Ne rrjet

Si nuk duhen shpenzuar paratë e taksapaguesve, shembulli i Suedisë

Ambasada Suedeze në Tiranë është përfshirë me takt në debatin publik, mediatik dhe politik që ka shpërthyer këto ditë në Shqipëri mbi shpenzimet e tepruara të politikanëve shqiptarë. Debati u ndez pas publikimit të faturave të majme të hoteleve ku ka qëndruar ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku shifra shkonte deri në 700 euro nata.

Ambasada Suedeze nuk e përmend në asnjë rast, as ministren shqiptare, as shpenzimet e politikanëve shqiptarë, por risjell në faqen e vet zyrtare në rrjetet sociale një artikull të muajit maj të gazetares dhe shkrimtares braziliane, Claudia Wallin.

Wallin jeton prje 2003 në vendin nordik dhe një prej gjërave që i ka bërë më shumë përshtypje është thjeshtësia që karakterizon politikanët vendas, që nuk gëzojnë asnjë privilegj nga detyra si deputetë, ministër, kryeministër apo pozicione të tjera shtetërore. Përshtypjet e saj i ka rrëfyer në librin “Të pathënat e Suedisë” (Sweden: The Untold Story).

Më poshtë një pjesë nga libri i saj i shpërndarë në formën e një artikulli nga ambasada suedeze në Tiranë.

Sado e çuditshme dhe e pazakontë mund të tingëllojë për përfaqësuesit e popullit diku tjetër, Suedia nuk ofron asnjë luks, apo privilegj për politikanët. Ata nuk kanë makina zyrtare, as shoferë personalë, ministrat suedezë udhëtojnë me autobusët dhe trenat, shpesh të mbipopulluar, ashtu si qytetarët që përfaqësojnë. Nuk kanë asnjë të drejtë imuniteti, ata mund të dalin në gjyq ashtu si një qytetar normal.

“Jam unë që i paguaj politikanët dhe nuk shoh arsye se përse duhet t’u ofroj një jetë të mbushur me luks dhe privilegje”, thotë Joakim Holm, një qytetar suedez.

Politikanët që guxojnë të shpenzojnë paratë publike duke udhëtuar me taksi përfundojnë në faqet e para të gazetave dhe mediave online. Edhe kreu i Parlamentit ka një abone të transportit publik që e përdor për të shkuar çdo ditë në punë. Vetëm Kryeministri ka të drejtë që të përdorë një makinë të forcave të sigurisë që e shoqërojnë në mënyrë të përhershme.

Pjesa më e madhe e parlamentarëve suedezë jetojnë në apartamente të vogla në kryeqytet, ku lajnë dhe thajnë rrobat e veta tek lavanderitë komunale. Kjo mund të tingëllojë si e pabesueshme jashtë Suedisë, por sot për parlamentarët suedezë është shumë herë më mirë, po të kihet parasysh që në vitet 1980-1990 përshtasnin zyrat edhe si dhoma fjetjeje pasi nuk përballonin qiratë e lartë të apartamenteve.

Askush në administratën publike nuk merr një rrogë të tepruar. Një deputet i Riksdag (Parlamenti) merr rreth dy herë më shumë se rroga e një mësuesi të shkollës fillore. Në nivel vendor, këshilltarët bashkiakë nuk kanë rrogë fare, madje nuk kanë as zyra. Ata punojnë nga banesat e tyre. Kjo mund të shihet nga kolegët e tyre gjetkë si një rast që kërkon trajtim psikologjik, por nuk është kështu.

Përvoja suedeze shemb mitin se politikanët, pra ata që drejtojnë një shoqëri duhet të trajtohen me rroga të majme, si zonjusha, zonja e zotërinj, që janë më të dinjitetshëm sesa qytetari mesatar, ndaj meritojnë privilegje dhe përfitime që një qytetar i zakonshëm nuk mund t’i ketë kurrë.

Ky është vendi që trajton zyrtarët qeveritarë dhe përfaqësuesit politikë si qytetarë të zakonshëm, një vend pa “Shkëlqesi” dhe tituj të tjerë formalë (të padobishëm). Një shoqëri që hoqi dorë nga përdorimi i titujve formalë që në vitet 1960 dhe ku të gjithë të thërrasin e thërriten me “Ti”. Kjo, sepse sipas sistemit suedez të vlerave, askush nuk është mbi askënd, as politikanët që duhet të jetojnë sipas kushteve që jetojnë njerëzit që i kanë zgjedhur.

Më kujtohet ndjesia e çuditshme e dëshmimit të një fenomeni jashtëtokësor kur pashë ministrin e Jashtëm suedez së bashku me Kryeministrin tek shtynin në një supermarket të Stokholmit karrocat e mbushura me ushqime, apo kur pashë kryebashkiakun e Stokholmit tek priste në radhë në stacionin e autobusit për të marrë abonenë e tij, apo kryeparlamentari që ishte ulur në një prej stolave jo dhe aq komodë të metrosë së këtij qyteti.

Suedia është e çliruar nga pabarazitë e thella sociale dhe është padyshim një prej vendeve më të sigurta dhe më pak të dhunshme në botë, ku politikanë dhe qytetarë, zakonisht nuk kanë nevojë që të lëvizin me makina të blinduara. Por, më i rëndësishëm është fakti që politikanët janë vazhdimisht në kontakt me shoqërinë që i zgjedh dhe vuajnë edhe vetë mbi shpinë problematikat e përditshme të vendit, sado të pakta qofshin ato.

E njëjta gjë ndodh edhe në sistemin e drejtësisë. Asnjë gjyqtar, apo prokuror nuk ka të drejtë për të patur një makinë zyrtare, as sekretare dhe as të tjera favore si këto.

Të pushtetshmit duhet të japin llogari dhe i gjithë informacioni duhet të jetë i lirë dhe publik. Llogaridhënia dhe transparenca suedeze vëzhgohet dhe monitorohet nga ligji më i vjetër i transparencës, ligj që e bën korrupsionin në nivel kombëtar një fenomen të pazakontë.

Në vitin 1766 u vendos që në Kushtetutë e drejta e publikut dhe e çdo qytetari për të patur akses tek dokumentet e qeverisë. Në Suedi mund të informohesh për çdo faturë shpenzimi të ministrave, deputetëve, gjyqtarëve dhe të vetë Kryeministrit dhe të kujtdo zyrtari tjetër, përfshirë edhe të familjes mbretërore.

Një prej skandaleve më të mëdha në politikën suedeze ndodhi në vitet 1990. Zv.ministrja e asaj kohe, Mona Sahlin përdori kartën e kreditit qeveritare për të blerë një makinë dhe disa sende të tjera personale. Skandali u zbulua dhe ajo e pagoi shtrenjtë për këtë, duke humbur vendin e punës.

Në më pak se një shekull, Suedia arriti që të transformohej nga një vend përgjithësisht i varfër agro-kulturor në një prej vendeve më të pasura, më të barabartë dhe më pak të korruptuar në botë, ku askush nuk qëndron mbi qytetarin. Përvoja suedeze, tregon më së shumti se ndryshimi mund të ndodhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë