Analize

Si po e përdor Mitsotaqis minoritetin grek për të “marrë” detin?

Një javë më parë askush në Tiranë nuk ishte i sigurt nëse Greqia do të mbështeste hapjen e negociatave me Shqipërinë apo jo, një skenar që do ishte një goditje e rëndë për vendin, ndërsa sytë ishin te Gjermania, Franca dhe Holanda. Shkak për këto dyshime ishte kryeministri i vendit fqinj, Qiriakos Mitsotaqis, i cili kishte kritikuar disa herë radhazi qeverinë shqiptare për çështjen e minoritetit grek, një temë që e hapi vazhdimisht edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke akuzuar Tiranën zyrtare se po shkelte drejtat e pakicës greke në vend.

Deklaratat e Mitsotaqis dhe ardhja e tij në pushet me “shpatë në dorë”, nuk u pritën mirë nga qeveria shqiptare. Kryeministri Edi Rama raportohet se priti disa ditë përpara se ta uronte homologun e tij të ri për fitoren në zgjedhje, një lëvizje aspak e zakonte duke marrë parasysh rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, për shkak të numrit të madh shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Po ashtu qeveria “Rama” është tërhequr nga regjistrimit i tokave bujqësore në zonën e Himarës dhe të kalimit të këtyre pasurive në administrimit shtetëror, vendim që u bë edhe shkaku kryesor për shpërthimin e këtij debati, por kjo duket se nuk ka qene e mjaftueshme për Athinën zyrtare.

Dy javë më parë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias shkoi në Berlin me një mision të qartë anti-shqiptar, duke deklaruar se i kishte shprehur Tiranës shqetësimin e Greqisë për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë. Por gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Nju Jork duket se rrjedha e marrëdhënieve aktuale ndryshoi.
Kreu i qeverisë shqiptare u takua në Nju Jork me Mitsotaqis, ku ky i fundit mbajti një qendrim më të zbutur duke deklaruar (sipas medieve greke) se ishte në favor të anëtarësimit të Shqipërisë. Sigurisht ai i përmendi sërish kryeministrit Rama çështjen e minoritetit, por lajmi më i rëndësishëm do të ishte rihapja e çështjeve të pazgjidhura mes dy vendeve, përfshirë këtu edhe çështjen e detit. Por çfarë ndryshoi brenda kësaj jave dhe a është minoriteti një “as nën mëngë” që Mitsotaqis e përdor për qëllime më të mëdha ?

Qiriakos Mitsotaqis dhe kryeministri Edi Rama, Gazeta Si, 26 shtator 2019


Sigurisht, qeveria shqiptare nuk mori asnjë masë për të drejtat e minoritetit grek brenda javës, por nga vetoja për negociatat, Mitsotaqis kaloi tek zgjidhja e çështjeve dy-paleshë. Ai nuk ka prezantuar një platformë ose zgjidhje për të drejtat e qytetarëve grekë në vendin tonë, por sigurisht që akuzat për këtë çështje kanë ushtruar jo pak presion mbi qeverinë Rama.

Mos-respektimi i të drejtave të minoritetit grek duket jetë jo vetëm një çështje me impakt në opinionin në vendin fqinj, por edhe një “as nën mëngë” në dorën e Mitsotaqis. Ajo i ofron atij mundësi të mbajë nën presion qeverinë shqiptare, për të vendosur kushtet e tij për atë që është në të vërtetë molla e sherrit mes Greqisë dhe Shqipërisë: kufiri detar. Dhe ndryshe nga qeveria e mëparshme dhe ish-ministri Niko Kotzias, Mistotaqis dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen e re të detit me kushtet e tij.

Kjo vijë e kufirit të detit, ku Shqipëria dhe Greqia ushtrojnë sovranitet të plotë, do të përbente edhe kufirin shtetëror Shqipëri-Greqi në pjesën veriore të Detit Jon. Edhe pse draft marrëveshja e arritur nga Bushati dhe Kotzias ishte gjithnjë e rrethuar nga misteri, gjatë dorëzimit të postit, ish-ministri grek shkaktoi jo pak kaos në Tiranë duke deklaruar se Greqia do të zgjeronte me 12 milje sovranitetin e saj detar. Edhe pse Athina zyrtare u tërhoq nga kjo deklaratë, Tirana zyrtare ka heshtur, duke mos pranuar as të mohonte dhe as të konfirmonte këto raporte.

Qiriakos Mitsotaqis dhe kryeministri Edi Rama, Gazeta Si, 26 shtator 2019

Në fakt në detin që ndan Shqipërinë me Greqinë është shumë e vështirë që të gjesh sipërfaqe detare ku ujërat territoriale greke të shkojnë 12 milje. Pjesa më e ngushtë është pjesa e Ksamilit, që është 1.8 milje. Sipas marrëveshjes Bushati-Kotzias përflitej se në ngushticën e Ksamilit, pala shqiptare do të marrë 0.6 milje, pala greke do të marrë 0.6 milje. Por partia e Mitsotaqis, Demokracia e Re ka akuzuar vazhdimisht Kotzias po i fal Shqipërisë zonën ekonomike ekskluzive, duke sinjalizuar kështu se ajo do të përpiqet të negociojë me tone sa më të forta.

Mediat greke shkruajnë prej kohësh se Demokracia e Re kërkon që llogaritja e 12 miljeve detare duhet të fillojë nga disa shkëmbinj të pabanuar që gjenden pranë Korfuzit, dhe jo nga vetë ishulli, një skenar që do të sillte kufirin grek shumë më pranë ujërave detare shqiptare. Edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet në Athinë ose Tiranë, toni i përdorur nga Mitsotaqis është një sinjal se negociatat me të do të jenë më të vështira sesa negociatat me qeverinë “Tsipras”.

Sipas ekspertit Agron Alibali, negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë janë jo normale se zhvillohen kur është në fuqi një ligj lufte ndaj vendit tonë. Ai shpjegon në një analizë të zgjedhur se sipas rregullave ndërkombëtare, Greqia nuk mund ta zgjerojë sovranitetin e saj me 12 mije detare.

“Mospërputhja midis gjerësive të Detit Territorial përkatës të dy vendeve është çështja më delikate në tavolinën e bisedimeve. Shqipëria zbaton brezin prej 12 miljesh detare, kurse Greqia zbaton brezin prej 6 miljesh. Mbështetur në parimin themelor dhe të patundur se dheu kontinental sundon detin, prirja e përgithshme në të drejtën ndërkombëtare detare sot është se dheu kontinental merr përparësi ndaj dheut ishullor sa u takon projeksioneve të hapësirave përkatëse detare. Sikurse shpjeguam, kjo prirje mbështet të drejta e Shqipërisë lidhur me hapësirën e Zonës Ekonomike Ekskluzive [ZEE] në shpinë të Korfuzit”, shkruan ai.

“Si rrjedhojë e ngushtimit të hapësirës ujore të detyruar nga Kanali i Korfuzit, Greqia ruan gjerësinë e Detit të vet Territorial prej 6 miljesh detare deri sa distanca midis dy brigjeve arrin në masën e 12 milje [6 + 6]. Shqipëria detyrohet të rrudhë gradualisht gjerësinë e brezit të vet të Detit Territorial nga 12 miljesh detate në 6 milje deri në pikën ku, sikurse përmendëm, distanca midis pikave bazë nga dy brigjet e kundërta është 12 milje detare”, thotë Alibali.

Edhe pse Mistotaqis nuk ka prezantuar ende në platformë për bisedimet me Shqipërinë, arritja e një marrëveshje që do të perceptohej nga opinioni grek si ngushtim i sovranitetit detar, do të ishte gjëja e fundit që i duhet pas Marrëveshjes se Prespës.

Si një nga kundërshtarët më të mëdhenj të paktit të emrit me Maqedoninë e Veriut, ai nuk do të mund të nënshkruajë një marrëveshje me Shqipërinë që nuk do të merrte mbështetjen e opinionit në vend. Dhe në këto momente, arma më e mirë e Mitsotaqis për t’i bërë presion qeverisë shqiptare është minoriteti grek dhe bllokimin e negociatave të vendit tonë me BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë