Nga Liridon Mulaj – Si është raporti i burrave ndaj grave në mjediset urbane dhe sa e demonstron ai superioritetin qoftë dhe instiktiv ndaj saj, nisur nga veprime krejt të vogla si shkëmbimi në rrugë. Këtë rreket të na e paraqesë artistja, Blerta Kambo, e cila me një kamer mbi sup, ecën rrugëve të Tiranës duke regjistruar tjetrin përballë dhe sjelljen e burrave, hera herës instiktive. “Pe në sy” është puna e saj më e fundit e ekspozuar në “Kub France Tirana , e cila nëpërmjet instalacionit dhe syzeve virtual VR , na paraqet një pjesë të panoramës frustruese të gruas shqiptare në hapësirat publike.
Në një rrëfim për GazetaSi.al Blerta Kambo shpjegon se pse vendosi ti jepte zë feminizmit nëpërmjet një vepre arti të ndërtuar në dy dimensione
“ Instalacioni me penj i cili ka marrë edhe emrin “Pe në sy” është ndërtuar në shërbim të punës kryesore që është pamja që mund të shihet në syzet VR. Penjtë me ngjyra janë ndërtuar dhe lidhur në formën e një labirinti i cili tregon pengesat që has në jetë njeriu dhe kryesisht gratë në këtë vend. Ndërsa nga syzet mund të shohësh një tour që unë kam bërë në rrugët e Tiranës të cilat mbajnë vetëm emra grash. Kjo është një simbolikë e zgjedhur që lidhet me mesazhin e videos. Tirana ka vetëm 3.3 për qind të rrugëve të emërtuara me emra grash, pra një raport shumë i vogël ky edhe pse një raport thuajse i njëjtë është edhe në vende të tjera të Europës. E gjitha kjo ështe mbështetur nga Ambasada Franceze në kuadrin e fushatës “Diplomacia feministe”. ” thotë Kambo.

Ajo shpjegon se video-tourin e ka realizuar duke u nisur nga një qëmtim personal , tek raporti mes gruas dhe burrit në një shkëmbim krejt spontan në rrugë duke theksuar se burrat mbase edhe në mënyrë të natyrshme janë më të sigurtë kur ecin .
“Videot e realizuara në rrugë reflektojnë diçka të cilën e kisha vënë re në ecjet e mija në qytet. Burrat janë gjithmonë më të sigurtë në sjelljen e tyre sesa gratë , në këtë rast ecja në rrugë. Dhe çuditërisht ka shumë burra që kur shkëmbehesh me ta, të imponojnë një mënjanim për të lëshuar rrugën. Kjo sjellje në vetvete tregon dhe për një ndjesi pasigurie që është brenda gruas. Dhe mbi këtë fakt ndërtova ecjen time në rrugë duke xhiruar edhe si një metaforë e kufizimit të hapësirave dhe një lloj inferioriteti të imponuar”
Arti është mënyra e Blerta Kambos për të ngritur kauza dhe për të sensibilizuar shoqërinë mbi rëndësinë e të drejtave dhe mundësive të barabarta mes burrave dhe grave.

“ Feminzimi nuk është një superioritet i gruas mbi burrin por është një barazi mes tyre. Në rastet kur femra është e favorizuar shpesh ndodh edhe fenomeni i objektifikimit të gruas e cila ka prapavijë seksuale. Kjo është e rëndë ta mendosh. Asnjë grua nuk do që të favorizohet vetëm se është e tillë dhe përbën një lloj objekti për shfrytëzim seksual. Prandaj dhe feminzimi është i rëndësishëm që mundësitë dhe të drejtat të jenë të barabarta” shton më tej ajo.
Kambo thotë se edhe patriarkati është i dëmshëm për burrat sepse në tërësi ndërton një sistem shtypës. Por edhe feminizimi shpesh është keqpërdorur por dhe keqinterpretuar. Edhe pse ajo beson se patriarkati është po aq frustrues edhe për burrat sepse ka ndërtuar rreth tyre një sistem shtypës. Gjithashtu ajo shprehet se ndjeshmëria për të krijuar vepra arti në mbrojtje të gruas ka lindur si pasojë e një fenomeni të cilin e ka vuajtur edhe ajo.

“ Jam rritur në Shqipëri dhe e kam parë sesi gruaja ishte ajo e cila duhet të gatuante, të lante dhe të ishte në njëfarë mënyrë robot. Për shumë kohë kam refuzuar të gatuaj kur isha vogël sepse mendoja se do të ishte diçka që do më përndiqte gjithmonë. Por këtë nënvlerësim e kam vuajtur dhe kur nisa të punoja fillimisht si fotografe. Paragjykimet kanë qenë të shumta duke më etiketuar si fotografe e dobët apo natyrë e brishtë e cila mund të fotografonte vetëm lule apo objekte që i përputheshin me brishtësinë e femrës”

Të jesh grua do të thotë të kufizohesh veç të tjerave në përkatësi por dhe në hapësirë. Që këtu nis një lloj “intolerance” e cila zgjerohet në kohë dhe hapësirë dhe përfundon deri në maskilizëm dhe mizogjeni. A është kjo sjellje institkive apo pasojë e një sjelljeje kolektive e mbrujtur që në gjenezë? “Pe në sy” është vetëm një nga “protestat” e drejta dhe të denja për të drejtat e grave, kaq të rëndësishme në mirëqënien e një shoqërie por dhe kaq të nevojshmë në një ambient që bërtet për kauzat por që shpesh nuk prodhon zgjidhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.