Letra e Presidentit amerikan, Donald Trump për rritjen e shpenzimeve të NATO-s, duket se ka shkakuar një tërmet politik në mbarë Europën. Vendet anëtare kundërshtuan akuzat se nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen ushtarake, duke theksuar ndër të tjera se shumica e kombeve europiane kanë rritur ndjeshëm kontributin e tyre në NATO, përgjatë viteve të fundit. Një javë para se të nisej për në Bruksel, për të marrë pjesë në samitn e aleancës ushtarake Trump u shkroi disa letra disa prej vendeve aleate duke u bërë thirrje, të rrisin buxhetet e tyre ushtarake. Deri më tani, Italia, Gjermania, Hollanda, Kanadaja, Spanja, Belgjika, Luksemburgu dhe Portugalia konfirmuan se kanë marrë një version të kësaj letre, por lista ka të ngjarë të jetë më e gjatë. Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar qeveritar i NATO-s tha përpara takimit të 11 dhe 12 korrikut se kishte informata se të gjithë anëtarët e bllokut morën nga një letër të tillë. Nëse kjo është e vertetë, atëherë edhe qeveria shqiptare ka marrë letrën paralajmëruese të Presidentit amerikan, edhe pse mund të ketë preferuar të mos flasë publikisht për këtë ccështje.
Gjatë një takimi të liderëve të NATO-s në maj të vitit 2017, Trump nuk ofroi mbështetje klauzolën e mbrojtjes kolektive, një nga bazat kryesore mbi të cilat është ndërtuar aleanca ushtarake, duke nxitur në vend të kësaj udhëheqësit e tjerë për të përmbushur kontributin prej 2 për qind të GDP-së. Shumë kryeqytete evropiane janë jashtëzakonisht të shqetësuara mbi rezultatin e samitit të këtij viti pasi muajin e kaluar, Trump nuk pranoi të miratontë komunikatën e përbashkët të samitit të G7-ës. Ministri norvegjez i Mbrojtjes, Frank Bakke Jensen, tha në një deklaratë për shtyp se Norvegjia ka rritur shpenzimet e mbrojtjes me 24 për qind në terma realë që nga viti 2013 dhe se shpenzimet për pajisje ushtarake kapin 27 për qind të buxhetit të saj.
Kryeministri italian Giuseppe Conte doli gjithashtu kundër kreut të Shtëpisë së Bardhë, duke u thënë gazetarëve në Romë se vendi i tij po kontribuon, por format e kontributit nuk maten vetëm në aspektin ekonomik. “Në po kontribuojmë në misionet që janë strategjike për NATO-n”, tha ai. Italia është shtëpia e disa bazave detare të SHBA-ve dhe është e përfshirë në misionet ushtarake në Irak, Afganistan, Libi, Turqi, Kosovë, Liban, Somali dhe shtete baltike. Hollanda mori letrën e Trump javën e kaluar, edhe pse kjo çështje u diskutua gjatë vizitës së kryeministrit holandez Mark Rutte në Shtëpinë e Bardhë të hënë. Rutte tha se ai e kupton kërkesën e Trump për më shumë shpenzime dhe se kabineti i tij do të rrisë buxhetin ushtarak të Holandës.
Kanadaja u zotua në vitin 2017 të rriste shpenzimet e mbrojtjes me më shumë se 70 për qind gjatë dekadës së ardhshme. “Ky plan i hartuar rigorozisht, është plotësisht i financuar dhe i shërben nevojave të Kanadasë- tha në një deklaratë Renée Filiatrault, zëdhënësja e Ministrit të Mbrojtjes- Kanadaja është krenare që ka kontribuar në çdo operacion të NATO-s që nga themelimi i Aleancës më shumë se gjashtë dekada më parë”.
NATO tha muajin e kaluar se anëtarët e saj evropianë dhe Kanadaja do të rritnin shpenzimet e mbrojtjes me 3.8 për qind, gjatë këtij viti. Në Evropë, vetëm Estonia, Greqia dhe Britania kanë rrituar kontributet e tyre, ndërkohë që Polonia, një nga ekonomitë më në rritje në Evropë, vazhdon të paguajaë 1.99 për qind të GDP-së. SHBA-ja shpenzon 3.6 për qind të PBB-së, ndërsa Kanadaja vetëm 1.3 për qind. Por udhëheqësit europianë si Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë thënë se politikat izoluese të Presidentit Trump duhet t’i bindin evropianët të kujdesen gjithnjë e më shumë për sigurinë e tyre. Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord në një samit në Bruksel javën e kaluar për të rritur bashkëpunimin ushtarak mes tyre.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, u tha gazetarëve në Berlin se letra e Trump tregon se sa i rëndësishëm është NATO. “Gjithsesi, Gjermania nuk synon të përshtatet me askënd- tha ajo- Ne jemi në rrugën tone dhe jemi të përgatitur për të marrë përgjegjësinë në aleancë nëpërmjet kontributeve dhe aftësive ushtarake. Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i tha të martën sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg se kontributi i një vendi për sigurinë globale nuk mund të matet thjesht nga përqindja e shpenzimeve, por edhe nga parametra të tjerë të tillë si disponueshmëria e kapacitetit ushtarak dhe gatishmëria për ta përdorur atë. Udhëheqësi spanjoll i bëri këto vërejtje gjatë një takimi në Madridit me kreun e NATO-s në të njëjtën ditë kur u zbulua se Spanja mori letren e Presidentit Donald Trump. Spanja është një nga anëtarët e NATO-s që shpenzon më së paku në aleancë, vetëm 0,92% të PBB-së, ndërkohë që Belgjika 0.90% dhe Luksemburgut 0.46%.
Stoltenberg vizitoi Madridin si pjesë e një turneu për të diskutuar përgatitjet e samitit tq NATO-s. Në fund të takimit, qeveria spanjolle lëshoi një deklaratë për shtyp duke deklaruar Spanja do të jetë një aleat i vendosur për sigurinë euroatlantike “. Nga ana e saj Spanja ka vendosur 1,161 trupa në misionet e NATO-s, 616 në misionet e OKB dhe 757 në misionet e BE-së. Burimet diplomatike spanjolle theksuan se disa aleatë të NATO-s me shpenzime shumë më të larta ushtarake, si Turqia apo Greqia, kanë një pjesëmarrje shumë më të vogël në misionet e aleancës dhe fokusohen kryesisht në vetëmbrojtje.
Por pavarësisht reagimeve të shpërndara, aleatët nuk kanë dalë më një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës së Presidentit Trump. Shumica e vendeve anëtarë përballen me probleme të brendshme, duke bërë që shpezimet ushtarake të mos jenë më një përparësi. Megjithatë, barra e NATO-s nuk do të mund të mbahet gjithnjë nga SHBA-ja. Gjatë samitit të javës së ardhshme, vendet anëtare mund të jenë të detyruara të rrisin kontributin e tyre në aleancë, një vendim që do ishte një goditje e madhe për ekonominë e gjymtuar të vendit tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.