Analize

Mosrespektimi i masave shtoi të infektuarit në Kosovë e Maqedoninë e Veriut

Vetëm tre javë pas lirimit gradual të masave të kufizimit, epidemia e koronavirusit  po merr dita ditës një kthesë të fuqishme në rajon. Edhe pse qytetarët po mundohen të kapen fort pas “kthimit në normalitet”, ndryshe nga Shqipëria që deri diku ka shifra konstante, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po përballen prej një jave me rritje të rasteve të reja. Javën që lamë pas, vendi ynë regjistroi të paktën 80 raste të reja, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut u zbuluan të paktën 600 raste të reja brenda javës. Në Kosovë ndërkohë, vetëm gjatë ditës së dielë janë regjistruar 40 raste të reja me Covid-19, duke alarmuar qeverinë që sapo ka marrë detyrën.

Përfaqësuesit e autoriteteve shëndetësore në Prishtinë ishin të parët që e deklaruan publikisht dje se lirimi i kufizimit dhe mosrespektimi i masave mbrojtëse ka çuar në një rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Ndryshe nga autoritetet në vendin tonë, ata i bënë thirrjë të gjithë shqiptarëve të Kosovës të mbajnë maska.

Duke deklaruar se është rritur ndjeshëm numri i rasteve aktive, autoritetet shëndetësore në Kosove u bënë thirrje qytetarëve për ruajtjen e distancës fizike, qëndrimin brenda të të moshuarve si dhe kujdes për higjienën personale.

Prishtinë, Gazeta Si, 2020

Gjatë një vizitë në pikën kufitare në Vërmicë, që lidh Kosovën me Shqipërinë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kërkoi nga qytetarët që të jenë tejet të kujdesshëm gjatë lëvizjes.

“Të gjitha ata që hyjnë në Kosovë të respektojnë masat konkrete të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, tha Zemaj.

Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se nëse Instituti sheh se qytetarët që nuk po përfillin këto rekomandime, do të ndërmarrin masa rigoroze deri në kufizimin e lëvizjes apo qarkullimit.

“Kalimi i kufirit në mënyrë të lirë nuk nënkupton që ne do të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve të Kosovës apo të Shqipërisë. Kalimi dhe lehtësimi i masave nënkupton lëvizjen e lirë duke u mbrojtur, duke rekomanduar të gjitha masat mbrojtëse”, tha Ramadani.

Ruajtja e distances gjatë protestës së Vetëvendosjes

Rritja e numrit të rasteve të reja, erdhi në të njëjtën ditë që qeveria e Kosovës miratoi disa masa lehtësuese, duke hequr orarin e kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00. Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste dhe 31 viktima.

Situata më dramatike paraqitet megjithatë në Maqedoninë e Veriut, ku Shkupi u vendos gjatë fundjavës në shtetrrethim. Qeveria në vendin fqinj pritet të komunikojë nëse do të vendoset ora policore në qytet më të prekura.

Shkup

Ashtu si në pesë ditët e fundit, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan në 24 orët e fundit mbi 100 raste të reja (127), ndërkohë që numri i rasteve aktive është 1 226. Dy persona ndërruan jetë, një paciente nga Struga në moshë 53-vjeçare dhe një pacient nga Prilepi në moshë 80-vjeçare. Qytetet më të prekura janë Shkupi, Kumanova, Tetova, Ohri dhe Gostivari. Maqedonia e Veriut ka dyfishin e rasteve me Covid- 19 në krahasim me Shqipërinë, me 3 025 të prekur dhe 153 viktima.

Kreu i Qendrës së Shëndetit Publik në Shkup, Arben Ziberi, tha për mediat se qendra kryesore e epidemisë së Covid-19 në kryeqytet ishte komuna shqipare e Çairait, ku shumë besimtarë myslimanë festuan në fund të majit fundin e muajit të Ramazanit në xhami ose u mblodhën në masë nëpër shtëpi.

“Në Shkup, 90 për qind e rasteve të reja kanë origjinë nga 15 familje nga kjo komunë. Por ne kemi situatën nën kontroll dhe kemi gjurmuar infeksionet” tha ai, duke shtuar se në disa raste, megjithatë, qytetarët kishin refuzuar bashkëpunimin me autoritetet shëndetësore.

Rritja e infeksioneve nuk i atribuohet asnjë faktori të vetëm. Në qytetin qendror të Shtipit, për shembull, ku shumica e njerëzve janë të krishterë, infeksioni është përhapur në mesin e punëtorëve në disa fabrika tekstilesh që tani janë të mbyllura.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë