Trashëgimi

Si mbijetoi ‘Kodiku i purpurt i Beratit’, dokumenti i rrallë që daton nga koha e Justinianit

"Historia e mësipërme e ruajtjes së kodikëve me fanatizëm ka marrë përmasa të legjendës së gjallë mes beratasve, por sidomos për banorët e lagjes “Kala”. Sa herë vinte rreziku, i fshihnin, e kur rreziku largohej, i kthenin në vendin e tyre. Kështu ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe asaj së dytës. Madje, edhe be të rreme mbi ungjill bënë beratasit, thonë rrëfimet, që të mos tregonin ku fshiheshin kodikët. Kështu duhet të jenë fshehur dhe herën e fundit, kur pas Luftës II Botërore Partia dhe pushteti popullor kërkonte kodikët. Komunikimet e Degës së Punëve të Brendshme të Beratit me Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Ministrinë e Arsimit dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në vitet ’50 na tregojnë se kohë pas kohe punonjës të Degës si dhe vullnetarë pyesnin haptas apo përmes provokimeve banorët e Kalasë për vendndodhjen e kodikëve"

Nga Gazeta “SI” – “Kodiku i purpurt i Beratit”, është një nga dokumentet më të rëndësishme pas atij të shpalljes së pavarësisë. Por për publikun, shpesh ka qenë e paqartë origjina dhe historia e tyre. Që nga pyetja thelbësore se çfarë janë kodikët dhe se për çfarë kanë shërbyer e deri tek pyetja se a janë diku dhe a ekzistojnë ende këto kodikë.

Studiuesi dhe arkivisti Sokol Çunga, shpjegon për  Gazetasi.al procesin e shkrimit të kodikëve deri të ruajtja dhe restaurimi i tyre.

“Shumëkush që vjen në arkiv, apo kush haset me ndonjë prej nesh, arkivistëve, nuk shpëton pa pyetur dikur: Aty e keni kodikun e purpurt të Beratit? Sigurisht, këtu e kemi. Dhe, ndonëse është dokumenti më i famshëm pas atij të shpalljes së pavarësisë, për të cilin përsëri shumëkush vazhdon të pyesë, ndonëse dihet se nuk e kemi, kurrë nuk harrojmë të flasim për kodikun e purpurt.”

Çunga e nis me shpjegimin e konceptit të kodikëve.

“Kodik emërtojmë një libër ku teksti është shkruar me dorë në pergamenë apo në letër, ku fletët palosen në fashikuj dhe fashikujt lidhen nga njëra anë. Nënkuptojmë të njëjtën gjë me fjalën libër.”

Ai shton se në “Drejtorinë e Arkivave” gjendet  një fond që quhet “Kodikët e Shqipërisë” ku bën pjesë edhe Kodiku i Purpurt.

“Në fondin “Kodikët e Shqipërisë” me numër reference 488, në dosjen 1, është sistemuar i mirënjohuri Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 1, ose Codex Purpureus Beratinus. Ky kodik, ose ky libër, ka 190 fletë të cilat përmbajnë tekstet e ungjillit sipas Mateut dhe sipas Markut shkruar në scripta continua (shkrim i pandërprerë, pa hapësira mes fjalëve), me germa kapitale unicale mbi pergamenë të purpurt. Shkrimi paraqitet në dy kolona, në 17 rreshta për kolonë, i aplikuar i gjithi me argjend të përshtatur për shkrim, ca pak herë me ar. Për shkak të dëmtimit, përmasat e fletëve luhaten mes 23 x 21.5 cm” – thotë për Gazetasi.al studiuesi Çunga.

Sipas tij, nuk ka informacion të saktë se sa ka zgjatur shkrimi i Kodikut të Purpurt por dihet me afërsi koha kur janë shkruar e cila daton me kohën e Perandorit Justinian.

“Koha e shkrimit të kodikut nuk na është e njohur. Duke e krahasuar me dorëshkrime të tjera, kuptojmë se duhet të jetë prodhuar në scriptoria, punishte shkrimi, të cilat punonin për perandorin e bizantit, afër mesit të shek. VI pas K.

Kurse nga Historia e Prokopit, historianit më në zë të kohës, informohemi se kur perandori Justinian i Madh mposhti “revoltën e Nika-s”, e cila për pak i rrezikoi fronin dhe kokën, ndërmori një sërë veprash publike, ndërtoi dhe restauroi rrugë, ndërtesa administrative, ndërtime infrastrukturore, si dhe ndërtoi 100 kisha të cilave u dhuroi 100 kodikë të purpurt me tekstin e Biblës”  

Ngjyra e purpurt, lidhet drejpërsëdrejti me privilegjet që gëzonin vetëm ata të cilët ishin pjesë e oborrit perandorak.

“Ndërkaq, dimë me siguri se në Perandorinë Bizantine ngjyra e purpurt në veshje apo në çdo formë të shkruar ishte privilegj vetëm i perandorit dhe familjes së tij. Këto argumente historike, bashkë me analizat paleografike dhe krahasimet me dorëshkrimet e tjera të kohës na bëjnë të pranojmë se sot kemi në duar një dorëshkrim perandorak, i rrallë për kohën kur është prodhuar, por edhe për ne sot”- shpjegon Çunga.

Pas mësymjeve sllave, kodikët u shpëtuan nga plaçkitja falë murgut Teodul dhe Kontitt të Skuripeqit të cilët i fshehën në kullën e kalasë së Beratit.

Dorëshkrimet greqisht të Beratit të Shqipërisë dhe
Codex Purpureus Φ, Paris, 1886.

Që prej atij viti e deri në fillim të shek. XIX, kohë kur hasim referencën e radhës për vendndodhjen e tij, Kodiku i Beratit nr. 1 ka qenë ndodhur në Berat. Pasojnë botime nga Anthim Aleksudhi, mitropolit i Beratit, dhe Pierre Battifol, studiues i Shkollës Franceze të Romës, të cilët e përmendin dhe përshkruajnë. Madje, edhe kronika e mësipërme e Teodulit prej tij është botuar, origjinalin e konsiderojmë të humbur”

Pierre Batiffol

Studiuesi Sokol Çunga thotë se ruajtja e tyre për shumë shumë shekuj, mori edhe përmasat e legjendës. Gjithsesi ato ia dolën të ruhen dhe ti mbijetojnë dy luftërave botërore ,  falë vullnetit dhe fanatazimit të beratasve.

“Historia e mësipërme e ruajtjes së kodikëve me fanatizëm ka marrë përmasa të legjendës së gjallë mes beratasve, por sidomos për banorët e lagjes “Kala”. Sa herë vinte rreziku, i fshihnin, e kur rreziku largohej, i kthenin në vendin e tyre. Kështu ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe asaj së dytës. Madje, edhe be të rreme mbi ungjill bënë beratasit, thonë rrëfimet, që të mos tregonin ku fshiheshin kodikët.

Kështu duhet të jenë fshehur dhe herën e fundit, kur pas Luftës II Botërore Partia dhe pushteti popullor kërkonte kodikët. Komunikimet e Degës së Punëve të Brendshme të Beratit me Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Ministrinë e Arsimit dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në vitet ’50 na tregojnë se kohë pas kohe punonjës të Degës si dhe vullnetarë pyesnin haptas apo përmes provokimeve banorët e Kalasë për vendndodhjen e kodikëve”

Sokol Çunga

Kodikët u zbuluan në vitin 1968 nga Aleks Buda, dhe më pas u dërguan në Kinë për restaurim, për tu rikthyer në arkivën e shtetit shqiptar, aty ku gjenden dhe sot.

“Si edhe të tjerë më herët, pushteti dështoi. Dikur, vetën e vitit 1968, i fundit beratas që kishte dijeni për vendndodhjen e kodikëve, psalti i lagjes Kala, Nasi Papapavli, i tregoi me përafërsi prof. Aleks Budës vendin ku ishin fshehur kodikët.  Beratinus 1 dhe 2 u nxorën nga një gropë në hieroren e kishës Fjetja e Hyjlindëses, sot Muzeu Onufri. Koha e gjatë në lagështi i kishte dëmtuar tepër, pergamena ishte krejt e ngjitur dhe fletët nuk mund të shfletoheshin.

Në këtë gjendje u mbajt kodiku i Beratit nr. 1 në Arkivin Qendror Shtetëror, deri sa u restaurua në Kinë më 1971. Në janar 1972 u kthye në AQSH, ku qëndron deri sot” – përfundon Sokol Çunga.

Restauratorët Reshat Alia dhe Sanije Mara në
Laboratorin e Restaurimit të Institutit të Arkeologjisë në Pekin, Kinë.

Kodiku i Beratit nr. 1 është një ekzemplar i përveçëm i librit bizantin, i cili ka përshkruar rrugëtim të gjatë ndër kohëra dhe vende, deri sa mbërrin në duart tona. Nga ana tjetër, është një prej 5 kodikëve të purpurt prodhuar, sipas të gjitha gjasave, me porosi të perandorit Justinian. Teksti i tij është i rëndësishëm për studiuesit specifikë të fushës, lëndët me të cilat është prodhuar flasin për mënyrën si prodhoheshin librat në mesjetë, kurse ekzistenca e tij na flet për këtë traditë të çmuar: ruajtjen e librit dhe trashëgimin e tij, dorë pas dore, deri më sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë