Presidenti me propozimin e anëtares Vitore Tusha si kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit po synon që të bllokonte procesin e Reformës në Drejtësi, apo funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku e propozuara është anëtare.

Me situata të ngjashme, me deklarata të forta, “lufte” reagoi dhe në fillim të kësaj jave. Nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi do t’i kujtonte kryeministrit Edi Rama se koha e drejtimit të vendit nga sekretar partie ka marrë fund. Qëndrim ky i ardhur një ditë pas takimit të zhvilluar mes tyre “tet ă tet”.

“Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin (me Kryeministrin) ka qenë ezaurues.  Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet. Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë  interes. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, do të thuhej në reagimin e Presidentit. Ndërsa do të dekretonte Vitore Tushaj si kryetar të KLSH-së, e më pas po me anët të shkresave do t’i jepte fund përplasjes njëvjeçare me Ramën për kreun e SHISH, duke e dekretuar Helidon Bendon në krye të këtij institucioni.

Tabloja që Meta ofron është se kur qëndrimet e tij janë të ashpra në publik dhe me gjuhën e luftës, ai nuk vonon të nxjerrë dekrete për firmosje emërimesh apo për “miratim” ligjesh. Dhe kjo duket si një taktikë e tij Presidentit, e cila po synon të tregojë se shkaktari i konfliktit nuk është ai, por synon të fajësojë Kryeministrin. Por edhe kur shfaqet “agresiv” me fjalë, Presidenti tregohet “qetë” me letra duket firmosur dekretet.

E kundërta ndodh, kur kreu i shtetit shfaqet i qetë përpara opinionit publik, pasi me letra vepron duke kthyer mbrapsht të ligjeve, apo me bllokime të propozimeve për emërime. Të tilla janë kthimet e ligjeve për Teatrin, apo dhe bllokimi i dekretimit të shefit të SHISH-it për 1 vit, gjersa Presidenti u bind ta firmoste.

Tashmë Meta është përpara presionit tjetër për emrin e ripropozuar për postin e ministrit të Brendshëm. Kryeministri kësaj here është munduar ta bindë Presidentin e mos bindur një javë më parë, duke i dërguar një relacion të hollësishëm mbi arsyet se pse Sandër Lleshi duhet të jetë ministër i Brendshëm dhe pse ky institucion duhet të jetë sipas apelit të ndërkombëtarëve në mënyrë funksionale të plotë, duke pasur si titullar jo një zëvendës, por një ministër.

Në këtë betejë, Meta kësaj here ka përballë edhe faktorin ndërkombëtarë, i cili përditë po shton apelet për të zgjidhur ngërçin. Sot, presidenti Meta pas takimit, që pati me delegacionin e me përfaqësues nga gjykatat turke, të kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë, z.İsmail Rüştü Cirit, u nis për një vizitë zyrtare në Francë ku do të marrë pjesë në Ceremoninë e 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore dhe në Forumin e Parisit për Paqen. Kjo vizitë pritet të jetë edhe një moment reflektimi për numrin një të shtetit shqiptar sa i përket krizës institucionale të krijuar me çështjen “Lleshi”.

Këto udhëtime të kreut të shtetit koiçedojnë sa herë që në zyrën e tij paraqiten kërkesa për dekretime nga ana e Kryeministrit. Kështu me paraqitjen për herë të parë të propozimit për emërimin e Lleshajt në këtë detyrë, presidenti disa ditë më pas udhëtoi drejt Turqisë, i ftuar nga presidenti Erdogan për të marrë pjesë në inaugurimin e aeroportit të ri të Stambollit.

Ndërsa më 6 nëntor udhëtoi drejt Italisë, pasi firmosi dekretin për emërimin e kreut të SHISH dhe të publikimit të qëndrimit  më 3 nëntor për refuzimin e propozimit për të dekretuar Lleshin si ministër të Brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë