Analize

Si po përfiton mafia në kohën e koronavirusit

Organizatat kriminale janë si bursat, ato gjithmonë parashikojnë krizat. Puna e bursave nuk është të fotografojnë krizën, por ta parashikojnë. Ashtu si ekonomistët, edhe mafiozët parashikojnë gjithmonë nevojat e tregut. Çfarë po bëjnë klanet kriminale në kohën e koronavirusit?

Emergjencat publike rrisin potencialin e fitimit për shumë kompani, jo vetëm për organizatat kriminale, por këto të fundit kanë një avantazh të dyfishtë: të bëjnë biznes dhe të mos zbulohen.

Çdo emergjencë monopolizon vëmendjen e mediave: grupet kriminale nuk zënë më hapësirën e tyre në lajme, pasi pandemia mbizotëron gjithçka. Pandemia është koha ideale për mafien dhe arsyeja është e thjeshtë: nëse jeni i uritur, doni bukë dhe nuk ka rëndësi se nga cila furrë e blini apo kush e shpërndan; nëse keni nevojë për një ilaç, e blini dhe nuk pyesni se kush po jua shet. Vetëm në kohë paqeje keni mundësi të zgjidhni.

Për ta kuptuar se sa mund të fitojnë klanet mafioze nga kjo pandemi, mjafton të shikoni portofolin e mafies. Ku kanë investuar në dekadat e fundit? Fokusi kryesor ka qenë tek kompanitë e shërbimit, si ato të pastrimit, dezinfektimit, funeralet dhe shpërndarja e ushqimit. Mafia e di se çfarë keni në shtëpi dhe se çfarë do t'ju duhet. Ata do t’ua shesin, por me çmimet dhe cilësinë e tyre. Gjithmonë ka qenë kështu.

Me kalimin e viteve, mafiozët kanë arritur të depërtojnë në majën e sektorit të shëndetësisë, siç dëshmohet nga arrestimi i Carlo Chiriaco, drejtori i infektivit në Pavia dhe anëtar i Ndrangheta. Ai u arrestua për vjedhjen e maskave nga spitali, me qëllim që t’i shiste.

Dhe çfarë do të ndodhë kur ushqimi ose benzina të fillojë të ketë një shpërndarje më të ngadaltë? Kush do të jetë në gjendje të shmangë mbylljen e bizneseve dhe të shpërndajë mallra pa ndërprerje? Mafia. Kjo është arsyeja pse qeveria italiane po përpiqet të sigurojë zinxhirin e transportit ushqimor, në mënyrë që mafia të mos ketë mundësi të hyjë në asnjë nga hallkat e prodhimit apo shpërndarjes.

Dyqanet me pakicë duhet të ndihmohen më paketa fiskale nga qeveria, pasi mbyllja e tyre favorizon vetëm organizatat kriminale.

Aftësia e më e mirë e mafies ka qenë gjithmonë zbatimi i skemave tregtare fituese për produktet më të lira. E njëjta gjë vlen edhe për shitjen e medikamenteve? Emergjenca ka favorizuar organizatat kriminale. Në këtë kohë kontrollet për mallrat në portet ndërkombëtare janë ulur, ngarkesat po kalojnë më lehtë.  Organizatat kriminal në Italia kanë nisur shitjen e paligjshme të maskave dhe dezinfektantëve, të cilat i kanë vjedhur nga shteti.

Në fakt, pandemia ka krijuar megjithatë një situatë unike. Deri më tani, klanet mafioze kanë qenë gjithmonë në gjendje të vënë në lëvizje materiale, automjeteve, apo njerëz, madje edhe në rrethana emergjente si tërmetet dhe përmbytjet. Por për herë të parë ata duhet të përballen me izolimin. Pyetja nuk është nëse do të përfitojnë nga kjo situatë, por si. Si do të jenë në gjendje të përfitojnë nga radhët e pafund për të hyrë në supermarket, vështirësinë e blerjeve në internet, apo mungesën e maskave dhe dezinfektuesve?

Epidemia e fundit që goditi Italinë, tregoi se krimi i organizuar bëhet më i pasur gjatë krizave . Në vitin 1884, kur Napoli u gjend në një situatë katastrofike nga kolera, parlamenti italian miratoi një ligj për rehabilitimin e qytetit të Napolit dhe ndau 100 milion lira për vepra bamirësie. Ata që përfituan ishin kontraktues të korruptuar dhe të paskrupullt dhe aleatë politikë të familjes Kamorra. Të gjithë mafiozët përfituan përveç qytetit të Napolit. 

Gjatë murtajës së shekullit të shtatëmbëdhjetë, aristokracia, e cila nuk mund të menaxhonte më emergjencën në qytet, duhej të bënte marrëveshje me bandat kriminale, e cila merrte përsipër shërbime të ndryshme, nga kontrolli i rrugës deri te menaxhimi i kufomave. Edhe sektori bujqësor, nëse nuk mbrohet nga qeveria, rrezikon kolapsin dhe pushtimin total kriminal. Madje, në Italia ekziston edhe një precedent.

Gjatë shpërthimit të kolerës në Siçili në 1867, produktet bujqësore nuk po shpërndaheshin dhe prodhimi ra, sepse punëtorët e sëmurë ose të tmerruar nuk punonin më në fusha. Mafia rurale vendosi të ndërhynte duke propozuar një pakt për pronarët e tokave, të cilëve u siguroi punëtorë (të cilët u detyruan të ktheheshin në punë me kërcënime dhe shantazhe) dhe u bleun prodhimin, të cilin nisi ta shpërndante vetë.

Kjo ndodhi 150 vjet më parë. Por çfarë mund të ndodhë sot me një zinxhir furnizimi në të cilin klanet janë tashmë të pranishme. Klanet janë futur në shumë hallka të këtij zinxhiri, nga tregjet e fruta-perimeve deri në kontrollin e fuqisë punëtore? Rreziku është që mafia të përfundojë duke vendosur çmimet e saj. Dhe çfarë do të ndodhë më tej, kur pandemia të jetë shuar. Klanet mafioze po mendojnë gjithashtu edhe për këtë. Për çdo sipërmarrës që është në rrezik të mbyllë restorantin ose dyqanin, ekziston një klan që është i gatshëm të ndërhyjë duke blerë biznesin, ose duke bindur pronarin të bashkëpunojë me ta, në këmbim të ndihmës financiare në këto kohë krize.

Nëse shteti nuk vepron tani për kompanitë në krizë, do të jetë vonë, shumë vonë. Një shtet që izolohet për një kohë të gjatë, bie lehtësisht pre e çdo forme të organizuar.

Edhe Europa ka rezultuar plotësisht e papërgatitur. Klanet mafioze nuk respektojnë kufijtë, nuk kanë frikë nga pezullimi i Shengenit, përkundrazi, nga që përfitojnë nga mbyllja hermetike e kufijve. Kjo Europë ka tradhtuar plotësisht pritjet dhe ëndrrat e baballarëve themelues, duke mos gjendur ende një strategji të përbashkët për të frenuar pandeminë. Kjo BE, siç është sot, me siguri do të shkatërrohet me koronavirusin, sepse pas kaq shumë vdekjesh, ankthi dhe pamundësie për të shpëtuar jetë njerëzish, mbase do të lindë një BE ndryshe. /Repubblica


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë