Nga Gazeta “SI”- ‘Kërkesat për lidershipin dhe njeriun e ri të biznesit kanë ndryshuar. Ajo që bota e biznesit rreket të kërkojë tani është një përsosje njerëzore.’
Ky është një nga temat e diskutimit që mbi 135 përfaqësues nga vende të ndryshme të Europës po zhvillojnë në Shqipëri, në konferencën e 33-të të Shoqatës CEEMAN.
Gazmend Haxhia, zv/president i CEEMAN, thotë për GazetaSi.al se biznesmeni i së ardhmes nuk mjafton të ketë vetëm aftësi tregu, por duhet të jetë edhe i kulturuar.
Sipas tij, sipërmarrësi i së ardhmes, edhe pse njeri, do të duhet të ‘sfidojë robotët’, duke pasur parasysh se aftësitë tashmë menaxheriale nuk mjaftojnë.
Ajo që është e rëndësishme dhe mbase jetike në të ardhmen vëren ai, është edhe zotërimi i aftësive të buta, çka e projektojnë sipërmarrësin e së ardhmes thuajse si një individ perfekt.
“Unë mendoj se njeriu perfekt nuk mund të arrihet. Gjatë hapjes së konferencës, ngritëm një sërë çështjesh, ku njëra prej tyre kishte të bënte me soft skills, aftësitë e buta si komunikimi, buzëqeshja, etika. Pra jo vetëm financa dhe ID-ja. Janë shumë të rëndësishme që këto të kombinohen edhe me sjelljen për një lider të së ardhmes. Pra një kombinim mes hard skills dhe soft skills. Unë personalisht nuk besoj te një recetë sesi do të jetë lideri i së ardhmes, por mendoj se duhet të ketë karakter, komunikim dhe aftësi të mira vendimmarrjeje, si dhe fuqizimin e stafit. Mbi të gjitha, duhet të jetë njeri.”

Por sa përputhen politikat globale të CEEMAN me politikat e brendshme të shtetit shqiptar dhe a ka një pikë ku ato mund të bashkohen për të dhënë rezultate konkrete?
Haxhia thotë se, përtej nismave dhe përpjekjeve interesante, shteti shqiptar duhet të jetë më shumë mbështetës.
“Mendoj se shteti shqiptar po ndërmerr iniciativa interesante të cilat kontribuojnë pozitivisht në lidhjen e arsimit me biznesin. Sigurisht që presim më shumë mbështetje për projektet dhe idetë tona. Ajo që unë doja të shihja do të ishte një rol moderatori mes arsimit publik, arsimit profesional dhe kompanive private, duke ndërtuar një ekosistem që mund të prodhojë edhe raste studimore mbi ekonominë shqiptare” thotë Haxhia.
Në mbyllje, ai thekson se kjo konferencë do të dalë me konkluzione dhe nisma konkrete.
“Ne do të mundohemi të filtrojmë rolin e shkollave të biznesit në këtë botë me gjithë këto sfida gjeopolitike. Do të distilojmë iniciativat e mira në mënyrë që të gjithë pjesëtarët t’i përdorin nesër kur të shkojnë në shkollat e tyre. Por roli i këtyre organizimeve është shumë i madh nga çfarë del nga përmbajtja. Njerëzit po bëjnë networking, po diskutojnë për iniciativa të ndryshme në vendet e tyre” vëren ai.
Duket se e ardhmja, njëkohësisht me zhvillimin e teknologjisë, do të përsosë edhe qenien njerëzore.
Tashmë sipërmarrësi tradicional, i cili mbartte përtej kursimeve edhe guximin për të investuar pa njohur, do të mbetet një praktikë e së shkuarës.
Aftësitë menaxheriale dhe profesionale, çka deri më sot kanë qenë kriter kryesor, tashmë nuk mjaftojnë pa karakterin e fortë, emotivitetin, kulturën e përgjithshme dhe sjelljen humane.
Kështu, duke mbetur te kultura dhe saktësisht te filozofia, mund të hamendësojmë se mbinjeriu, hipotezën e të cilit Niçe e hodhi një shekull e gjysmë më parë, do ta konkretizojë biznesi.
CEEMAN*-Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillimin e Menaxhimit në Shoqëritë Dinamike
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



