Në vitet e fundit, stilistët afrikanë kanë gjetur mbështetje nga personazhe të famshëm ndërkombëtarë, përfshirë Beyonce, Alicia Keys dhe Naomi Campbell.
Tani një numër gjithnjë e në rritje i markave të modës afrikane po përgatiten të depërtojnë në tregjet globale të modës.
Midis kësaj vale talentesh është stilisti jugoafrikan Thebe Magugu, i cili u vlerësua me Çmimin LVMH 2019 për stilistë të rinj, i cili vjen me një grant prej 300,000 eurosh dhe hapi shtëpinë e tij të parë të modës në Johanesburg vitin e kaluar.
Stili i tij kombinon dizajnet moderne me identitetin kulturor të kontinentit, një qasje që ai shpreson se do të ndihmojë modën afrikane të bëhet globale.
“Mendoj se bota është vërtet e uritur për histori që janë jashtë vështrimit europian ose pikëpamjes amerikane”, i tha ai CNN. “Mendoj se rrëfimi që kemi në Afrikë është kaq i nuancuar… kur e shohin për herë të parë, ata reagojnë vërtet ndaj tij.”
Ai nuk është i vetmi që beson kështu. Serge Carreira, drejtor i iniciativës së markave në zhvillim në Federation de la Haute Couture et de la Mode, organi qeverisës për industrinë franceze të modës, thotë se ka parë një oreks në rritje për stilistët afrikanë në nivel global.
Carreira thotë se shumë janë të intriguar nga moda afrikane sepse “përfaqëson kaq shumë realitete, kaq shumë shprehje, kaq shumë kultura që janë kaq të ndryshme si një kontinent i tërë”, dhe se dizajnerët e saj kanë gjetur një mënyrë për të kombinuar kulturën me stilet bashkëkohore.

“Unë besoj fuqimisht se brenda 10 viteve të ardhshme do të keni të paktën dy ose tre shtëpi afrikane që do të qëndrojnë si shtëpi të pavarura pranë markave të mëdha të pavarura europiane”, shtoi ai.
Një raport i UNESCO-s i vitit 2023 mbi sektorin e modës në Afrikë parashikoi se kërkesa për haute couture afrikane do të rritet me 42% deri në vitin 2033, e nxitur pjesërisht nga rritja e tregtisë elektronike. Por zbuloi se mungesa e fondeve, infrastrukturës dhe programeve të trajnimit po e pengojnë sektorin.
Magugu e ka përjetuar këtë nga afër. Ai thotë se importimi i pëlhurave në Afrikën e Jugut do të thotë të paguash një taksë prej 45% dhe se mungesa e aksesit në kapital e bën të vështirë për bizneset e vogla.
Një mënyrë për të forcuar industrinë është që kontinenti të përdorë lëndët e para në vend që t’i riimportojë ato si mallra të përpunuara. Raporti zbuloi se 37 vende afrikane prodhojnë pambuk, megjithatë kontinenti importon tekstile me vlerë 23.1 miliardë dollarë çdo vit, duke përfshirë veshje dhe këpucë.
Stilistja keniane Katungulu Mwendwa lançoi markën e saj Katush në vitin 2014, me qëndrueshmërinë si një shtyllë kryesore.
“Ne përpiqemi të krijojmë artikuj që janë 100% të prodhuar në kontinent”, tha ajo, madje deri te butonat që janë të gdhendur me dorë në Kenia.
Mwendwa thotë se shpesh furnizohet me pambuk nga Burkina Faso, Uganda dhe Tanzania. Një pjesë e atij pambuku përpunohet në fije dhe ngjyroset përpara se të dërgohet te endësit me dorë në Nairobi për t’i dhënë jetë dizenjove të saj.
Por transportimi i tekstileve nga e gjithë kontinenti mund të jetë i kushtueshëm, shtoi ajo, që do të thotë se marka nuk është në gjendje të konkurrojë në çmim me veshjet e importuara nga Kina dhe eksportues të tjerë të mëdhenj.
Mwendwa dëshiron që blerësit të shohin vlerën e të diturit se ku dhe si është prodhuar secili artikull. “Shpresojmë që konsumatori ta mbajë atë në një mënyrë që dëshiron ta mbrojë dhe ta vlerësojë”, tha ajo.
Përtej vullnetit të mirë të konsumatorëve, disa thonë se dizajnerët kanë nevojë për politika që inkurajojnë përdorimin e artizanëve dhe materialeve vendase, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëpunime me marka ndërkombëtare më të vendosura.
“Duhet të ketë hartim politikash”, tha dizajnerja e Afrikës së Jugut Judy Sanderson.
“Duhet të ketë një urë ku një markë e madhe mund t’u prezantohet të gjithë këtyre artizanëve sepse artizanët kryesisht nuk kanë kompani, kështu që është shumë e lehtë t’i shfrytëzosh ata.”
Raporti i UNESCO-s sugjeron “krijimin ose përmirësimin e grupeve tekstile ose zonave të veçanta ekonomike”, që mund të rrisin produktivitetin dhe të ulin kostot, si dhe të tërheqin investime duke ofruar lehtësime tatimore dhe rregullore të thjeshtuara.
Ai gjithashtu thekson përmirësimin e rrjeteve të transportit për lëvizjen e lëndëve të para dhe produkteve përfundimtare, dhe sugjeron që qeveritë afrikane mund të “ulin ose kufizojnë tarifat e importit për markat e modës që përdorin tekstile tradicionale afrikane të prodhuara në kontinent”.
Shumë stilistë i debutojnë koleksionet e tyre në javët e modës, të cilat zakonisht bashkojnë blerës, fotografë dhe ndikues.
Raporti i UNESCO-s zbuloi se rreth 32 javë mode mbahen zakonisht në të gjithë kontinentin çdo vit, duke vënë në dukje se ato mbështesin industrinë dhe se “vendet me ngjarje të strukturuara mode, si Nigeria, Maroku dhe Afrika e Jugut, kanë ekosisteme mode më të zhvilluara”.
Sanderson beson se javët afrikane të modës nuk po sjellin ende blerës ndërkombëtarë në kontinent; në vend të kësaj, shumë stilistë afrikanë duhet të marrin pjesë në ngjarje ndërkombëtare për të krijuar këto lidhje.
“Moda nuk ekziston e izoluar”, tha Mwendwa.
“Është shumë e rëndësishme që marka ime dhe markat si e imja të kenë atë prani globale. Është shumë e rëndësishme që edhe ne si kenianë të jemi në gjendje të ndajmë punën tonë me kontinentin dhe me botën dhe të ndiejmë atë ndjenjë krenarie”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje