Raporti vjetor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) për vitin 2020 tregon se organizatat kriminale pastruan paratë gjatë vitit të shkuar te pronat e paluajtshme.
Sipas raportit, një person i njohur për organet ligjzbatuese për përfshirjen në veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe për lidhjet e tij me persona me precedentë kriminalë ishte përfshirë në aktivitete të dyshimta të pasurive të paluajtshme.
Ky shtetas i huaj, emri i të cilit dihet nga autoritet, por nuk bëhet publik, ka kryer aktivitetin e tij fiktiv.
Ai në më pak se një vit hapi 4 kompani në Shqipëri që kanë aktivitet në fusha të që lidhen me ndërtimin, import-eksport mallrash të veshjeve, shitblerje pasurish të paluajtshme si dhe zhvillim të biznesit, për të cilat hapi llogari të në banka të ndryshme.
Në llogaritë bankare të disa prej këtyre kompanive, u vunë re transferta në vlera të konsiderueshme të dërguara nga vende të cilësuara me risk të lartë për pastrim parash.
Njëra nga kompanitë ka deklaruar pranë subjekteve financiare se importon mallra nga një vend i rajonit dhe një vend i BE dhe më pas i eksporton në varësi të kërkesave. Nga verifikimet e DPPPP rezultoi se asnjë prej shoqërive të shtetasit në fjalë, nuk kishte kryer procedura doganore import/eksporti.
Gjithashtu DPPPP, rezultoi nga verifikimet se kompanitë e këtij shtetasi nuk kishin aktivitet tregtar në vendin tonë, pa punonjës dhe për më tëpër pa aktivitet shit-blerje, se adresat e subjekteve nuk ekzistonin dhe se shtetasi nuk kishte hyrje-dalje të regjistruara në Shqipëri.

Në një tjetër rast përmendet një person i ekspozuar politikisht, (edhe emri i tij nuk bëhet publik) ku përmes skemave të paqarta të huamarrjes nga një drejtues i lartë i institucioneve publike, me qëllim final marrjen e një lejeje, duke fshehur gjurmët. Ky individ kishte lidhje me një ish-person të ekspozuar politikisht.
Shtetasi A , ish-person i ekspozuar politikisht, në pozicion të lartë drejtues në një institucion publik, rezultonte të kishte nënshkruar disa kontrata noteriale huaje, në cilësinë e palës huamarrëse me qëllim jo të qartë për sa i përket marrjes dhe përdorimit. Si huadhënës, shfaqeshin shtetas të njohur për DPPPP, si të përfshirë në dyshime për pastrim parash.
Nga verifikimet, shtetasi A , kishte regjistruar një person juridik, që ushtronte veprimtari në fushën e ndërmjetësimit, e emërtuar “DX”.
Shoqëria “DX” më tej lidh një kontratë huaje nëpërmjet së cilës do t’i huazonte vlerën prej 40,000 EUR një shoqërie tjetër “EX”, e cila do të kryente një pagesë në favor të një institucioni publik për një leje të miratuar në favor të shoqërisë.
Verifikime të mëtejshme treguan se leja e miratuar, lidhej drejtpërdrejtë me interesat pasurore të shtetasit A. Më tej, ky shtetas, bleu shumicën e kuotave të shoqërisë “EX” (të cilës i kishte dhënë hua, nëpërmjet shoqërisë “DX”), në vlerë 1 milion EUR, duke përforcuar dyshimet për krijimin e një skeme me qëllim humbjen e gjurmëve lidhur me përfituesit fundor të lejes, mënyrës së grumbullimit të fondeve dhe arsyet e huadhënieve në favor të një subjekti, të cilit i mungonte eksperienca e duhur në sipërmarrjen e iniciuar rishtazi.
Kështu është krijuar dyshimi se ky rast ka të bëje me një skemë të pastrimit të parave dhe informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Edhe në 3 skenarë të tjerë përfshihen raste për dyshime për korrupsion, investime në pasuri të paluajtshme nga organizata kriminale dhe ushtrime të ndikimit të paligjshëm.
Lidhur me rrezikun në kohën e pandemisë, edhe vetë Moneyval nxiti institucionet monitoruese në vendet që janë pjesë e tij që të jenë vigjilentë për rrezikun e pastrimit të parave përmes kanaleve të cilat mund të ofroheshin në një situatë pandemie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



