Analize

Si nisën rrëzimin e Gruevskit studentët në Maqedoni

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski tashmë është në arrati në Hungari, ku ka kërkuar azil politik për t’i shpëtuar burgut. Por dy vite më parë askush nuk mund ta parashikonte fundit e tij, pasi i ashtuquajturi “Putini” Ballkanit kishte kapur të gjitha institucionet shtetërore dhe kontrollonte të gjitha sindikatat e punëtorëve dhe grupet e protestuesve. Ai duket se kishte nën kontroll gjithçka, përveç studentëve. Dhe do të ishin pikërisht ata që do të çonin drejt fundit të tij.      

Pas fitimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, Gruevski u akuzua nga opozita për manipulimin e zgjedhjeve, gjë që bëri që kjo e fundit të bojkotonte seancat e legjislativit. Ky ishte viti që shënoi edhe protestat e para studentore në Maqedoni, të cilat zgjatën për më shumë se një vit duke detyruar qeverinë të tërhiqej.

Analistët pajtohen se protestat studentore maqedonase të viteve 2014-2015 u kthyen në një faktor të pakontrollueshëm as nga qeveria, as nga opozita dhe as nga aktorët ndërkombëtarë.

Shfaqja e protestave masive të studentëve ishte disi e papritur për një vend si Maqedonia, pavarësisht nga ankesat e gjata për kushtet në konvikte apo tarifat e larta. Por vendimi i qeverisë së Gruevskit për të instaluar një sistem të centralizuar të provimeve të arsimit të lartë në vjeshtën e vitit 2014, ishte pikënisja e revolucionit.

“Ky është shkelmi i fundit. Ne kemi kaluar nëpër të gjitha format e represionit. Ne kishim qenë prioriteti i fundit në çdo listë. Dhe ne kemi paguar për gjëra që ne as nuk e dinim se ekzistonin”, shprehej David Stefonski, një nga zërat kryesorë të protestës së studentëve, në atë kohë.
Marsi i vitit 2015 shënoi një kthesë historike për Maqedoninë.

https://www.youtube.com/watch?v=wza1cSOaNO0

Për herë të parë në Shkup u kapërcyen ndarjet etnike midis maqedonase dhe shqiptarëve, duke bërë që të rinjtë të bashkoheshin së bashku përballë atyre që ata i konsideronin padrejtësi. Dhe, në këtë periudhë daton edhe protesta më e madhe qytetare që kishte parë vendi.

Pasi Parlamenti Studentor, organizata studentore burokratike e sponsorizuar nga qeveria, nuk reagoi, studentët morën situatën nën kontroll dhe krijuan një tjetër strukturë, Pleniumin e Studentëve, për të protestuar ndaj planeve të qeverisë dhe për të luftuar për të drejtat e tyre.

Të gjitha fakultetet universitare iu bashkuan kauzës së studentëve duke refuzuar haptazi të planet e reformave të qeverisë. Kjo u pasua nga një letër e hapur për qeverinë e nënshkruar nga 110 profesorë, të cilët dolën në mbrojtje të kërkesave të studentëve. Akademikët, intelektualët dhe studentët nga jashtë gjithashtu dërguan deklarata mbështetëse.

Ndërkohë që qeveria po përpiqej të shpërfillte protestat, studentët të inkurajuar nga mbështetja e intelektualëve, planifikuan një tjetër demonstratë masive që u zhvillua më 26 dhjetor përpara ndërtesës qeveritare në Shkup.

Përsëri, mijëra studentë morën pjesë në atë që ishte demonstrim i tretë masiv kundër reformave të planifikuara. Megjithatë, qeveria ishte e vendosur të miratonte ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë dhe ta çonte çështjen në parlament në janar. Profesorët dhe studentët i kërkuan presidentit Gjorgje Ivanov (po ashtu profesor) që të vinte veton ndaj legjislacionit.

Por si Presidenti ashtu edhe Parlamenti i Maqedonisë miratuan reformat më 14 janar të vitit 2015. Miratimi i ligjit i zemëroi studentët dhe radikalizoi lëvizjen e tyre.
"Përgatituni i dashur Kryeministër, të dashur qeveritarë dhe të dashur ligjvënës. Pleniumi i Studentëve do të fillojë rrëzimin e shtetit! Lufta filloi!”, shkruhej në faqen e Facebook-ut të Pleniumit pak pas miratimit të reformës. Më vonë Pleniumi vendosi të organizojë një grevë të madhe studentore.

https://www.youtube.com/watch?v=hI-n2_gp19Y

Demonstratat masive të studentëve dhe rritja e mbështetjes për kauzën e tyre kishin shtruar rrugën për shpërthimin e protestave më të mëdha anti-qeveritare.

Më 11 shkurt mbi një mijë studentë filluan okupuan katër fakultetet e universitetit në Shkup. Ata i shpallën ato 'zona autonome' dhe mbajtën leksione alternative, koncerte dhe ngjarje të tjera. Okupimit zgjati për 15 ditë. Në reagim, qeveria bëri një kthesë: hapi negociata me studentët dhe profesorët dhe pas pak ditësh vendosi të shfuqizojë ligjin e miratuar dhe përkundrazi të angazhohej për hartimin e një ligji krejtësisht të ri të arsimit të lartë, duke hequr kështu edhe provimet shtetërore që kishin nxitiurprotestat e studentëve. Ata kishin fituar, por lufta e tyre nuk përfundonte aty.

Kur filloi okupimi i universiteteve, qeveria u vu nën presion të lartë pasi edhe punëtorët filluan të protestonin kundër rritjes së taksave. Ndërkohë opozita e udhëhequr nga Zoran Zaev njoftoi papritur se do të dilte me materiale kompromentuese ndaj qeverisë së Gruevskit. Në sfondin e këtij konflikti të përshkallëzuar politik dhe shoqëror, qeveria vendosi të qetësonte studentët, mes frikës së ata mund të çonin në shfaqjen e protestave më të gjera antiqeveritare.

Pasi opozita lëshoi transkriptimet e përgjimeve të urdhëruara nga qeveria, që përfshinin dëshmi të përpjekjeje së qeverisë për të fshehur vrasjen e një të riu të quajtur Martin Neshovski, në Shkup u shfaqën sërish protestat studentore. Në fillim ato ishin të dhunshme, dhe u pasuan nga një sërë përleshjesh mes policisë dhe studentëve.

Si rezultat, shpërthyen protesta të përditshme, demonstruesit i bënin thirrje Gruevksit të dorëhiqej, ndërkohë që punëtorët hynë në grevë. Në qershor të vitit 2015, komisioneri i BE për zgjerimin Johannes Hahn negocioi për një zgjidhje midis qeverisë dhe opozitës për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Ajo që kishte nisur si një lëvizje studentore kundër reformës arsimore, u shndërrua sa hap e mbyll sytë në një lëvizje kombëtare anti-qeveritare. Analistët vlerësojnë se me siguri Gruevski do të ishte ende në pushtet, më autoritar se kurrë, po të mos ishte për mobilizimet fillestare të studentëve. Veprimet e një brezi të ri rebel ishin pikërisht ato që i “ulën hundën” qeverisë në Shkup.

Në Ballkanin e liderëve autoritarë, protestat studentore kanë qenë gjithnjë ato që, në mos u kanë vënë fre, i kanë vënë gjithnjë në vështirësi të madhe qeveritë. Ngritja e studentëve kundër politikave shtrënguese apo shkurtimeve të buxhetit në universitetet greke dhe protestat e Gezës në Stamboll fituan famë më të madhe ndërkombëtare. Ato u pasuan nga kryengritjen e studentëve në Ballkanit Perëndimor, për të formuar një model të ri të aksioneve studentore, të cilat ia kanë dalë në shumicën e rasteve të “gjunjëzojnë” qeveritë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë