Arredim

Si po ndryshojnë shtëpitë e shqiptarëve, ekspertët: Tradita po humb, të rinjtë duan luksin…

Nga Gazeta Si- Në 10 vitet e fundit, arredimet e shtëpive në Shqipëri kanë ndryshuar shumë, duke lënë tashmë pas stilin tradicional dhe duke përqafuar të renë, modernen e pse jo dhe luksin.

Mobilierët në këtë periudhë janë zanatçinjtë që përballen me kërkesa të shumta për mobilimin e shtëpive, por modelet u vijnë nga katalogë të internetit, shumë larg nga stilet e dikurshme.

“Shtëpitë që mobilohen në 10-vjeçarin e fundit janë shumë larg stilit që ishte dikur. Në ‘ansamblin’ e mobilieve të dhomës së ndenjes, po largohet çdo vit prania e minibarit, duke u zëvendësuar me kredencën e cila kërkohet gjithnjë e më shumë të jetë elegante duke mos preferuar të zërë shumë hapësirë në shtëpi.

Edhe televizorin tani nuk e dëshirojnë me mobilien e vet, por çiftet e reja preferojnë ta kenë të pozicionuar në mur. Ajo çfarë shoh nga kërkesat e atyre që duan të mobilojnë shtëpitë, janë edhe divanët. Dikur këndi dhe divanët e lëkurës ishin më të preferuarat nga shqiptarët. Sot po porositin divanë sa më pak të lartë, por të rehatshëm, jo kolltuqe, aq më pak me tapiceri lëkure”, thotë Lirimi që punon në mobilierinë e tij prej 20 vitesh, në Kombinat.

Interior dizajn Anila Hetoja, thotë për Gazetasi.al se ajo çka shihet në stilin e arredimit të apartamenteve sot është komoditeti.

“Një shtëpi e arreduar mirë, është ajo që të ofron komoditet, të çlodh sytë, të jep rehati, duke mos qenë me shumë ngjyra. Ndaj sot, bardhë e zi është më e preferuara në arredimet e apartamenteve në qytet dhe bojëqielli dhe e bardhë në shtëpitë e pushimit në plazh. Fatmirësisht, shtëpitë nuk ngjasojnë si dikur dhe shija po kultivohet duke bërë që apartamentet që mobilohen sot, të jenë të këndshme, modern dhe shumë larg stileve të periudhës 2000-2010”, thotë Hetoja.

Teuta është artizania që tregton qilimat e punuar në vegje, në Krujë. Ajo ka hapur dhe një dyqan në sheshin “Avni Rustemi”, pranë Pazarit të ri, por shitjet thotë ajo janë shumë të pakta.

“Kërkesat më të shumta më vijnë nga diaspora. Emigrantët duan qilimat e dikurshëm me motive. Kurse këtu, nuk mbajnë më qilima në shtëpi. Duke qenë se janë në punë dhe qilimat duhet të mbahen pastër, preferojnë të mbajnë tapeta të gomuara që ti lajnë dhe në lavatriçe. Kisha menduar se do ta donin traditën, por shoh dita-ditës se qilimat janë tashmë një produkt që po kërkohet gjithnjë e më pak”, thotë Teuta.

Hetoja thotë se evolimi i stilit të arredimit të shtëpive në Shqipëri ndahet me periudha 10 vjeçare të cilat kanë patur veçantitë e tyre.

Sipas saj, deri në vitet 2000, mobiliet ishin produkte importi e për pasojë dhe stili ishte pothuajse i njëjtë.

“Pas viteve ’90 deri në vitet 2000, dhoma tipike vijoi të ishte si në periudhën komuniste, divane, kolltuqe të mbuluara me damask, bufe dhe tavolinë prej druri dhe shumë elementë të tjerë.

Deri në vitet 2000, nisur dhe nga gjendja ekonomike e shqiptarëve, stili i arredimit ishte pothuajse i njëjtë për të gjithë”, thotë Hetoja, duke shtuar se ata që kishin mundësi financiare, të afërm në emigrim ose kishin hapur një biznes, kishin mundësi të blinin mobile importi, kolltuqe lëkure, tryeza dhe karrige me lustër dhe të shtronin shtëpitë me moketin që zëvendësoi qilimat e dikurshëm.

“Kjo ishte panorama e shtëpive. Në këtë periudhë, nisën të bëheshin me porosi në vend kuzhinat, të cilat kishin një çmim jo pak të shtrenjtë. Mund të themi, se të mobiloje shtëpi me produktet e tregut që furnizohej jashtë, pas ’90 deri në vitet 2000, kushtonte dhe këtë nuk e kishin fat të gjithë”, thotë Hetoja.

Sipas saj, deri në vitet 2000, tradita e arredimit të shtëpisë, sa i përket ngjyrave vijoi me stilet e shtëpive të regjimit komunist, ku ngjyrat e tokës, kafe në bezhë dhe mobilje të thjeshta, karakteristike për shumicën e vendeve ish-komuniste të Ballkanit, ishin në shumicën e shtëpive të shqiptarëve, sidomos atyre që nuk kishin të afërm në emigrim.

Hetoja thotë se deri në vitet 2000, dhoma e miqve, ose siç e quanin shumë shqiptarët, dhoma e pritjes, merrte gjithmonë vëmendjen e të zotëve të shtëpisë.

Por pas vitit 2010, kur nisën të rriten dhe kërkesat për shtëpi të reja, stili i mobilimit dhe arkitektura pësuan ndryshime rrënjësore.

Arbeni nga Tirana, arkitekt me përvojë në arredimet e shtëpive thotë se pas viteve’90, stili arkitekturor ka ndryshuar shumë.

“Nga viti 2010, në stilin arkitekturor gipsi dhe kartonxhesi ishin më të preferuarat. Tavanët e varur, kartonxhesi për ndarjet e hapësirave, duke krijuar mur artificial nisën të kërkohen më shumë. Po ashtu, gjatë këtyre viteve, ishulli në kuzhinë nisi të preferohej më shumë në apartamentet me hapësira të mëdha. Ky trend 10-vjeçar tani nuk është më i preferuar dhe një prej kërkesave që ka rënie janë tavanet e varura. Edhe ndriçimi, dikur dëshironin ambazhurët e rëndë, sot kërkesat janë për spote. Ndriçimi led po kërkohet gjithnjë e më pak. Mund të themi se sot po kërkohet stil i thjeshtë, por modern”, thotë Arbeni.

Për Hetonë, ajo që shqiptarët nuk kanë hequr dorë me gjithë ndryshimet në stilin e arredimit, është elementi dru.

“Për ata që e kanë mundësinë, pasi druri e rrit koston e produkteve që prodhohen, produkte si tavolinat e ngrënies, divanët, janë më të preferuara sot. Ajo çfarë shihet si një shije që po kultivohet dhe përqafohet nga shqiptarët janë pikturat në ambientet e ndenjes, ku preferencat janë nga prodhime origjinale deri tek printet, sipas kërkesave të vetë pronarëve të shtëpisë”, përfundon Hetoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë