Trashëgimi

Si po deformohen vallet tradicionale shqiptare

Kultura artistike popullore shqiptare nuk mund të kuptohet pa kërcimet tradicionale, të cilat brez pas brezi janë shoqëruar nga muzika dhe veshjet e tyre origjinale. Të shumta janë versionet e valleve nga veriu në jug që gjatë rrjedhës së kohës kemi parë nëpër dasma apo ambiente të tjera festive, ku çdo zonë me vallen dhe veshjen e vet na ka bërë të kuptojmë se ku i kemi rrënjët. Por në Shqipëri kohët e fundit duket se është e vështirë që kjo traditë të ruhet e të vazhdojë të përcjellë vlera si për vendësit, ashtu edhe për turistët që jo pak herë janë mahnitur nga folklori ynë koreografik.

Ajo që koreografët pohojnë është se vallet tona karakteristike popullore, po shkojnë drejt transformimit.

“Ne shohim (sidomos në qendrat e mëdha urbane) një zbehje të origjinalitetit të traditës sonë vallëzuese, e cila fatkeqësisht sa vjen e thellohet duke u transformuar shpeshherë në një amalgamë lëvizore, larg kërcimit etnik shqiptar”, shprehet për Gazetasi.al koreografi Gjergj Prezavi.

Koreografi Gjergj Prevazi

Edhe pse vendi ynë ka trashëguar një etnokoreografi mjaft të pasur në lëvizje, ritme, dinamika dhe stile, koreografi Prevazi i mëshon fort faktit se sot këto elemente po përzihen dhe liston edhe disa kërcime origjinale që fatkeqësisht janë harruar.

“Sot lëvizjet e valleve tona përzihen shpeshherë me elemente të kërcimeve orientale, latino-amerikane apo edhe të kulturave globaliste. Kjo ka çuar shpeshherë në deformimin e valleve tona në formë e përmbajtje, deri në harresën e disa kërcimeve mjaft origjinale, siç janë p.sh. vallet e ‘rënda dyshe’ të Shqipërisë së Mesme, apo vallet humoristike të Fushës së Myzeqesë, e deri te kërcimet fluturuese të Malësisë së Madhe (kcimi i logut)”.

Sipas koreografit Deli Metaliaj, fakti që vallet popullore po shkojnë drejt transformimit lidhet dhe me punën e paktë që bëhet.

“Ne përgjithësi sot në ditët tona, në larminë e koreografisë po punohet, si në rrethet e mëdha si: Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë etj, pak më pak dhe vallet po shkojnë drejt harresës si vallet labe, vallet e Kukësit, etj”, shprehet Metaliaj për Gazetasi.al, ndërsa shton se “janë disa koreografë që kanë hapur kurse dhe po punojnë me këto valle që të mos i harrojnë brezat e ardhur të kombit tonë, pasi këto valle pasqyrojnë vlerat kombëtare siç janë kërcimet e Tropojës apo vallja e Osman Takos apo vallja tiranase. Këto valle na përfaqësojnë më së miri”.  

Koreografi Deli Metaliaj

Edhe koreografi Prevazi liston arsyet se pse po humbin disa valle karakteristike tonat.

“Kjo vjen për arsye të urbanizimit, por edhe për mungesë të një programi edukimi strategjik, në mbrojtje, ruajtje dhe përhapje të vlerave më të mira të traditës sonë kërcyese”.

Nga ana tjetër, koreografi Deli Metaliaj thotë se jo vetëm që anashkalohet folklori, por disa rrethe s’kanë as koreografë.

“Nuk ruajnë origjinalitetin, nuk bazohen në folklor, nuk bazohen në popull. Disa rrethe s’kanë koreografë si: Gramshi, Kukësi, Puka, Përmeti, Hasi etj”.

Prevazi është i keqardhur që sot në përgjithësi janë ngritur “në fron” kërcimet tallava.

“Fatkeqësisht sot dominojnë kërcimet e tipit tallava, të cilat u ngjajnë më shumë kërcimeve azere sesa atyre origjinale shqiptare. Këto i hasim thuajse në të gjitha festat familjare”.

Por përpos panoramës që mbizotëron në qytetet e mëdha, në zonat rurale, duket sikur tradita është e ulur këmbëkryq dhe aty vallet janë të “paprekura”.

“Jemi në një moment kur ende ka zona rurale të ‘paprekura’ nga ky transformim i trashëgimisë sonë mijëravjeçare. Mund të përmendim zona si Tropoja, Kelmendi, disa fshatra të Librazhdit, Dibrës, etj”, vijon më tej për Gazetasi.al koreografi Gjergj Prezavi. Por sipas tij edhe këtu duhen politika stimuluese kulturore. “Në këto zona mundet të inkurajohet kërcimi shqip, qoftë nëpërmjet politikave stimuluese kulturore, por edhe nëpërmjet joshjes së turizmit kulturor”.

Vallet popullore që natyrshëm na drejtojnë nga identiteti dhe tradita e na përcjellin emocione të shumta, duket se kohët e fundit e kanë të vështirë të “mbretërojnë” si traditë...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë