Nga Gazeta ‘Si’– Mesazhi i Ursula von der Leyen ishte i drejtpërdrejtë: “Europa nuk mund të jetë më kujdestare e rendit të vjetër botëror” dhe ka nevojë për një “politikë të jashtme më realiste dhe të drejtuar nga interesat”.
Në një fjalim të rëndësishëm për politikën e jashtme këtë javë, presidentja e Komisionit Europian tha se Bashkimi Europian do të vazhdojë gjithmonë të “mbrojë dhe të mbështesë sistemin e bazuar në rregulla”, por në një botë të pasigurt dhe kaotike, ky sistem nuk mund të merret më si i mirëqenë.
Ditën kur ajo mbajti fjalimin, raketat po binin mbi Teheran dhe në jug të Iranit, ndërsa lufta kishte hyrë në ditën e saj të dhjetë, duke e vërtetuar pikërisht këtë realitet.
Konflikti në Lindjen e Mesme, që ka jehuar në të gjithë Europën, ka nxitur reagime të ndryshme. Franca po dërgon një duzinë anijesh luftarake në Mesdhe dhe në Detin e Kuq. Zyrtarët e BE-së organizuan një samit të posaçëm me liderë të Lindjes së Mesme për të shprehur solidaritet me rajonin.
Ndërkohë, ndihma humanitare e BE-së për Libanin po dërgohet për të ndihmuar rreth 130 mijë persona, pasi të paktën gjysmë milioni janë zhvendosur nga bombardimet izraelite dhe urdhrat e evakuimit.
Megjithatë, pavarësisht aktivitetit të madh diplomatik, zëri i Europës ka pasur pak peshë. Ndërsa Donald Trump ndryshon vazhdimisht qëndrimet për objektivat e luftës- duke deklaruar brenda 24 orësh se konflikti ishte “praktikisht i përfunduar”, por edhe se “nuk kemi fituar mjaftueshëm”-thirrjet e kujdesshme të Europës për përmbajtje nuk janë marrë parasysh.
Një pjesë e problemit lidhet me mungesën e unitetit për mënyrën se si duhet reaguar. I vetëm në këtë qëndrim, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka refuzuar “të bëhet bashkëfajtor në diçka që është e keqe për botën dhe që bie ndesh edhe me vlerat tona”.
Në anën tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se “nuk është momenti për t’u dhënë leksione partnerëve dhe aleatëve” për të drejtën ndërkombëtare.
Mes këtyre ndasive, zyrtarët e BE-së vazhdojnë të bëjnë thirrje të përgjithshme për diplomaci, një qasje që është kritikuar ashpër, edhe nga ish-zyrtarë të brendshëm të unionit.
Një ish-drejtues i shërbimit diplomatik të BE-së shkroi se Brukseli është “reduktuar në një rol të paralizuar si komentues i thjeshtë i tronditjeve gjeopolitike në krahun e tij jugor”.
Një tjetër ish-zyrtar i BE-së ishte po aq kritik, duke shkruar se reagimi europian ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit ka qenë “i turpshëm: i tronditur, i anashkaluar dhe i përçarë”.
Po ashtu është vënë re se zyrtarët europianë kanë kritikuar Iranin për kundërpërgjigjen e tij, pa përmendur faktin se SHBA dhe Izraeli vendosën të nisin luftën pa u përballur me një kërcënim të menjëhershëm.
Analistët e European Council on Foreign Relations përfunduan se “reagimi kolektiv i Europës ka qenë, në rastin më të mirë, një fiasko, dhe në rastin më të keq, një çmenduri strategjike”.
Julien Barnes-Dacey, drejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në këtë institut, tha se Europa është aktualisht në një situatë të pazakontë.
“Europianët po sillen me një kujdes të tepruar ndaj Trumpit, nga frika se mos e irritojnë, saqë nuk po arrijnë të dalin me një qëndrim të qartë për luftën,” tha ai për The Guardian.
Sipas tij, europianët ndoshta nuk mund ta ndryshojnë vetëm dinamikën e konfliktit, por mund të ushtrojnë më shumë presion politik duke deklaruar qartë se kjo luftë është një katastrofë dhe se bie ndesh me interesat e tyre.
Një nekrologji për të drejtën ndërkombëtare?
Konflikti në Lindjen e Mesme ka zbuluar edhe një ndarje të vjetër: kush flet në emër të Europës në skenën ndërkombëtare. Në një kritikë ndaj diplomacisë së von der Leyen, Franca akuzoi Komisionin Europian se po uzurpon rolin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila vepron mbi bazën e një mandati të miratuar nga 27 shtetet anëtare.
Ministri i jashtëm francez Jean-Noël Barrot i bëri thirrje Komisionit që të “respektojë në mënyrë strikte frymën dhe shkronjën e traktateve të BE-së”.
Komentet e tij erdhën pasi eurodeputetja franceze Nathalie Loiseau kritikoi diplomacinë telefonike të von der Leyen me liderët e Gjirit, duke thënë se kjo “nuk është puna e saj”.
Megjithatë, kjo kritikë nuk ndahet nga të gjithë. Disa burime të BE-së argumentojnë se është e rëndësishme që presidenti i Komisionit të marrë rol udhëheqës gjatë krizave globale. Sipas një diplomati europian, akuzat për tejkalim të mandatit janë shpesh vetëm një mënyrë për të shprehur pakënaqësi me vendime konkrete.
Gjithsesi, Von der Leyen ka shkaktuar shqetësim me gatishmërinë e saj për të përqafuar idenë e ndryshimit të regjimit në Iran, një qëndrim që është interpretuar si përpjekje për të qëndruar pranë Trumpit.
Kallas nuk ka shkuar kaq larg; ajo ka thënë se një Iran demokratik është “skenari i ëndrrave”, por jo domosdoshmërisht një rezultat i sigurt.
Ka edhe një dallim më të thellë. Von der Leyen dukej sikur shpallte një lloj “nekrologjie” për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke bërë thirrje për “forma të reja bashkëpunimi me partnerët”.
Ndërsa Kallas theksoi se duhet rikthyer respekti për të drejtën ndërkombëtare, duke paralajmëruar se përndryshe “do të përballemi me shkelje të vazhdueshme të ligjit, me përçarje dhe kaos”.
Edhe nënkryetarja e Komisionit Europian, Teresa Ribera, e kritikoi publikisht von der Leyen, duke thënë se “ndoshta nuk ishte mënyra më e përshtatshme për t’u shprehur”. Ajo theksoi se mbrojtja e së drejtës ndërkombëtare është element kyç i projektit dhe sigurisë evropiane.
Edhe më kritike ishte drejtuesja e socialistëve në Parlamentin Evropian, Iratxe García Pérez, e cila akuzoi von der Leyen se po dështon në detyrën e saj për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare. “Nëse pranojmë që fuqitë e mëdha mund të bombardojnë kur të duan, atëherë e drejta ndërkombëtare pushon së ekzistuari dhe përfundojmë me ligjin e xhunglës,” tha ajo.
Përballë kritikave, Von der Leyen mbrojti më fort qasjen e saj para eurodeputetëve të mërkurën.
“Ta shohësh botën ashtu siç është nuk e zvogëlon aspak vendosmërinë tonë për të luftuar për botën ashtu siç duam të jetë,” deklaroi ajo.
Sipas Barnes-Dacey, thirrja e Von der Leyen për realizëm është një përpjekje për të mbajtur Trumpin në krah të Europës në çështjen e Ukrainës.
Ai e quajti këtë “një pranim të heshtur të paligjshmërisë së kësaj lufte dhe të dështimit të Europës për ta denoncuar atë, nga frika se mos zemëron Trumpin”. Ndërkohë, ndërsa Trump ka lënë të kuptohet se mund të lehtësojë sanksionet e naftës për disa vende për të garantuar furnizimin mes tyre potencialisht edhe Rusinë kjo strategji duket gjithnjë e më e pasigurt.
Liderët e BE-së janë gjithashtu shumë të shqetësuar për pasojat që konflikti në Lindjen e Mesme mund të ketë për Ukrainën, më shumë se katër vjet pas pushtimit rus.
Rusia mund të përfitojë nga rritja e çmimeve të energjisë, nga devijimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe municioneve drejt Lindjes së Mesme, si dhe nga ulja e vëmendjes ndaj luftës që ka nisur kundër fqinjit të saj.
“Deri tani ka vetëm një fitues në këtë luftë — Rusia,” tha presidenti i Këshillit Europian, António Costa.
Sipas Barnes-Dacey, Europa po bën “një gabim strategjik katastrofik” në qasjen ndaj luftës me Iranin.
“Për hir të menaxhimit të konfliktit në Ukrainë dhe për të shmangur goditje të reja ekonomike dhe tregtare, evropianët në fakt nuk janë të gatshëm të përballen me Trumpin për një konflikt që do të ndikojë thellë interesat e tyre më të gjera.”
Burimi: The Guardian/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje