Nga “turpi i fluturimit” në Suedi te biletat e lira të trenit në Gjermani e deri te ndalimet e fluturimeve në Francë, vendet europiane po përpiqen t’i bëjnë njerëzit të përqafojnë udhëtimet me emetim më të ulët karboni që janë ato me tren.
Washington Post hulumtoi se sa mirë po funksionojnë këto përpjekje dhe nëse hekurudhat e Europës janë gati për një epokë të re.
Duke pritur në një stacion treni në Hassleholm, Suedi, Manni Elfborg shpjegoi pse familja e tij po bënte një udhëtim 24-orësh hekurudhor, në vend të dy fluturimeve të shkurtra, për në destinacionin e tyre të pushimeve në Slloveni.
Elfborg, 61 vjeç, tha se i pëlqen të zbresë në mes të qyteteve, në vend se në periferi ku ndodhen zakonisht aeroportet.
Por djali i tij, 27-vjeçari Theodor, pranoi se ata ishin një përjashtim në mesin e miqve të tyre: “Ne jemi zakonisht të vetmit që themi: “Ne morëm trenin”.
Për gati dy dekada, fluturimet e lira dhe të shkurtra përcaktuan udhëtimin europian. Me rritjen e linjave ajrore, njerëzit filluan të konsideronin udhëtime që më parë ishin të paarritshme për ta. Dhe njerëzit përfituan nga kjo qasje, duke eksploruar vende dhe kultura të tjera, duke përqafuar idealin e Bashkimit Europian për lëvizjen e lirë përtej kufijve.
Por të gjitha ato fluturime arritën në një gjurmë të madhe karboni. Ndonëse të lira për udhëtarët, ata shkaktuan një kosto të madhe mjedisore, duke minuar premtimet e Europës për të ulur emetimet e dëmshme dhe për t’u bërë neutrale ndaj karbonit.
Tani, qeveritë dhe grupet europiane të ndërgjegjshme për klimën kanë filluar të bëjnë përpjekje të ndryshme për t’i larguar njerëzit nga zakonet e tyre të fluturimit.
Disa po krijojnë lëvizjen e “turpit të fluturimit” të popullarizuar nga aktivistja suedeze Greta Thunberg. Gjermania dhe Spanja kanë eksperimentuar me mënyra për ta bërë udhëtimin me tren më tërheqës, duke ofruar bileta me një çmim minimal. Ndërkohë, Franca, Holanda dhe Austria po përpiqen të kufizojnë opsionet e njerëzve duke kufizuar fluturimet.
Washington Post zbuloi se sa mirë po funksionojnë këto përpjekje, nëse po i shtyjnë njerëzit të heqin dorë nga fluturimet.
Dy gazetarët e Washington Post, Rick Noack dhe Meg kelly nisën një udhëtime me tren që filloi në Suedi dhe më pas në Danimarkë, Gjermani, Holandë dhe Belgjikë derisa përfunduan në Francë.
Gjatë rrugëtimit, ato zbuluan se përpjekjet e qeverive kanë kontribuar në një rilindje hekurudhore. Trenat në fund të verës në Europë ishin të mbushur plot. “Kisha një vend në dispozicion në këtë tren për herë të fundit në maj”, tha Linus Hall, menaxher i një treni që bën rrugën Stokholm-Berlin.

Megjithatë, fluturimet janë pothuajse përsëri në nivelet e para pandemisë. Dhe për ata që zgjedhin trenin, shërbimet hekurudhore evropiane mund të mos jenë sipas pritshmërive të tyre. Udhëtimi i dy gazetarëve përfshinte vonesa të shumta, radhë të gjata, bagazhe të vjedhura dhe në një moment një problem hekurudhor që i detyroi të largoheshin nga treni dhe të hipnin në autobus.
Standardi mbizotërues i udhëtimit me tren në Europë është shumë larg nga disa linja të njohura por përsëri njerëzit duket se “i pranojnë”.
Epoka e re e udhëtimeve hekurudhore filloi në verën e vitit 2019, kur Thunberg, atëherë 16 vjeç, ndihmoi në popullarizimin e flygskam, ose “turpi i fluturimit”. Në Suedi atë vit, udhëtimi me tren u rrit me një të tretën, ndërsa udhëtimi ajror ra me rreth 4 për qind në aeroportet kryesore të vendit.
Paul Chiambaretto, i cili ka studiuar lëvizjen e turpit të fluturimit, tha se turpi ka kufijtë e tij.
“Njerëzit që udhëtojnë shpesh me tren janë gjithashtu ata që udhëtojnë shpesh me avion”, tha ai, duke shtuar se pakkush ka turp.
Për shumë njerëz, varet se cila mënyrë transporti është më pak e vështirë. Dhjetë aeroportet kryesore suedeze panë rreth një të katërtën më pak udhëtarë këtë verë sesa në vitin 2019, përpara pandemisë. Por së bashku me shqetësimet mjedisore, kjo rënie mund të lidhet me grevat, anulimet e përhapura të fluturimeve dhe rritjen e çmimeve të biletave. Ndërkohë, numri i pasagjerëve hekurudhor ra me 5 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Pasagjerët e trenave thanë për Washington Post se janë alarmuar nga parashikimet e shkencëtarëve rreth gjendjes mjedisore dhe përdorimi i trenit për të udhëtuar është një mënyrë për të ulur ndikimin e tyre në mjedis.
Me ringjalljen e udhëtimeve me tren, kompanitë hekurudhore europiane kanë konkurruar për të siguruar vagonë më bashkëkohorë.
Qeveria gjermane dëshiron të dyfishojë transportin e trenave deri në vitin 2030. Dhe nuk mendon se turpi, apo parandalimi i kaosit të aeroportit do të ndikojë në shtimin e personave që përdorin trenin. Kështu që këtë verë u përpoq t’i bënte njerëzit t’i hidhnin një vështrim të ri transportit publik, duke lehtësuar barrën e inflacionit, me ofertën e udhëtimit të pakufizuar rajonal me hekurudhë dhe autobus, që kushton vetëm rreth 9 dollarë në muaj.
Në fund të eksperimentit tre mujor, kompanitë hekurudhore gjermane raportuan se kishin shitur më shumë se 52 milionë bileta. Trenat rajonalë ishin 10 për qind më të ngarkuar se përpara pandemisë. Dhe një në pesë persona që përdorën biletat thanë se më parë nuk e përdornin transportin publik.
Sipas vlerësimeve paraprake nga një shoqatë e transportit publik, biletat mund të kenë kursyer 1.8 milion ton emetim të dioksidit të karbonit.
Sabine Laurisch, një pensioniste që nxitoi të blinte një biletë 9 euro kur ato u
Në qytetin gjerman të Hanoverit, stacioni i trenit ishte aq i zënë sa lëvizja ishte shumë e vështirë.
Kështu ka qenë gjatë gjithë verës, thanë udhëtarët dhe stafi.
Një grevë në Holandë i detyron njerëzit të dalin nga treni.
Kur treni i gazetarëve arriti në kufirin holandez, udhëtimi i tyre hasi pengesën e tij më të madhe: një grevë e madhe hekurudhore në Holandë çka i detyroi të zbrisnin nga treni dhe të merrnin autobuzin.
Në një intervistë, Ministrja holandeze e Mjedisit Vivianne Heijnen tha se me ndryshimin e klimës, toka ka bërë ndryshime dhe kjo do të thotë se shtretërit hekurudhor kërkojnë rikonstruktim dhe rritje e kostos së mirëmbajtjes duke sjellë një tjetër sfidë për qëllimin e tyre për të shtuar me 30 për qind pasagjerët deri në vitin 2030.
Pjesa e fundit e udhëtimit i çoi dy gazetarët nga Holanda në Francë, të dyja vendet që kanë shkuar përtej turpërimit dhe stimujve dhe kanë filluar të kufizojnë fluturimet si opsion.
Aeroporti Schiphol i Amsterdamit, një nga qendrat ndërkombëtare më të ngarkuara në botë, në qershor vendosi një kufi për numrin e pasagjerëve që mund të niseshin prej andej. Aeroporti planifikon të vazhdojë kufijtë deri në fund të marsit.
Në afat të shkurtër, masa ka të bëjë kryesisht me trajtimin e mungesave të stafit pas pandemisë, të cilat kanë shkaktuar linja të gjata dhe anulime fluturimesh. Por duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria holandeze, e cila zotëron shumicën e aksioneve në Schiphol do të kufizojë fluturimet brenda dhe jashtë aeroportit në 440,000 fluturime në vit, 12 për qind më pak nga kulmi i vitit 2019. Në atë vendim, qeveria theksoi nevojën për të adresuar ndryshimet klimatike.
Në stacionin qendror të trenit në Amsterdam disa udhëtarë thanë se Schiphol nuk ka nevojë të punojë shumë për t’i mbajtur njerëzit afër trenave.
Ndërkohë Franca ka një metodë tjetër. Pasi klubi më i mirë i futbollit i vendit postoi një video të ekipit të tij duke udhëtuar në një ndeshje aty pranë me avion dhe jo me tren apo autobus, ministri i transportit tha se “Të gabosh është njerëzore, të ngulmosh është djallëzore”.
Si pjesë e një përpjekjeje për të reduktuar emetimet e karbonit me 40 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990, qeveria franceze dëshiron të ndalojë fluturimet e brendshme me distanca të shkurtra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.