Analize

Si po e shpëtojnë emigrantët shqiptarë ekonominë italiane

Kush tha që rritja e punëtorëve të huaj nuk është një gjë e mirë për ekonominë e një vendi? Të marrim rastin e Italisë fqinje për shembull, ku jetojnë dhe punojnë më shumë se 400 mijë emigrantë shqiptarë. Pak prej tyre e dinë, por më shumë se 600.000 shtetas italianë marrin pensionin e tyre falë emigrantëve.

Urimi nga Kukësi jeton që nga 2002-shi në Itali, periudhë gjatë të cilës ka paguar rregullisht taksa dhe sigurime shoqërore. “Unë dhe ime shoqe punojmë prej vitesh dhe jemi pajisur me dokumentacione të rregullta. Paguajmë taksa dhe detyrime njësoj si fqinjët tanë italianë, edhe pagat tona janë shumë më të ulëta”, shprehet ai për Gazetën "Si".

Ai është një nga 460 mijë emigrantët shqiptarët në Itali, një pjesë e të cilëve punojnë në të zezë dhe nuk u jepet mundësia të integrohen në jetën sociale italiane. Vetëm 140 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë italiane, ndërkohë që një pjesë e mirë e të rinjve të vendit tonë shkojnë në shtetin fqinj me vizë turistike, në kërkim të punës dhe një jete më të mirë. Por edhe pse shumica e tyre paguhen shumë më pak se punonjësit italianë, pak nga emigrantët shqiptarë janë të vetëdijshëm për kontributin e tyre në shoqërinë italiane.

Emigrantët punojnë në fermat italiane

Italia ka rreth 5 milionë banorë të huaj, përqindje e cila pritet të arrijë të paktën 13% në dhjetë vitet e ardhshme. Ajo që mund të themi me siguri është se mosha mesatare e të huajve është e ulët: një në dhjetë italianë është të paktën 75 vjeç, ndërkohë që mosha mesatare e emigrantëve është 35 vjeç. Sipas ekspertëve italianë, fuqia e huaj punëtore, kontribuon në mënyrë efektive në sistemin e pensioneve. Ata theksojnë gjithashtu se emigrantët kanë ndihmuar shumë firma të “qëndrojnë në këmbë”, për shkak të pagave të ulëta dhe sakrificave të për të duruar abuzimet dhe paragjykimet.

Për të qenë më specifikë sa i përket sektorit privat, kontributi i emigrantëve në Itali është aktualisht rreth 125 miliardë euro. Përqindja është më e lartë është në industrinë e hotelerisë dhe ndërtimit, ku janë të përqendruar edhe pjesë më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Por nuk duhet të neglizhojmë edhe kontributin e tyre në shërbimet e kujdesit familjar, të cilat do të ishin shumë më të shtrenjta ose të pafavorshme po të ofroheshin nga gratë italiane.

Nga 5 milionë banorë të huaj në Itali, 3.460.000 prej tyre janë taksapagues të rregullt, ata kontribuojnë në shpenzimet e shtetit dhe sigurimet sociale. Në vitin 2014, emigrantët në Itali deklaruan 45.5 miliardë euro të ardhura të tatueshme dhe paguan 6.8 miliardë euro taksa neto. Sigurisht kontributi i tyre është më i ulët se ai i taksapaguesve italianë, sepse emigrantët marrin paga më të ulëta.

Emigrantët shesin në rrugët e Barit

Për më tepër më shumë se gjysmë milioni biznese në Itali drejtohen nga të huaj dhe gjenerojnë më shumë se 6.5 për qind të të ardhurave totale. Sipërmarrja e huaj është pra një fenomen i rëndësishëm për ekonominë italiane, veçanërisht duke pasur parasysh rënien e sipërmarrësve italianë. Shteti italian fiton rreth 16.5 miliardë euro nga tatimet e emigrantëve dhe shpenzon vetëm 12.6 miliardë. Sidoqoftë, mediat italiane ngrenë alarmin se nëse duam që punëtorët e huaj të vazhdojnë të kotribuojnë për pensionet e qytetarëve italianë, shteti duhet të bëjë më shumë për integrimin e tyre në shoqëri dhe trajtimin e tyre në mënyrë të barabartë më pjesën tjetër të shoqërisë.

Disa muaj para shpërthimit të krizës së refugjatëve, ne vitin 2015, Italia kishte forcuar rolin e sektorit privat dhe zhvillimit të shoqatave të emigrantëve vendeve të tyre të origjinës. Megjithatë, këto çështje, të cilat duhet të kishin përparësi u lanë pas dorë për të zbatuar agjendën e Bashkimit Europian, i cili kishte fokus në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, zhvendosjen e emigrantëve në të gjithë vendet e BE-së.

Në Bashkimin Europian jetojnë 34 milionë emigrantë, të barabartë me 6.7 për qind të popullatës së përgjithshme. Vendet me përqendrimin më të madh të emigrantëve janë Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia. Në vendet e Europës veriore normat e punësimit janë mjaft të larta (shkalla e punësimit të emigrantëve është afër 63 për qind në Gjermani, afër 70 për qind në Britani të Madhe). Por ndryshe nga Veriu, Italia ka norma shumë më të ulëta punësimi dhe tërheq kryesisht emigrantë të përkohshëm.

Qeveria e re italiane nuk ka humbur kohë mbajten e premtimit të dhënë gjatë fushatës për të deportuar qindra mijëra emigrantë, pavarësisht implikimeve financiare, logjistike dhe humanitare të një ndërmarrjeje të tillë. Partia e krahut të djathtë Lega Nord e cila bashkua zyrtarisht për qeverinë me Lëvizjen Pesë Yjet, duket se është e vendosur për të dëbuar 500,000 emigrantë të paligjshëm, përshirë këtu edhe qindra qytetarë shqiptarë, të cilët nuk janë pajisur ende me dokumente italiane. Por çfarë pasojash do të sjellë kjo strategji për ekonominë e vendit fqinj?

Burimet: "Open Emigration", "Reppublica.it" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë