Analize

Si po i përdor Putin mosmarrëveshjet Serbi-Kosovë

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë kthyer edhe njëherë në fushëbetejën e fuqive të mëdha, pasi Rusia ka filluar të përdorë rajonin për ta pozicionuar veten si një superfuqi në arenën ndërkombëtare.

Duke u mbështetur në lidhjet sllave me disa nga vendet e Ballkanit, Rusia është përpjekur të legjitimojë praninë dhe të rrisë ndikimin e saj në rajon. Ndonëse nuk është larguar kurrë plotësisht nga rajoni, strategjia e saj e politikës së jashtme drejt vendeve të Ballkanit ka ndryshuar me kalimin e kohës. Aktualisht, Rusia është duke u përpjekur të luajë një rol në zhvillimet e rëndësishme të politikës ballkanike, duke u përqendruar sidomos tek tensionet e fundit rajonale që rrethojnë Serbinë dhe Kosovën.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani ka thënë kohët e fundit se Rusia po përdor propagandën kundër Kosovës, duke përhapur panik për transformimin e FSK-së në një ushtri të mirëfilltë. Sipas tij, Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, duke përfshirë FSK-në, nuk mund të përbëjnë kurrë një kërcënim për askënd, por mediat ruse janë duke përhapur një sërë dezinformimesh alarmante.

"Kosova kontribuon në mënyrë aktive për sigurinë rajonale dhe ne do ta rrisim këtë kontribut. Rusia po përdor propagandë të rreme kundër Kosovës, ndërkohë që po përfiton qindra milionë euro nga Serbia nëpërmjet shitjes së armëve", tha Ramadani.

Në një interviste për Gazetën "Si", ai shprehet se Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë nuk përbëjnë një kërcënim. “Përkundrazi, kjo forcë është një forcë multietnike, profesionale dhe e besueshme që do t'i shërbejë demokracisë. Rajoni vetëm do të përfitojë nga ky tranzicion ", thotë Ramadani.

Burim Ramadani 

Moska është bërë përkrahësi kryesor i Serbisë për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Të dyja vendet kanë përfituar reciprokisht nga bashkëpunimi i tyre, pasi Rusia po provon fuqinë e saj ndërkombëtare nëpërmjet ndikimit të saj në Beograd, ndërkohë që Serbia e përdor Moskën për përfitimet e veta politike. Për Beogradin, miqësia me Rusinë është gjithashtu edhe një karrem për anëtarësimin në BE, duke kërcënuar unionin se të kalojë nën ombrellën politike ruse dhe se do të përhapë ndikimin rus në rajon. Lalë mbështetjes së Rusisë, Serbia siguroi një levë të fuqishme diplomatike në arenën ndërkombëtare. Ndwrsa Moska rriti vazhdimisht ndikimin në Ballkan, falë koncesioneve periodike, korruptimit të zyrtarëve vendas dhe lidhjet ekonomike dhe politike me vendet e tjera të rajoni.

Në takimin e fundit midis Vuçiçit dhe Putinit në Moskë, dy liderët diskutuan se si mund të shtynin përpara dialogun me Kosovën. Vuçiç e bëri të qartë se mbështetja e Rusisë do të ishte vendimtare për marrëveshjen që do të arrihej me Prishtinën zyrtare. Edhe pse detajet e takimit nuk u ndanë me publikun mesazhi që Putini donte të jepte nëpërmjet takimit ishte i qartë: Perëndimi duhet të llogarisë me Rusinë, kur bëhet fjalë për zhvillimet e rëndësishme politike në rajon. Madje presidenti serb shkoi në Moskë me synimin e vetëm për t’i kërkuar mbështetje presidentit rus për “situatën në Kosovë”. Duke folur për TASS pas rreth dy orësh bisedimesh me Putinin, Vuçiç shprehu kënaqësinë me rezultatin e takimit.

Kosova dhe Serbia janë futur tanimë në një fazë përfundimtare dialogu. Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare do t'i mundësonte Serbisë të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE dhe të sigurojë përfitime financiar si një vend i BE-së, ndërsa për Kosovën do të hapë derën e anëtarësimit në OKB. Por vetoja në Këshillin e Sigurimit të OKB e bën Rusinë një lojtar vendimtar në këtë proces dhe i mundëson gjithashtu që të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen e saj të plotë ndërkombëtare.


Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin

Megjithatë, ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor nuk mund të kuptohet pa analizuar funksionimin e sistemit ndërkombëtar, marrëdhëniet midis fuqive të mëdha, ekuilibrin e fuqisë së tyre dhe lidhjet historike të rajonit. Që nga vitet 1990, konfliktet etnike që përfunduan me ndërhyrjet ushtarake në Ballkanin Perëndimor kanë luajtur një rol të rëndësishëm në qëndrimin e sistemit ndërkombëtar. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe fundi i Luftës së Ftohtë solli shfaqjen e SHBA-ve si një fuqi hegjemoniste. Ndërhyrjet ushtarake të NATO-s të udhëhequra nga SHBA në Ballkan (si në Bosnjë e Hercegovinë dhe veçanërisht në Kosovë) kontribuan në forcimin e pozicionit të SHBA-së si lojtare botërore, duke minuar më tej përpjekjet e Rusisë për ta pozicionuar veten si një fuqi e madhe.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë ka sjellë një paradigmë të re në arenën ndërkombëtare duke i dhënë legjitimitetin Perëndimit për ndërhyrje "humanitare". Megjithatë, ky portretizim nuk ishte i pakontestueshëm dhe nxiti një debat në arenën ndërkombëtare. Ndryshe nga Perëndimi, Rusia ka mbështetur Serbinë, duke e cilësuar ndërhyrjen në Kosovë si të padrejtë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Rusia e la përdorur vazhdimisht Kosovën si një mundësi strategjike për të rivendosur rolin e saj në sistemin ndërkombëtar.

Për më tepër, ndërhyrja ushtarake në Kosovë ka shërbyer si një pikë kthese për Rusinë, e cila filloi ta përdorte si një justifikim për ndërhyrjet e veta ushtarake në Ukrainë, Abkhazi dhe Osetinë e Jugut. Aneksimi i Krimesë dhe paqëndrueshmëria në Ukrainë erdhi, pasi Moska nisi të kundërshtonte haptazi normat dhe parimet perëndimore të pranuara si vlera ndërkombëtare.

Një mur i pikturuar i Presidentin rus Vladimir Putin dhe Donald Trump në Beograd lexon "Kosova është Serbi"

Lufta kundër dominimit perëndimor në përgjithësi dhe hegjemonisë amerikane e paraqet Rusinë si një alternativë ekonomike dhe ushtarake për vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, në vend që të ketë një strategji të qartë ndaj Ballkanit Perëndimor, Rusia përqendrohet tek përfitimet strategjike nga gabimet politike të fuqive perëndimore në rajon dhe nga mungesa e përgjithshme e vëmendjes ndaj Ballkanit.

Megjithëse vendet e Ballkanit Perëndimor janë në proces integrimi në BE, ato përballen me pengesa të shumta si tensionet etnike, korrupsioni, kushtet e paqëndrueshme sociale dhe stanacioni ekonomik. Këto dobësi shfrytëzohen nga fuqitë e mëdha për të përhapur ndikimin e tyre në Ballkan. Megjithëse BE-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e demokratizimit të rajonit, problemet e brendshme si emigracioni dhe Brexit, i kanë mundësuar Rusisë të luajë një rol më aktiv dhe të rrisë marrëdhëniet e saj ekonomike, kulturore dhe ushtarake me vendet e Ballkanit.

Ekspertët shprehen se humbja më e madhe e Rusisë do të ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe anëtarësimi i rajonit në BE. Arritja e një kompromisi jo vetëm që do të lejonte serbët dhe shqiptarët të fillonin të shëronin plagët e vjetra, por gjithashtu do të hapte rrugën e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Arritja e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës do të zvogëlonte varësinë e Serbisë nga Rusia, duke sjellë kështu edhe dobësimin e ndikimit rus në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë