Me shumë skepticizëm, madje edhe me një mllef ndaj drejtuesve, kështu e pritën tifozët e Liverpulit largimin e Kutinjos dimrin e shkuar dhe më pas zëvendësimin e tij me Xherdan Shaqirin. Kutinjo nga të gjithë cilësohet si fantazisti i së ardhmes dhe një nga më të mirët në rolin e tij për momentin. Braziliani e kërkoi me ngulm kalimin në Barcelonë dhe trajneri Jurgen Klop nuk mund ta mbante me zor, duk ia hapur derën, sigurisht kundrejt një shume të majme që klubi katalanas derdhi në arkat e skuadrës angleze. Në janar vendi i Kutinjos mbeti vakant, ndërsa në verë Klop preferoi një blerje “low cost”, duke mos shpenzuar më shumë se 20 milionë euro dhe mori në skuadër Xherdan Shaqiri.

Me një karrierë deri në atë moment me shumë luhatje, ku nga Bajerni shkoi te Inter dhe më pas te Stoke City, Shaqiri u prit me shumë skepticizëm në mesin e tifozëve të Liverpulit. Ardhja e tij e pranuar si nga trajneri dhe vetë lojtari ishte për të dubluar Salah apo Mane në momentet kur këta dy do të ndjenin lodhje për shkak të intensitetit të madh të ndeshjeve. Por kjo nuk e dekurajoi sulmuesin me origjinë shqiptare, i cili uli kokën dhe u stërvit fort për ta shfrytëzuar sa më mirë momentin kur do i jepej mundësia për të zbritur në fushë. Dhe momenti i erdhi pikërisht në një ndeshje si ajo me rivalët e përjetshëm të Mançester Junajtid. Shaqiri u fut nga stoli në momentin kur ndeshja ishte në barazim dhe arriti të shënonte dy gola që i dhanë fitoren Liverpulit dhe mundësinë për të qenë i vetëm në krye të tabelës.

Me paraqitjet e tij në kampionat dhe Ligën e Kampionëve, Shaqiri ka bërë që emri i Kutinjos të jetë një ëndërr shumë e largët dhe që tashmë nuk dhëmb më. Shaqiri ka luajtur në 15 ndeshje në Premier League, duke shënuar 6 gola dhe dhënë 2 asist. Mesatarja e golave të Shaqirit është 1 për 134 minuta.

Nëse do i krahasonim këto statistika të Shaqirit me atë të Kutinjos, sulmuesi me origjinë shqiptare është ndjeshëm më lartë. Kutijno këtë sezon me Barcelonën ka shënuar 4 gola dhe një asist në 15 ndeshje. Por nëse do të shikonim mesataren e Kutinjos, ajo është shumë herë më e lartë se ajo e Shaqirit, pasi braziliani ka shënuar një herë në 231 minuta, pasi në shumë ndeshje ai ka startuar që nga minuta e parë.

Me këto statistika në krahun e tij dhe me faktin tjetër shumë domethënës, që Liverpuli është në krye të tabelës dhe pretendenti kryesor për të fituar kampionatin, sigurisht që tifozët e “the reds” nuk e kujtojnë më Kutinjon, por po i gëzohen “yllit” të ri në ekip, Xherdan Shaqiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




