Vjosa Osmani është e datëlindjes 1982. Ishte fëmijë kur familja e saj u angazhua në politikë. Ndaj, që në adoleshencë, ushtruesja e sotme e detyrës së Presidentit të Kosovës, u bë aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur kjo parti drejtohej nga Ibrahim Rugova. Mbaroi studimet në Universitetin e Prishtinës e më tej master dhe doktoraturë në SHBA.
Në 2009 u kthye shefe e kabinetit të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, të cilin dikur e kish pasur pedagog.
Fatmir Sejdiu ishte një nga njerëzit e afërt të Ibrahim Rugovës në LDK dhe pas ndarjes së tij nga jeta në 2006-ën, ai e pasoi atë në Presidencë.
Pas bashkëpunimit me Sejdiun në presidencë dhe angazhimit në LDK, Vjosa Osmani u zgjodh deputete e kësaj partie për 3 mandate, u bë gruaja më e votuar në Kosovë në dy palë zgjedhje, ndersa tek të fundit edhe kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Këto ishin zgjedhjet e fundit të Osmanit në emër të LDK-së.
Pas zgjedhjeve të 2019-ës, Vjosa Osmani u distancua nga lidershipi i kësaj partie, deri sa u përjashtua nga LDK për qëndrimet publike, që ajo mbajti.
Vjosa Osmani mban sot detyrën e Kryetares së Parlamentit dhe Ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës.
Do të krijonte një parti të vetën politike, por koha e shkurtër deri në zgjedhjet e parakohshme nuk e mundëson këtë.
Ndaj në këto zgjedhje të fillim 2021-it, Osmani po gjen do zgjidhje taktike se si do te shkojë në zgjedhje, mbase me një listë qytetare që i bashkohet VV.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha të premten se, “për aq sa kemi parë deri më tani (ajo) do të krijojë një listë zgjedhore dhe do të garojë bashkë me ne në listën e përbashkët”.
Ndërkohë, strategjia e Osmanit është e qartë.
Ajo po i mëshon fort ideve të liderit historik, Ibrahim Rrugova, me synimin se është ajo përçuesja e frymës rugoviane dhe jo Isa Mustafa.

Vizita në Tiranë
Gjatë vizitës në Tiranë, si ushtruese e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, përveç mesazheve të forta që përcolli kundër Edi Ramës, solli si dhuratë një kristal nga miniera e Trepçes që dikur identifikonin Presidentin e ndjerë dhe Liderin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rrugova në takime me miq.
Një prej kristaleve, ajo ia dhuroi kryetarit të opozitës, Lulzim Basha në takimin me këtë të fundit.
Kristali ishte në formën e hartës së Kosovës, një formë për të simbolizuar, sipas saj, pacenueshmërinë territoriale të Kosovës.
Në Tiranë, Vjosa Osmani la zhurmën e madhe të deklaratave publike ky ra në sy takimi edhe me ish kryeministrin Sali Berisha, i cili ka mbështetësit e tij në Kosovë dhe ka qenë më i afërt me LDK se sa me partitë e tjera.
E kthyer në Prishtinë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë “Hoti”.
Ndersa vendi po shkon në zgjedhje, të premten Osmani ngriti në oborrin e presidencës, flamurin e Dardanisë, përkrah flamurit të Kosovës dhe atij të BE-se.
Edhe flamuri dardan ishte simbol i Ibrahim Rugovës në selinë e LDK-së dhe më pas në Presidencën e Kosovës derisa ishte gjallë. Andaj valvitja në presidencë nuk ishte e rastësishme.
Sepse Osmani në zgjedhjet e ardhshme kërkon të marrë vota nga radhët e LDK-së dhe mbështetësve të Rugovës.
Këtë e ka kuptuar edhe Isa Mustafa.
“Flamuri dardan është ideuar nga kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, kryetar i një partie politike të qendrës së djathtë, konservatore. Nuk përfaqëson vlerat dhe idetë e majta. LVV-ja s’ka asnjë lidhje dhe as relacion politik me vlerat rugoviane.
Nuk funksionon formula edhe me LVV-në dhe idetë skajshmërisht të majta edhe me Ibrahim Rugovën dhe simbolet rugoviane. Është një gënjeshtër folklorike”, tha Mustafa për mediat në Prishtinë, duke bërë fakt të kryer jo vetëm kalimin e Vjosa Osmanit në partinë e Albin Kurtit për zgjedhjet e ardhshme, por edhe duke tentuar të frenojë rrjedhjen e votave nga partia e tij.
Osmani te Vetëvendosja
Para deklaratës së Mustafës, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Prizrenit, tha se ka pritshmëri që VV-së t’i shtohen votat në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në fillim të vitit.
“Në çdo zgjedhje ne jemi duke e rritur votën dhe besoj që edhe në zgjedhjet e ardhshme do të kemi rritje të votave për VV-në. Kjo po shihet edhe në sondazhe se VV-ja do të ketë shumë më shumë deputet se partitë tjera”, është shprehur ai.
Haskuka theksoi se bazuar në sondazhe, VV-ja mund të marrë rreth 55 deputetë në Kuvendin e Kosovës nga 120 të zgjedhur, por për të formuar qeverinë, duhen minimalisht 61 vota (duke përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e pakicës serbe).
Bashkëpunimi me Vjosa Osmanin, sipas tij, do ta rriste edhe më shumë elektoratin e VV-së.
“Sondazhet janë bërë ashtu siç janë aktualisht partitë politike. Shumica e tyre janë bërë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tani pas vendimit mendoj që gjërat do të ndryshojnë. Zonja Vjosa Osmani e ka elektoratin e vet dhe mendoj që edhe vota e saj nëse shtohet është shumë më lehtë krijimi i një Qeverie me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin”.
Sipas Haskukës për momentin, Kurti dhe Osmani janë liderët që e gëzojnë më së shumti popullaritetin në vend.
Aleancat e munguara të VV
Albin Kurti dhe “Vetëvendosja” e kanë përjashtuar koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas dështimit të aleancës dhe bashkëqeverisjes që nisi pas zgjedhjeve të vitit të shkuar.
Nuk shihet dritë jeshile për bashkëpunim as me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nismën e Famir Limajt.
Por VV nuk është aq shumë kategorike me PDK-në e Kadri Veselit, i cili ndodhet në Hagë, dhe ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së, është Enver Hoxhaj, i shpallur edhe kandidat për kryeministër. Sepse një gjysmë derë mbetet gjithnjë e hapur. Votat e deritashme në Kosovë ia imponojnë këtë.
Deri më tash, Kurti nuk rezulton të bëjë aleancë para zgjedhore me asnjë nga partitë e krahut të luftës.
Shpresa e tij e dukshme është që Vjosa Osmani të sjellë votat e saj në Vetëvendosje dhe bashkë me pakicat serbe të mundësojnë qeverinë e re në Prishtinë.
Kurti dhe Osmani janë dy politikanët më të votuar në Kosovë. Një vit më parë ata u panë si era e re që fryu në Prishtinë. Megjithatë, nuk duhet harruar se Osmani garonte nën një tjetër “flamur” me një ideologji krejt të skajshme nga ajo që përçon Vetvendosja.
A do ia dalin që këtë herë, të dy ata, të rreshtuar në një llogore të bëjnë shumicën për të qeverisur? Koha do ta tregojë shpejt… Pas 40 ditësh. Tani vetëm tentativat janë të qarta… / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




