Futboll

Si nuk e pa Italia, por Shqipëria? Adani hap debat për Asllanin

Gazeta Si – Për Kristjan Asllanin po flitet gjithmonë e më shumë. Ai është një nga lojtarët e rinj më të mirë të Serisë A. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar një sezon fantastik me Empolin dhe klubet e mëdhë janë vënë në ndjekje të tij.

Ka lindur në Elbasan, por është rritur në Itali dhe mund të kishte zgjedhur ‘axurrët’, të cilët, me sa duket, nuk kanë bërë përpjekje për ta marrë Asllanin. Lele Adani, ish-futbollist dhe tani opinionist futbolli në Itali ka hapur së fundi një debat në lidhje me këtë çështje, duke e ngritur në qiell lojtarin kuqezi.

Kristjan Asllani me fanellen e Kombetares. Gazeta Si, 10 maj 2022

“Ai është nga të rinjtë më të mirë të kampionatit. Kush do ta blejë nga Empoli Asllanin, do ta kuptojë se çfarë goditje ka bërë. Nuk e di se si nuk e ka parë Italia, por e ka parë Shqipëria? Ai është rritur në Empoli”, – është shprehur Adani për “Bobo tv”.

Falë paraqitjes shumë të mirë që ka bërë këtë sezon, Asllani është vënë në shënjestër të klubeve me emër në Itali. Interi e sheh si një zëvendësues të mundshëm të Brozoviç, por janë edhe shkuadra të tjera që e duan Asllanin aktualisht. Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ia ka propozuar Napolit.

Në Kombëtaren shqiptare pritet që Asllanin ta shohim si një pikë kyçe. Me aftësitë që zotëron, ai mund ta ndihmojë shumë skuadrën tonë në ndërtimin e aksioneve. Mesfushori ka një personalitet të jashtëzakonshëm në fushë dhe manifeston një pjekuri për t’u admiruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë