Ne rrjet

Si po u “mbyll derën” Gjermania punëtorëve nga Ballkani Perëndimor?

"Në Kosovë është më e lehtë të fitosh Lotarinë Amerikane sesa të pajisesh me një vizë gjermane. Është një procedurë rraskapitëse- shprehet Zgjim Berisha, një kirurg që është në vitin e fundit të trajnimit në spitalin universitar në Prishtinë- Unë njoh disa mjekë dhe infermierë që flasin rrjedhshëm gjuhën gjermane dhe dëshirojnë të punojnë në Gjermani. E vetmja pengesë është viza".

Kohët e fundit, hyrja e qytetarëve nga Ballkani Perëndimor në Gjermani është vështirësuar ndjeshëm për shkak të zgjatjes së afatit kohor për të aplikuar për një vizë punë. Qytetarëve nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia u është mundësuar të hyjnë në Gjermani për viza pune që nga nëntori i vitit 2015. Marrëveshja, e cila erdhi pas një sërë bisedimesh burokratike, caktonte si kusht të vetëm faktin që aplikantët duhet të kishin një ofertë pune nga një kompani gjermane.

Në nëntë muajt e parë të 2017-ës, ambasadat gjermane në Ballkan dhanë plot 19,294 viza, shumica në Bosnje-Hercegovinë  (4,702 viza) dhe Kosovë ( 4,758 viza)për t’u ndjekur më pas nga Maqedonia (3,675 viza) dhe Serbia (3,613 viza). Në të njëjtën periudhë, Ambasada Gjermane në kryeqytetin e Tiranës ka dhënë 2.796 leje pune. Por mijëra qytetarë nga Ballkani janë ende duke pritur që t’u shqyrtohen lejet e punës. Vonesa është e gjatë. Aplikantët nga Kosova përballen tanimë me më shumë se një vit pritje

Angela Merkel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor 

"Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të aplikimeve për viza pune nga Ballkani Perëndimor", konfirmoi Ministria e Jashtme gjermane, duke shtuar se numri i tyre vazhdon të rritet.

“Periudha e pritjes ndërmjet kërkesës së aplikantit për vizë dhe datës aktuale të paraqitjes zyrtare të kësaj kërkesës është rritur shumë”, shprehet Carola Burkert, një eksperte e emigracionit në Institutin për Hulumtime Profesionale (IAB), për "DW". Vendet që janë të detyruara të presin për periudha më të gjata kohore janë Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.  Aplikantët nga Prishtina janë lënë harresë për më shumë se një vit. Qytetarët nga Bosnje-Hercegovinë po presin prej shtatë muajsh, ndërsa në Shqipëri pritja ka zgjatur deri në gjashtë muaj.

"Imagjinoni të keni një ofertë të shkëlqyer  pune- tha Burkert- Ndërkohë që punëdhënësi ju kërkon me ngulm të përcaktoni datën e nisjes së kontratës.  Nuk është faji i tij që punonjësi i ardhshëm nuk është në gjendje të arrijë në kohë, sepse nuk ka mundur të marrë vizën e punës brenda afatit kohor”.  Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me Bekim Imerin. Shoferit të kamionit nga Gostivari iu ofrua një kontratë pune nga një kompani në qytetin gjerman të Paderbornit. Por pas muajsh të tëra pritjeje, kompania u tërhoq sepse duhet të plotësonte sa më parë vendin vakant. “Askush nuk të pret për një kohë të gjatë në Gjermani," thotë Imeri. 46-vjeçari filloi të kërkonte një tjetër punë në Gjermani.  Atij iu ofrua një vend pune nga grupi “Eraslan” në Shtutgart. Këtë herë, Imeri dorëzoi personalisht kontratën e punësimit së bashku me një kërkesë të re për vizë pune në Ambasadën Gjermane në Shkup. Por Imeri shqetësohet çdo ditë se mund të humbasë edhe shansin e tij të fudnit në Gjermani.

Prishtine

Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar një mospërputhje të konsiderueshme midis numrit kërkesave për viza dhe numrit të miratimeve nga Agjencia Federale Gjermane e Punës, e cila është pengesa e fundit në procesin e aplikimit. Ndërmjet nëntorit të vitit 2015 dhe shtatorit të vitit të kaluar, numri i aplikimeve për viza pune arriti në 128,000, por vetëm 38,000 prej tyre u miratuan.

Pse duhet shumë kohë për të marrë një vizë pune?

"Periudha e pritjes për aplikimet për vizë varet gjithmonë nga kërkesa aktuale dhe kapaciteti njerëzor i Ambasadave Gjermane dhe institucioneve të tjera paralele për të përpunuar aplikimet për viza- shpjegoi Ministria e Jashtme Gjermane- Ambasadat në shtetet e Ballkanit Perëndimor po punojnë me kapacitetin maksimal, por burimet njerëzore janë duke shteruar".

Në vitin 2017, Ambasada Gjermane në Prishtinë po shqyrtonte rreth 50,000 aplikime për viza duke filluar nga ato afatshkurtra për turistët, deri tek vizat afatgjata për studentët, bashkimet familjare ose punësimin. Megjithatë, kërkesa vazhdon të tejkalojë kapacitetin njerëzor. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Ambasadën Gjermane në Beograd, Serbi.

"Deri në qershor të këtij viti, koha e pritjes për një takim në ambasadën gjermane ishte tashmë katër deri në pesë muaj- , tha Dejani, një i ri serb që iu ofrua një vend pune nga një kompani IT-je në Berlin. Ai ka aplikuar që në shkurt, por ende nuk ka mundur të bëjë kërkesën në Ambasadën Gjermane në Beograd.  Kleis Hazizi, një i ri nga Shqipëria, të cilët i është ofruar një vend pune si shpërndarësh mallrash nga një kompani në shtetin lindor të Thuringisë, ka pritur pesë muaj për një vizë. Ai paraqiti dokumentet e nevojshme disa muaj më parë, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje. Burkert shprehet se zgjatja e këtyre procedurave është një mjet për frenimin e emigracionit.

“Ajo që bie në sy më shumë është Prishtina, me më shumë se një vit kohë pritjeje, Sarajeva me më shumë se një vit, Beogradi 7 muaj, Tirana 6 muaj, kjo ka qenë gjendja në shkurt të 2018-s, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar këto afate pritjeje u shtuan. Por nuk duhet të llogarisni vetëm këtë kohë. Por edhe kohën e përpunimit të dokumenteve, pra qëkur si person kam bërë kërkesën për vizë e deri kur ajo miratohet kalon po ashtu mjaft kohë. Për këtë ne nuk kemi të dhëna, vetëm hamendësimin se me një orar kjo çështje nuk përmbyllet. Pra nuk e dimë saktë, se sa kohë kalon nga momenti, po, kam ofertë për punë deri në ditën kur e kam vizën në dorë- shprehet ajo- Rregullorja, në fund të fundit ajo ishte një këmbim, punë në vend të azilit, sepse u rritën shumë kërkesat për azil. Ideja në Këshillin Federal Gjerman, migrim për punë në Gjermani ishte një risi në politikën gjermane të migracionit, pra që të ardhurit për të imigruar në Gjermani kishin nevojë vetëm për një ofertë pune. Kjo ishte rregulluar gjithmonë përmes kualifikimit. Por ajo që nuk u mendua ishte rritja e menjëhershme e kërkesave për punë. Nga nëntori i vitit 2015 deri në fund të vitit 2017 u dhanë 120.000 miratime provizore paraprake nga Agjencia e Punës. Sektorët e vizave u përmbytën le të themi. Mendoj se si nga ana e personelit edhe kapacitetet e tjera ambasadat nuk ishin të përgatitura për këtë. Kapacitetet e personelit nuk mjaftojnë. As rritja maksimale që thotë qeveria gjermane në përgjigjet zyrtare nuk e zbut gjendjen.

Sipas Bunkert, zgjatja e procedurave ka zhgënjyer jo vetëm emigrantët nga Ballkani, por edhe shumë punëdhënës gjermanë, të cilët presin me muaj të tërë që dikush të marrë dokumentet e punonjësve të tyre të ardhshëm nga pirgjet e mëdha të dokumenteve që dergjen brenda mureve të ambasadave gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë